Historia është një "Zot i fshehur"*
Kanë kaluar më shumë se katër dekada nga vdekja e teoricienëve të fundit të mëdhenj marksistë të kulturës europiane. Bëhet fjalë për Lucien Goldmann dhe György Lukács. Bashkë me ta është zhdukur, zhbërë edhe bota e tyre,. Shoqëria socialiste e përfaqësuar nga Bashkimi Sovjetik nuk është më prej kohësh. Mbeten Kina, Vietnami, Koera e Veriut, Kuba, Laos, Eritrea, Turkmenistan, Bjellorusia. Pjesa tjetër lëkundet, shfaqet, zhduket, rishfaqet njësoj si Le Dieu cache, Zoti i fshehur i librit me të njëjtin titull të Goldmann dalë në shtyp në vitin 1955.
Çfarë ishte kjo ideja e Le Dieu cache? Dhe kush ishin këta dy mendimtarë të mëdhenj, deri 20-30 vite më parë shtyllë e filozofisë, sociologjisë dhe estetikës marksiste?
Çfarë kanë bërë në jetë për të modifikuar botën ashtu siç ishte asokohe, kapitaliste dhe borgjeze, komuniste dhe burokratike, mbushur me gënjeshtra?
Individualist dhe egoist, demokrat dhe i pamëshirshëm? Si Lukács, ashtu edhe Goldmann, që ishte besnik dhe ndjekës i të parit, janë lënë mënjanë, harruar, denigruar. Mendimi aktiv, shqetësimet për fatin e njerëzimit, elaborimet e filozofisë së zemrës dhe të arsyes, siç thoshte Goldmann, sot nuk ekzistojnë më.
Ekziston përpjekja për të shpëtuar mjedisin, por jo atë që jeton në të, njeriun mbi të gjitha, këtë qenie tragjike që nga njëra anë vë bast jetën e vet mbi një entitet, Zotin, për të cilin nuk di asgjë, dhe nga ana tjetër, vë bast mbi rrjedhën e historisë, për të ardhmen e së cilës po njësoj nuk di gjë, por nga e cila shpreson drejtësi, solidaritet, liri, mirëqenie: një komunitet njerëzor i paqëtuar.
Të flasim në fillim për Lucien Goldmann, sepse nga të dy është më i mohuari dhe më i harruari. Lukács siç dihet ishte hungarez, bir i borgjezisë së madhe së Budapestit. Goldmann nga ana e tij, ishte lindur në vitin 1913 dhe u rrit në një fshat të vogël të Rumanisë, Botosani; më pas emigroi në Zvicër dhe në Tuluzë të Francës, për shkak të persekutimit racist ndaj hebrejve. Pas luftës hyn në Partinë Komuniste rumune, nga e cila u përjashtua me akuzën si deviaconist trockist. Kthehet në Francë ku nisi të jepte mësim në Paris në École des hautes ètudes.
Këtu shkruajti dhe publikoi librat e tij të sociologjisë, filozofisë dhe estetikës, duke u bërë i njohur pas publikimit të Le Dieu cache, një studim mbi filozofinë e Blaise Pascal dhe mbi dramaturgjinë e tragjedive të Jean Racine. Të dy këta kishin qenë anëtarë të rrethit të famshëm të Port Royal, një bashkim jansenistësh, asokohe mendimtarë me ndikim dhe me autoritet, të njohur për doktrinat e tyre rigoroze.
Jansenizmi u hodh poshtë dhe u luftua nga Kisha Katolike sepse predikonte ligësinë si pjesë e qenësishme e njeriut, i cili vetëm me hirin e Perëndisë, falur individualisht secilit, mundet t’i shpëtonte këtij dënimi të së keqes. Njeriu, sado mirë të bënte, nuk mund të meritonte faljen. Sipas kësaj doktrine çdo qenie njerëzore lindte me predestinimin nga Zoti, si drejt të mirës ashtu edhe të keqes.
Marksisti hebre, Lucien Goldmann iu fut studimit të kësaj doktrine deri në detaje përmes leximit të veprave të Pascal dhe Racine, të Shën Augustinit, Kantit dhe mendimit të Jansen, profesori i universitetit të Leuven, propozues fillestar i këtij besimi, të cilit i dha edhe emrin e vet. Këto doktrina kishin marrë jetë edhe në Itali, mes të tjerave, dhe aq e vërtetë është kjo, sa edhe tregimtari ynë i madh, Alessandro Manzoni, po pikërisht ai, kishte qenë një jansensist i dedikuar, njësoj si prindërit e Giuseppe Mazzini.
Basti është, sipas Goldmann, në qendër të këëtij mendimi dhe njeriu tragjik jeton mbi këtë bast që është fetar, materialist për atë që orientohet nga historia dhe jo mbi vullnetin e prezencës-mungesës së Zotit, të famshmit Dieu cache, zotit të fshehur, spektator i ngjarjeve tona tokësore.
Vuajtja e brendshme morale e Goldmann, dedikimi i tij për studime të thelluara dhe jo dogmatike ja bënë jetën të vështirë, e ndoshta edhe vdekjen; i vunë në dyshim veprën në një epokë të dedikuar ndjekjes vetëm të interesave personale, ekskluzivisht egoiste dhe private. Goldmann vdiq në vitin 1970 në moshën 57 vjeçare, kur Partia Komuniste franceze ishte tashmë në rënie dhe e majta europiane kishte nisur marshimin e vet drejt humnerës.
Fati i Lukács, mendje universale dhe me mendim shumë të ngritur, ishte I ndryshëm, më dashamirës e ndoshta më mirënjohës krahasuar me atë të Goldmann. Ai vdiq një vit më vonë sesa studenti i tij virtual. Ishte tërhequr në jetën private, por adhurohej ende nga populli i tij si dhe nga partia që asokohe gëzonte privilegjin e fituar në kampin e “satelitëve” të Bashkimit Sovjetik me sakrificën e gjakut të revoltës së vitit 1956.
Lukács e pagoi me burg pjesëmarrjen në atë revoltë, por pati kohë të shihte edhe tentativën e Çekosllovakisë së Dubcek për të arritur një socializëm me fytyrë njerëzore, përpjekje edhe kjo e mbytur nga tanket e Traktatit të Varshavës.
Gjithsesi, 20 vjet pas atij represioni, në vitin 1989 Muri I Berlinit ra e bashkë me të edhe perandoria sovjetike. Por më tragjikja ishte zhdukja nga mendja e njerëzve e idesë së solidaritetit njerëzor, për t’i lënë hapësirë babëzisë dhe lakmisë, përhapur në mënyrë të shfrenuar. U zhduk edhe gënjeshtra e shumë regjimeve komuniste të ndërtuara mbi mashtrimin; bashkë me të edhe një pjesë e madhe e bastit mbi drejtësinë e historisë, i famshmi pari(frëngjisht), basti i filozofisë së Goldmann.
Marrë nga: Corriere della Sera
*Titulli origjinal: Goldmann mes Marksit dhe Paskalit. Historia është një "Zot i fshehur"
Përkthimi: ResPublica
Add new comment