Gjirokastra mes UNESCO-s dhe lapsit të Ministrisë së Kulturës*
Më bën përshtypje qe numri i monumenteve në Listën e UNESCO-s për Gjirokastrën, nuk përputhet me Listën e monumenteve që ka të zyrtarizuar tani vonë Ministria e Kulturës,- kjo në substancë nuk ka shumë rëndësi dhe nuk shërben si alibi, – numri i monumenteve të skualifikuar dhe të hequr, të kategorisë së dytë, është i madh dhe përbën në koleksionin kryesor gati gjysmën e monumenteve të njohur ndërkombëtarisht dhe juridikisht nga ONESC-o! Sigurisht që Lista që ka UNESCO, i është dhënë nga shteti shqiptar,-pra kanë vlerë përcaktuese në arsyetimin tonë se asnjë monument nuk mund të hiqet për të zvogëluar Listën reale të monumenteve.
Së pari Gjirokastra është i shpallur ligjërisht një Qytet Muze. Ky status ka një karakter gjithëpërfshirës. Pra nuk është si qytete të tjerë, që nuk janë shpallur muze, por që kanë monumente kulture. Kjo pikë është e veçantë për Gjirokastrën dhe në mënyrë të veçantë dhe për Beratin. Për qytetet e tjerë nuk thuhet në këtë mënyrë. Pra ky përcaktim Qytet Muze presupozon jo vetëm ansamblin e monumenteve të kategorisë së parë, por dhe ansamblin e monumenteve të kategorisë së dytë. Prandaj është shumë e vështirë të marrësh vendime për të hequr nga Lista monumente të kategorisë së dytë, sepse prish atë që quhet në tërësi koleksioni i plotë i qytetit të Gjirokastrës.
Çdo gjë që ka ndodhur në Gjirokastër këto 25 vjet, dëmet, shkatërrimet, mungesa e kujdesit apo restaurimeve lidhet me dobësimin e statusit të vërtetë muzeor të këtij qyteti. Unë e kam përjetuar me shqetësim shumë të madh. Në vitin 2000 me një grup intelektualësh të Gjirokastrës krijuam Forumin e Intelektualëve të Gjirokastrës për të mbrojtur vlerat e monumenteve me Kryetar i Forumit, Agim Mero dhe nënkryetar unë, për disa vjet sensibilizuam opinionin publik dhe botuam dhe një revistë me tre numra me këtë problematikë të thekshme. Një Forum, që ndikoi shumë për sensibilizimin deri në Francë në UNESCO, që të fitohej statusi i qytetit të mbrojtur si trashëgimi botërore nga UNESCO.
Tani shikoj me shqetësim që jo vetëm nuk është përmirësuar asgjë pas këtij statusi, që e shumëfishon më shumë statusin e Qytetit Muze. Pra i jep një përgjegjësi institucionale jo vetëm të Shqipërisë. Por duhet marrë mendimi edhe i specialistëve me ata që na e akorduan këtë status, dhe duhet të jemi shumë të kujdesshëm. Vetëm një këshill shumë profesional specialistësh mund të vendosin mbi këtë çështje. Nuk mund të vendosi dot as Ministria e Kulturës. Statusi i Ministrisë është i një dikasteri, i cili ka karakter ekzekutiv, por jo shkencor. Problemet që lidhen me Gjirokastrën janë para së gjithash shkencore.
Unë kam informacion, që Ministria e Kulturës ka hequr nga lista rreth 236 monumente të kategorisë së dytë. Pra i ka shfuqizuar si të tilla në Gjirokastër. Pse është bërë kjo gjë nuk e argumentoj dot. Ndoshta është edhe një arsye në prapavijë për të bërë ndryshime apo ndërtime në ndërhyrjet, që mund të bëjë shteti tani duke pasur një alibi që këto nuk janë më monumente të kulturës, ose kanë qenë monumente të kulturës së kategorisë së dytë dhe tani nuk janë më. Unë kam studiuar listën e njohur zyrtarisht dhe nga UNESCO për monumentet e kulturës, që ka qyteti i Gjirokastrës. Qyteti ka 56 monumente të kulturës të kategorisë së parë. Imagjinoni një qytet që ka të shpallur 56 monumente të kategorisë së parë nuk mund të quhet i plotë, por këto e meritojnë këtë status, sepse janë të patjetërsueshme dhe me vlera të veçanta, ndaj janë kategoria e parë.
