A shërben dhe a duhet ta njohë Shqipëria Genocidin Armen si 'model' për çështjen çame?
Ethet elektorale në Shqipëri dhe pasigurtë që i paraprijnë zgjedhjeve kanë orientuar aksione politike tensionuese. Një grup deputetësh të PDIU-së, bashkë me firmën e deputetit socialist Artan Gaçi, kanë depozituar sot në Kuvendin e Shqipërisë kërkesën për ngritjen e një Komisioni Parlamentare që do të hetojë dhe hulumtojë për këtë çështje, të cilën vetë iniciatorët njëherë e cilësojnë tragjedi, njëherë genocid e një herë tjetër spastrim etnik.
Dokumentet referuese të kërkesës janë ligji nr. 7839 i 30 qershorit 1994 që e shpall datën 27 qershorin si Ditën e Genocidit ndaj shqiptarëve të Çamërisë dhe rezoluta e Parlamentit shqiptar e hyrë në fuqi në vitin 2012 e cila e detyron Parlamentin shqiptar të ndjekë zgjidhjen e çështjes.
Kërkuesit pretendojnë se kjo çështje i përket të gjithë kombit shqiptar dhe në fakt dy aktet e mësipërme provojnë se shteti shqiptar ka hedhur një hap, mirëpo kërkesa e fokusuar vetëm në një parti me karakter rajonal, dëshmon se çështja çame, është vetëm e tillë, pra çame.
Në çdo rast, kërkuesit pretendojnë që përmes dëshmive, arkivave, ekspertëve të formulojnë një dosje të plotë dokumentare që “ndriçon të vërtetën e kësaj tragjedie dhe që hedh dritë mbi veprimet, ligjshmërinë ose jo të veprimeve të autoriteteve greke dhe shqiptare të kohës”.
Po kështu kërkuesit parashikojnë që të krijohet edhe një dosje e plotë “dokumentare, e paanshme, e vlefshme juridikisht, që do të mbështesë qëndrimet e shtetit shqiptar, institucioneve shqiptare në përgjithësi përkundrejt Greqisë apo edhe brenda organizatave dhe institucioneve ndërkombëtare nëse lind nevoja për ndonjë iniciativë jashtë konetekstit dypalësh”.
Nuk mund të mos lindë menjëherë pyetja: Pse PDIU-ja priti kaq kohë në inicimin e kësaj kërkese kur mund të vepronte më shpejt?
Së dyti, pse zgjidhet një kohë elektorale për të ndërmarrë një hetim të kësaj natyre?
Përgjigja dihet dhe ajo buron aty ku ka hedhur rrënjë kanceri i Shqipërisë, qeveria aktuale, e cila nisi të qeveriste e plaçkiste me kushtëzimin e një koniunkture të vështirë në koalicion, e po përfundon duke kushtëzuar të gjithë politikën e jashtme me gjeopolitikën e brendshme krahinore dhe elektorale që mban në këmbë koalicionin. Është fakteqësi dhe për të qeshur të shohësh sesi me disa manovra të vockla, aktorët politikë ja kanë dalë të spostojnë kërkesat për pronën, që deri më dje kanë qenë parësore, në vend të fundit dhe sot të flasin për lloj-lloj termash, sa kohë që as vetë nuk kanë një përkufizim unik për atë se çfarë ishte ajo që ndodhi në vitet ’40. Nëse lexon dosjen dhe synimet e saj duket qartë se përpjekja shkon drejt njohjes së një genocidi të kryer nga pala greke, që mandej do të aktualizohej si çështje kryesore në marrëdhëniet mes të dyja vendeve duke kthyer fiktivisht interesin e një komuniteti në interes gjoja të të gjithë shqiptarëve. Kjo kritikë lidhet nuk mohon për asnjë çast detyrimin e shtetit shqiptar për të ndjekur çështjen.
Por këtu vlen të hapet një parantezë për mënyrën sesi do të operohet: kur flitet për Genocid dhe nevojën e njohjes ndërkombëtare të tij, ka një precedent që ndihmon në këtë rast dhe ky është ai që edhe dha termin në fjalë: Genocidi Armen. Armenia dhe sidomos diaspora armene kanë bërë shumë përpjekje që genocidi të njihej ndërkombëtarisht dhe deri më sot atë e njohin vetëm 26 vende, ndonëse ka ndodhur në 20 vjetëshin e parë të shekulit të 20-të.
Ky moment ka rëndësi, pasi ndonëse shqiptarëve u pëlqen që çështjet e tyre – në këtë rast çështjen e një pjese të çamëve – si të veçanta, fakt është se realiteti ndërkombëtar është i kushtëzuar me precedentët. Ndaj ndoshta autorët e kësaj inciative do të duhet të sqarojnë opinionin e me të edhe kryeministrin se mos do të ishte e udhës që edhe Shqipëria të njohë geoncidin armen në funksion të legjitimimit moral në kërkesën për njohjen e Genocidit çam, ende nën shqyrtim nëse ishte e tillë?
Politika njeh dy standarde, por jo kauzat për të shkeljet e të drejtave të njeriut. Dhe njësoj si në çdo akt të PDIU-së, do besuar se kjo nismë udhëhiqet vetëm nga parimet për drejtësi, çka e ndihmon atë të nxisë që të pranojë edhe fatkeqësitë e të tjerëve, duke e renditur Shqipërinë në vendet me ndërgjegje humane të lartë.
Add new comment