Intervista/Interkonjeksioni me Kosovën, Serbia ka afat deri më 31 dhjetor. Më pas i drejtohemi Komunitetit të Energjisë
Çështja CEZ, reforma në sektorin energjetik, projektet e HEC-ve të reja, këto janë disa nga tema e prekura në intervistën që ResPublica zhvilloi me ministrin e Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri. Ministri deklaron se problematikat e ngritura nga opozita nuk kanë adresojnë një qasje alternative për hapat që duhen marrë në sektor, as konstituojnë një politikë tjetër; sipas tij ato janë diversion që buron nga shqetësimi që sjell reforma në drejtësi.
ResPublica : Z. Ministër ta nisim nga dy çështje që janë debat aktualisht: Së pari çështja e CEZ. Partia Demokratike ka ngritur disa pretendime për sugjerimet e Avokatit Ndërkombëtar. Si qëndron e vërteta rreth këtij problem?
Mjafton që ju t’i riktheheni arkivave tuaja si media dhe do të kuptoni se nuk ka asgjë të re në ato çka po deklaron sot Partia Demokratike, krahasuar me ato çka ka deklaruar që prej momentit të parë në Kuvend prej deputetit Sali Berisha e më pas edhe raportit të nxitur politikisht të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Të gjitha këto pretendime janë bërë objekt i hetimit nga Prokuroria dhe më pas edhe Gjykata e Lartë. Institucionet e drejtësisë shqiptare kanë konstatuar se nuk ka asnjë shkelje ligjore dhe cënim të interesave të shtetit shqiptar nga marrëveshja e zgjidhjes me mirëkuptim të konfliktit mes CEZ a.s. dhe shtetit shqiptar për kompaninë e shpërndarjes së energjisë.
Nëse ktheheni pas në kohë do të shikoni se sa herë që Partia Demokratike vihet në siklet me pozicionet e saj bllokuese ndaj reformës së pandalshme në sistemin e drejtësisë, “zbulon” dhe “rizbulon” CEZ-in duke u kacavjerrë me synim shmangien e vëmendjes së opinionit publik. Në respekt të detyrimit ligjor dhe për hir të transparencës ndaj opinionit publik, njësoj siç kam vepruar në rastin e hetimit të kryer nga organi i akuzës, jam paraqitur gjithashtu dy herë në Komisionin Hetimor Parlamentar të ngritur nga opozita për çështjen e CEZ-it.
Referuar akuzave, ju sqaroj se
avokati i huaj i shtetit shqiptar është konsultuar që në momentet e para që Qeveria ka marrë detyrën dhe është pikërisht Avokati që i drejtohet Qeverisë së re për ta sensibilizuar për pozitën e rënduar të shtetit shqiptar në konfliktin me CEZ nga mosmarrja e masave të rekomanduara prej tij nga ana e institucioneve publike përgjegjëse.
Në vazhdimësi ka patur shumë komunikime me avokatin me të cilin jemi konsultuar si për vendimin e Këshillit të Ministrave për ngritjen e Grupit të Punës për zgjidhjen me mirëkuptim të mosmarrëveshjes me CEZ, madje ky propozim ka ardhur prej tij, për Memorandimin e Mirekuptimit me CEZ, në momentin që Qeveria vendosi të ulej në negociata, ashtu edhe për letrën e drejtuar Arbitrazhit të UNCITRAL lidhur me pezullimin e procedurave të nisura me qëllim arritjen e një zgjidhje miqësore nëpërmjet negociatave me CEZ as, madje kjo letër është hartuar dhe drejtuar këtij Arbitrazhi nga vet studio ligjore Derains & Gharavi.
Avokati në këto raste ka dhënë mendimet e tija, pjesa më kryesore e të cilave janë reflektuar. Memorandumi të cilit i referohet PD në pretendimet e saj është një dokument i shprehjes së vullnetit të palëve për tu ulur në negociata dhe nuk ka të bëjë me produktin e negociatave. Pas disa diskutimeve dhe shkëmbimesh draftesh, MoU perfundimtar i nënshkruar nga palët, e vendos shtetin shqiptare në pozitë të barabartë me palën çeke gjatë procesit të negocimit, duke e ndaluar CEZ të kryejë veprime të mëtejshme në Arbitrazhin Ndërkombetar, të cilin ata tashmë e kishin iniciuar dhe avancuar në procedura, dhe nga ana tjeter, duke mos e kufizuar tërësisht shtetin shqiptar për të depozituar padinë në arbitrazhin e IÇ, në rast se do të arrihej të bëhej gati e gjithë praktika e nevojshme. Normalisht si çdo avokat ai ishte më i prirur për gjyq se sa për marrëveshje pasi çdo avokat përfiton më shumë tek pagesa nga gjyqi se zgjidhja me mirëkuptim jashtë arbitrazhit. Mjafton të kuptoni se avokati nuk pranonte pagesë të bazuar mbi suksesin e arbitrazhit të mundshëm, por kërkonte të paguhej me orë pune pavarësisht rezultatit.