Ndërsa kategoria e dytë përbëjnë numrin më të madh, që janë në lagjen “Palorto” 105 monumente të kategorisë së dytë, në lagjen “Varosh” janë 104 monumente të kategorisë së dytë, në “Hazmurat” janë 72 monumente të kategorisë së dytë, në lagjen “Partizani” janë 46 monumente të kategorisë së dytë, në lagjen “Dunavat” janë 75 monumente të kësaj kategorie, në lagjen “Manalat” janë 28 monumente të kategorisë së dytë, në lagjen “Meçide” janë 40 monumente të kategorisë së dytë, në lagjen “Pazari i Vjetër” janë 90 monumente të kategorisë së dytë. Edhe njeriu më profan, që nuk është profesionist, por që ka një vetëdije qytetare e kupton që monumentet e kategorisë së dytë përbëjnë shumicën, dhe në tërësi përbëjnë plotësimin e koleksionit të monumenteve të kulturës në Gjirokastër.
Unë nuk mund ta kuptoj, se cila është arsyeja më minimaliste, që ti shkojë ndërmend një njeriu, aq më tepër MK, e cila ka funksionin e mbrojtjes të trashëgimisë kulturore, që të hiqen nga lista 236 monumente të kategorisë së dytë. Kush mund ta bëjë këtë shfuqizim dhe pse bëhet? Nëse është bërë kjo gjë për faktin se monumentet e kategorisë së dytë nuk kanë vlerën e monumenteve të kategorisë së parë, ky është një mendim i pasaktë shkencërisht. Monumentet e kategorisë së dytë janë shumë të rëndësishme. Dhe janë plotësuese, janë ato që përbëjnë substancën ku evidentohen monumentet e kategorisë së parë. Këto monumente të kategorisë së dytë nuk duhet të prekeshin në asnjë mënyrë. Por edhe sikur të ishte ndonjë arsye më madhore, që mund të bëjë ndërhyrje shteti, nuk bëhet pa vendosur specialistët dhe pa bërë një debat për këtë çështje.
Jam i bindur që Ministria e ka bërë në mënyrë urdhërore këtë çështje, pra IMK nuk ka fuqi kundërshtuese ndaj ministrisë. Dhe arsyeja është shumë e thjeshtë, sepse nuk ekzistojnë specialistë të mirëfilltë të fushës. Ka një administratë burokratike, që nuk e ka idenë fare se çfarë janë monumentet e kulturës. Unë e kam ngritur këtë shqetësim disa herë. Janë dy qytete, Gjirokastra dhe Berati, që pas marrjes së statusit janë pasuri e njerëzimit nga UNESCO dhe nuk kanë asnjë ndryshim në përmirësimin e instrumenteve të restaurimit dhe të mirëmbajtjes. Unë nuk di të jetë ngritur ndonjë atelie siç ka pasur më parë Gjirokastra ose Berati, qoftë dhe me fonde jo shumë të mëdha. Nuk di që të krijohen ekipe specialistësh për të dyja qytetet në mënyrë që të ndjekin me përgjegjësi të madhe çështjen e ruajtjes, por dhe të restaurimit të monumenteve.
