Fund rolit “moderator” në rajon?
Mediat maqedonase po i kushtojnë vëmendje lëvizjeve të përfaqësuesve politikë shqiptarë në vendin fqinj, prej të cilëve varet fati i qeverisë së ardhshme. Mënyra sesi po shihen ecejaket e Ali Ahmetit sidomos në Tiranë, në takimet e tij me kryeministrin shqiptar, në kujtojmë atë klimë që shoqëron në Shqipëri vizitat e Vangjel Dules në Athinë.
Partia Demokratike për Integrim e Ali Ahmetit mori më pak vota sesa kishte në mandatin që u mbyll dhe mesa duket në një krizë mosbesimi për legjtimitetin e veprimeve të veta, Ahmeti dinakërisht po kërkon të kualifikojë çdo vendim të tijin në suazën e dakordësisë me Tiranën. Kjo do të mjaftonte si argument kundër çdo zëri shqiptar në Maqedoni. Problemi është se në Tiranë, kryeministri shqiptar, Edi Rama shiti në media idenë e një drafti unik për partitë shqiptare në Shkup, i cili synon të presojë në maksimum partitë maqedonase në jetësimin real të Marrëveshjes së Ohrit.
Edi Rama ka interesat e veta në këtë çështje që nuk dihet nëse janë interesa të Shqipërisë. Ai ndoqi politikën e heshtjes dhe neglizhimit pas ngjarjeve të Kumanovës për t’u bërë i gjallë së fundmi në një moment dobësie për maqedonasit. Kjo me gjasë nuk ka për t’u harruar lehtë. Dhe disa sinjale janë dhënë.
Agjencia shtetërore e lajmeve në Maqedoni, MIA, shkruan se Ali Ahmeti është pyetur në Shkup nëse qëndrimet e tij janë draftuar në Tiranë apo jo. Dhe Ahmeti e ka mohuar një gjë të tillë.
“Për përmbajtjen e këtij dokumenti dje është biseduar në takimin e Ahmetit dhe njerëzit e parë të Besës dhe Aleancës së Shqiptarëve në Tiranë me kryeministrin shqiptar Edi Rama...Lideri i BDI-së thotë se kërkesat kryesore që do t'i përmbajë dokumenti dalin nga programet e partive për zgjedhjet e vitit 2016, ndërsa u dedikohen barazisë gjuhësore dhe ekonomike, reformave në gjyqësi, zbardhjes së disa proceseve gjyqësore, anëtarësimit të vendit në BE dhe NATO, si dhe vazhdimit të punës së Prokurorisë Speciale Publike (PSP)...Lideri i BDI-së në vërejtjet se pozicioni i partive shqiptare në Maqedoni po përpilohet në Tiranë, tha se as Shqipëria, as Kosova nuk janë ato që e përgatisin politikën e shqiptarëve në Maqedoni, ne kemi qëllime tona dhe programe, por ndihma e secilit është e mirëseardhur, madje edhe e faktorit ndërkombëtar”, citon MIA, Ahmetin.
http://mia.mk/Mobile/sq/Home/RenderSingleNews/383?newsID=133508729
Kjo është një gjuhë që njihet mirë: zyrtarisht mohohet një implikim i tillë, por praktikisht ai lihet të kuptohet. Pasi për cilën arsye Ahmeti ka ardhur në Tiranë?
Një problem këtu i krijohet këtij politikani me Nikolla Gruevskin, me të cilin qeverisi dhe bëri boll pazare. Gruevski ka plotësuar më shumë se kushdo tjetër ambiciet partiake të Ahmetit, për këtë ka prova të pakundërshtueshme. Dhe marrëdhënia e qeverisjes në koalicion kërkon kompromise reciproke që e kthejnë Marrëveshjen e Ohrit si suazë teorike të detyrimeve, por jo si një parim funksional. Përndryshe pse duhet që shqiptarët të transferonin vota te LSDM-ja?
Një tjetër media që duket pranë Gruevskit, “MINA” shkruan se drafti i paraqitur nga Edi Rama në fakt është përpiluar nga amerikanët dhe britanikët, që kanë synimin e destabilizimit të Maqedonisë, njësoj si në rastin e ngjarjeve të Kumanovës. Ky skenar nuk ka një mbështetje të dokumentuar, por teza të tilla në Ballkan i përgjigjen logjikës së përbashkët që ndërlidh emocionet politike që janë poshtë institucioneve. Dhe ato janë detonator i vërtetë.
http://macedoniaonline.eu/content/view/30845/1/
Në çdo rast, qeveria shqiptare ka futur hundët në problemin maqedonas duke u bërë organizatore e unitetit të partive shqiptare. Kjo i duhet edhe atyre, sidomos Ali Ahmetit, që nuk është çudi që në një moment të dytë të konfirmojë me vepra se “është ai që vendos”. Dhe nëse kjo bëhet realitet, atëherë edhe politika e jashtme e Tiranës ndaj këtij vendi, pëson goditje të fortë
Vetëm dje, kur kryeministri shqiptar po riakuzonte për joprofesionalizmin e medias, qarkulloi një opinion me titull: Kush po kërkon t’i përçajë shqiptarët e Maqedonisë? Opinioni ishte në burim prodhim i faqes “lexo.al”, pas të cilës thuhet se qëndron Endri Fuga, drejtor i Komunikimit i kryeministrit. Një përpjekje për të mbrojtur investimin për unifikimin e faktorit shqiptar që do të shitej edhe si sukses i radhës, por edhe do të dirigjonte atë presion në rritje ndaj Gruevskit që në mediat maqedonase, siç u tha më sipër, përcillet si lojë e të tjerëve. Mbetet për t’u parë se nga do të marrë kahu, por është e qartë se kjo sjellje nga Tirana, “patriotike” në themel, implikon shumë përkufizimin për “eksportimin e sigurisë” dhe rolin moderator në rajon. Pasi rëndësi ka edhe perceptimi i të tjerëve.
Add new comment