Radikalizmi fetar dhe Shqipëria e së ardhmes
Dy aktet terroriste në Berlin dhe Ankara ditët e fundit tronditën opinionin mbarë-evropian mbi rrezikun aktual të radikalizmit fetar dhe ecurinë e tij në kontinentin e vjetër. Ndodhja në të njëjtën ditë e akteve e intrigon më shumë lidhjen që mund të kenë pasur ato midis tyre, me qëllim dhënien e mesazheve konkrete për Perëndimin dhe elitat politike të saj. Nëse vrasja tragjike e ambasadorit Rus në Turqi nuk lidhet me ndonjë skenar tjetër minues, atëherë logjika deskriptuese të çon pikërisht te këto mesazhe. Madje, në rastin e dytë, u zgjodh si destinacion sulmi atmosfera e Krishtlindjeve. Mos harrojmë se në Nicë po këtë vit, sulmi i ngjashëm terrorist me atë të Berlinit ndodhi pikërisht në një nga ditët kombëtare të Francës. Tendencat anti-ruse, anti-perëndimore, anti-shtetërore dhe mbase anti-kristiane, të shpien te radikalizmi islam i krijimit të kalifatit dhe ushtrimit të dhunës me qëllim shpërndarjen e frikës dhe terrorit.
Në këtë prizëm, shumë pak veta i besojnë tashmë justifikimeve pacifiste – ose gjoja pacifiste – se këto ngjarje nuk kanë asnjë lidhje me islamin. Është e sigurt që me islamin e moderuar – siç janë edhe myslimanët e Shqipërisë – nuk kanë lidhje, por që të fshehësh natyrën radikale fetare, është si ‘të mbulosh diellin me shoshë’. Kjo, pasi dihet që ashtu si edhe ideologjia e kombit, feja ka interpretimet e saj të moderuara – më afër shekullarizmit dhe tolerancës – por edhe interpretimin radikal të eliminimit të qëllimshëm të distancave të kohës, duke aplikuar dogma apo mendësi jo-koherente. Radikalizmi dhe inkoherenca e këtyre mendësive bëhen akoma më të mprehta kur ato janë të pranishme brenda shoqërive evropiane, të cilat kane diferenca të konsiderueshme historike, kulturore, apo psiko-sociale me vendet të Lindjes së Mesme apo Afrikës veriore ku radikalizmi mund të mos shihet si i tillë.
Pyetja që ngrihet sot në lidhje me radikalizmin fetar dhe Shqipërinë është se sa rrezikohet vendi ynë dhe çfarë duhet të bëjë ai në të ardhmen?
Natyrisht që Shqipëria është e kërcënuar pasi edhe ajo disponon të tre karakteristikat e mësipërme. Është shtet-komb me një ideologji nacionale ndër-fetare dhe deri mbi-fetare; ka në përbërjen etnike popullsi jo-myslimane por edhe shekullariste; si dhe identiteti dhe vizioni i masës, por edhe i elitave politike, janë të orientuara drejt Perëndimit – Bashkimit Evropian apo/dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Një faktor tjetër i rëndësishëm që e bën akoma më të brishtë ambientin shqiptar lidhet me varfërinë ekonomike e pjesës më të madhe të popullsisë, si dhe korrupsioni i lartë në pothuajse çdo nivel të jetës publike. Marxhinalizimi ekonomik dhe social, si dhe humbja e shpresës tek shteti e risin mundësinë e ‘shpëlarjes së trurit’ në forma radikale dhe të dhunshme. Por si mund të përballohet kjo sfidë apo kërcënim në shoqërinë shqiptare të së ardhmes? Natyrisht, ky është një debat mjaft i gjatë dhe dinamik, por është e nevojshme të nënvizohen disa ide të shkurta, kombinimi i të cilave mund të përbëjë prioritete strategjike kombëtare.
Së pari, në nivelin e arsimit dhe të shëndetësisë, është e nevojshme dhe themelore shtrirja deri në fshatin më të largët të kopshteve dhe shkollave, si dhe mbulimi i detyrimeve financiare për njerëzit në nevojë në lidhje me arsimimin – për shembull librat, transporti apo taksa të ndryshme. Paralelisht me shkollat, duhet të shtrihet kujdesi shëndetësor, i cili të kontribuojë në shërbimin e qytetarit, si dhe në izolimin e çdo lloj pakënaqësie që mund të lindë. Gjithashtu, ngritja e universiteteve të specializuara në çështjet teologjike si dhe ulja e tarifave financiare, do të reduktonte numrin e studentëve që shkojnë në rajone problematike, të cilët kur kthehen importojnë ide të ndryshme dhe deri të rrezikshme për shoqërinë shqiptare.
Së dyti, në lidhje me cilësinë e qytetarit, nevojiten menjëherë reforma radikale të luftimit të korrupsionit, si prioritet që kërkon një kontribut kolektiv të elitave politike në ndërtimin e shtetit të së drejtës dhe në dëm të mikropolitikave apo interesave partiake. Futja e kulturës së shërbimit të qytetarit – si praktikë dhe jo vetëm në teori – do të risë besimin e shoqërisë ndaj shtetit.
Së treti, në kuadrin e nacionalizmit, është e nevojshme të theksohet në mënyrë sistematike retorika kombëtare, por e bazuar kjo në heterogjenitetin fetar të realitetit shqiptar, në identitetin e përbashkët evropian, si dhe në vlera bashkëkohore si toleranca, evropianizmi, modernizmi, të drejtat e njeriut, emancipim i gruas, etj. Në këtë kontekst, nuk mjafton vetëm flamuri gjigant kuq e zi që valëvitet dhe nga ana tjetër të ekzistojnë njerëz të babëzitur që mezi presin ndarjen e tortës, po ashtu gjigante, apo që braktisin çdo ditë vendin e tyre. Është i nevojshëm patriotizmi apo nacionalizmi i pastër i tipit iluminist i mbështetur fort tek pavarësia kombëtare, jo vetëm si formë por edhe si substancë. Dhe kjo mund të arrihet nëse individi nuk konsiderohet dhe ndjehet si subjekt i një shteti të pashpirt, por si qytetar me përgjegjësi dhe të drejta të barabarta, në raport me shtetin bashkëkohor të së drejtës.
Së katërti, në nivelin e politikës së jashtme, duhet të tregohet një kujdes më i madh ndaj politikave të vendeve si Turqia, Arabia Saudite, etj, në raport me Shqipërinë dhe investimet strategjike që ato kryejnë – kryesisht në sektorin arsimor dhe kulturor.
Së fundmi, në lidhje me zhvillimet kombëtare dhe rajonale, është e nevojshme që përmes arsimit dhe mediave, Shqiptarët e Ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë, Kosovës dhe Malit të Zi, të afrohen më shumë me vlerat shekullariste të Republikës së Shqipërisë dhe të Perëndimit në përgjithësi, duke u larguar tashmë nga logjikat demode të identifikimit të kombit shqiptar me fenë jo-sllave.
"Shekulli"
Add new comment