Unë nuk njoh asnjë specialist më të madh për banesën popullore për monumentet e Gjirokastrës se sa studiuesin e shquar jo vetëm në rrafsh shqiptar dhe ballkanik se sa profesor Emin Riza. Asgjë nuk mund të bëhet pa marrë mendimin e tij. Nëse nuk pyetet ai njeri, kush janë njerëzit e tjerë? Emin Riza i ka kushtuar jetën, ka një jetë të tërë që i është kushtuar monumenteve të Gjirokastrës. Po si nuk pyetet ky njeri? Çfarë janë këta burokratë që nuk pyesin një shkencëtar,ose dhe koleget e tij? Forumi i Intelektualëve për Mbrojtjen e Gjirokastrës, është një forum i gjerë, ku është dhe Ismail Kadare, shkrimtarë dhe artistë, që janë nga Gjirokastra, nga tërë Shqipëria, por pse nuk pyetet asnjë prej tyre? Jam marrë me Gjirokastrën, jam dhe Qytetar Nderi në këtë qytet dhe nuk mund të rri indiferent dhe të hesht, kur mendje mediokre dhe aspak specialistë në ministri në mënyrë mekanike të pastudiuar të bëjnë heqjen e 236 monumenteve të Gjirokastrës. Kjo do të thotë që ti o shtet dekorativ pa vizion për kulturën, normalisht ke prishur koleksionin. Është shfuqizuar pjesa më e madhe e koleksionit të Gjirokastrës, saqë mund të thuhet që vetëm ato monumente të kategorisë së parë që përbëjnë 56 monumente nuk janë më qytet. Pra ti prish pjesën më të madhe monumente, dhe në vend që ta fuqizosh këto 56 monumente të kategorisë së parë me tërë ansamblin, ti si Ministri shfuqizon 236 monumente, që përbëjnë një pjesë të madhe të qytetit.
Unë bëj një pyetje, pse qenka ky një qytet, që quhet koleksioni i monumenteve të kulturës, kur ti i heq statusin e monumenteve të kulturës qoftë dhe të kategorisë së dytë. Ne jemi në pritje të ngjarjeve se si do të zhvillohen, por të jeni të bindur që nuk do të kalojë kaq lehtë. Nuk do jetë e pranueshme nga ana jonë deri në fund ideja e zhvlerësimit e heqjes së statusit të këtyre monumenteve të qytetit të Gjirokastrës, që e katandis këtë qytet jo ajo që është në të vërtetë, por lë vetëm një pjesë .
Mendoj që në këto 26 vjet duke përfshirë dhe vitet, që është kjo Ministri Kulture sot, është tentuar të bëhet diçka për monumentet e kulturës, por jo gjëra substanciale. Unë nuk shikoj një vështrim të një restaurimi të pjesëve të veçanta të kalasë, që është një monument i madh ose elementë të tjerë të shtëpive. Mos harrojmë se kemi dhe fakte, që herë pas here bien dhe shtëpi të kategorisë së parë, ose që janë kërcënuar siç është Shtëpia e Babametove, apo dhe të tjera. Kjo tregon që Ministria është në formën e një pritshmërie, por nuk është se e ka ndonjë ngulm të madh idenë që në të ardhmen nga ndonjë shi apo tërmet mund të bien dhe monumente të tjera, pra nuk kemi parë te kjo ministri një punë parapërgatitore për ti paraprirë.
Kam propozuar që të restauroheshin këmbët e ujësjellësit të Ali Pashë Tepelenës. Kjo do të shërbente dhe si një rindërtim i imazhit të shekullit 19 të Gjirokastrës, aq më tepër që kemi dhe një pikturë të njohur, që mund të bëhet ky rindërtim siç është ajo e Eduard Lear. Një restaurimi të tillë nuk e di pse nuk bëhet. Në fund mund të themi që të gjithë Ministritë e Kulturës në këto 25 vjet as nuk e kanë kuptuar se çfarë është Gjirokastra dhe Berati. Këto qytete duan një vizion të madh shkencor dhe një dashuri për monumentet, por ka munguar fatkeqësisht. Ajo që më shqetëson, që sa më shumë është bërë boshllëku i njerëzve profanë, në ministri që kanë zëvendësuar specialistët. Nuk ka personalitete të kulturës në organizmat shtetërore, që merren me monumentet e kulturës. Nuk ka personalitete të shquara, që duhet të merren me monumentet e kulturës. E pabesueshme por edhe e vertete!
"Dita"
*Titulli origjinal: Skandali me UNESCO-n për Gjirokastrën
Add new comment