Kardinali katolik Troshani i flet popullit pa dallim feje, krahine e ideje. Në emër të Kishës...
Këtë të enjte në Kuvendin e Shqipërisë mbajti një fjalim kardinali katolik Dom Ernest Troshani, i cili iu drejtua me një mesazh deputetëve të kuvendit dhe popullit shqiptar. Ai e quajti një nder të pashoq “me folë nga foltorja e Kuvendit në emën të Kishës Katolike Shqiptare”.
Çfarë tërheq vëmendjen është se Ernest Troshani bëhet kleriku i parë që përcjell mesazhe politike nga salla e parlamentit dhe kjo me iniciativë të kreut të Kuvendit Ilir Meta. Zyra për shtyp e zotit Meta e konfirmoi se “Kardinali Ernest Troshani ishte i ftuar për të mbajtur një fjalë përshëndetëse në seancë dhe se ftesa u bë me rastin e zgjedhjes si kardinal”.
Me pak fjalë fjalimi i tij në parlament nuk është pjesë e ndonjë protokolli të veçantë që Kuvendi ndjek me figura të spikatura të shoqërisë, përfshi edhe religjionet fetare, por siç u tha, e nxitur nga emërimi tij si kardinal nga Papa Françesku. Askush nuk ka kontestuar, të paktën publikisht, vlerësimin që Vatikani dhe personalisht Papa Françesku bëri për Dom Ernest Troshanin dhe sakrificat e tij gjatë kohës së diktaturës, por përfshirja e tij në nisma të tilla politike ngre disa pikëpyetje. Mbi ç’kritere përzgjidhen figurat fetare për të folur nga salla e Kuvendit të Shqipërisë dhe cili është qëllimi që kanë patur organizatorët?
Nisur nga mesazhi që Dom Ernest Troshani përcolli, organizatorët le të themi se kanë dashur të predikojnë përmes një kleriku nevojën për bashkëpunim dhe paqe në shërbim të interesave të popullit shqiptar.
Kujtojuni orë e çast se jeni këtu me nji mision të naltë, prandaj mos i harroni nevojat e popullit, mos e leni mbas doret asnji çast popullin tuej, e mos lejoni që përplasjet tueja politike, edhe atëherë kur janë të arsyeshme, të kenë në qendër luftën për pushtet, por vetëm problemet e popullit shqiptar -tha në mesazhin e tij Dom Ernest Troshani.
Por kush janë dy “kumbarët” e një shfaqjeje të tillë? Publikisht janë dy persona që qëndrojnë pas “shugurimit” politik të Dom Ernest Troshanit, Ilir Meta që e priti në derën e Kuvendit dhe Tom Doshi që i vuri në dispozicion makinën, me të cilën kardinali mbërriti në parlament.
Faktet janë kokëforta dhe nuk kërkojnë ndonjë stërhollim të madh, mjafton të shohësh protokollin që u ndoq për të imponuar në foltoren e kuvendit një klerik katolik që është nën patronazhin e një deputeti.
Nëse Ilir Meta nuk e fshehu ftesën në fjalë as deputeti Tom Doshi nuk i hoqi targat e BMV-së së tij AA 833 JV e cila u përdor si eskortë për për kardinalin. Nuk është çudi që Ernest Troshanin ta shohin edhe në ndonjë miting politik për të përcjellë mesazhe bashkëpunimi, nëse politika do ketë nevojë për të.
Një përkim interesant me këtë bujtje të Kardinalit në seancën plenare të Parlamentit shqiptar, është qëndrimi i Kishës Katolike sot, e cila ka deklaruar se nuk do të presë politikanë për Krishtilindje(http://vizionplus.al/kisha-katolike-i-mbyll-deren-politikes/). Vizita e Troshanit u mbyll duke lënë nga pas një çudi për arsyet e prezencës së tij, por edhe shijen jo të mirë të këtij flirti të politikës me përfaqësues të katolicizmit. Jo vetëm pse shqiptarët nuk janë në shumicë katolikë, por edhe sepse ky teatër me siguri e ka një axhendë. Pa folur pastaj për rrënojat e atij parimit se shteti është asnjëanës në çështjet e fesë.
Add new comment