Zgjidhja me mirëkuptim e konfliktit dhe jo vazhdimi i konfliktit ligjor, ishte një vendim politik i qeverisë, i sugjeruar nga gjithë partnerët ndërkombëtarë si FMN e BB, nisur nga situata alarmante e sektorit, nevoja për të marrë nën kontroll kompaninë e shpërndarjes, zhbllokimi i paketës së investimeve në sistem dhe vonesat që kishte shkaktuar qeveria e shkuar në përgatitjen e dokumenteve e më keq se kaq mosdepozitimi në arbitrazh i një padie ndaj CEZ a.s para se ata ta bënin diçka të tillë, konstatime të faktuara edhe nga avokati ndërkombëtar në letrën e 30 Shtatorit 2013.
ResPublica : Ka dy komisione hetimore për CEZ-in, një për privatizimin e operatorit shqiptar dhe tjetri për shtetëzimin. Në media kanë dalë audite, fragmente të dosjeve hetimore, ka spekullim për parregullsi. Çfarë ka ndodhur me këtë pasuri të shqiptarëve dhe si shpjegohet që çdo akuzë mbetet në nivel retorik?
Ju e dini se qeveria jonë e gjeti sektorin energjitik në prag kolapsi, të zhytur në mbi 1 miliard dollar borxhe. Zanafilla e kësaj “grope thithëse” që rrezikonte të përpinte financat publike të shtetit ishte privatizimi korruptiv dhe antiligjor i OSSH-së prej qeverisë Berisha e më pas favorizimi i vazhdueshëm që degjeneroi situatën deri në përzënien e dhunshme të kompanisë dhe vënien e shtetit shqiptar në pozitën e të paditurit në arbitrazh.
Menjëherë pas marrjes në kontroll të kompanisë dhe fillimit të procesit të rimëkëmbjes së sektorit çka përbënte emergjencë, në cilësinë e Ministrit të Energjisë dhe Industrisë urdhërova kryerjen e një auditimi të të gjithë procesit të privatizimit të OSSH duke filluar që nga krijimi i saj, përgatitjen për privatizim, hartimin e kuadrit ligjor përkatës, ndjekjen dhe zbatimin e procedurave të privatizimit, procesin e tenderimit, negocimin e kontratës, përmbylljen e procesit të privatizimit, zbatimin e kontratës së privatizimit, veprimet apo mosveprimet e institucioneve gjatë zbatimit të kontratës, ndërhyrjen e Qeverisë në vendimarrjen e institucioneve të pavarura si ERE, veprimet apo mosveprimet e institucioneve të shtetit shqiptar pas heqjes së licencës së shoqërisë CEZ Shpërndarje.
Mbi bazën e një analize të detajuar të dokumentacionit të administruar pranë MEI, por edhe të dokumentacionit të vënë në dispozicion nga institucionet e tjera si Kryeministria, MZHETTS, MF, ERE, OSHEE dhe KESH, konstatohet se privatizimi i OSSH, është një nga proceset më abuzive të kryera nga Qeveria e asaj kohe, i parakohshëm, në kundërshtim të hapur me aktet ligjore e nënligjore në fuqi dhe me praktikat më të mira të privatizimit në sektorët strategjikë, me elementë të pastër favorizues dhe të shkeljes së barazisë në tendera. Fakte që dëshmojnë qartë për një proces tejet fiktiv, me një fitues të paracaktuar, ende pa nisur mirë procesi i privatizimit dhe parashikueshëm që në fillim si një privatizim i dështuar.
Rezulton se këto veprime të paligjshme i kanë garantuar shoqërisë fituese të tenderit CEZ a.s. përfitime materiale të padrejta, duke dëmtuar rëndë me anë të veprimeve apo mosveprimeve të tyre, interesat e ligjshme të shtetit, të personave të tjerë juridikë dhe mbi të gjitha të konsumatorëve shqiptarë. Në konkluzion të auditit konstatohet se veprimet ose mosveprimet e personave përgjegjës, të analizuara në mënyrë të detajuar në raport, kanë shkaktuar një dëm financiar që arrin në shumën 57,931,041,292 lek ose rreth 414 milion Euro. Për këtë dëm ne kallëzuam në prokurori ish-ministrat Genc Ruli, Ridvan Bode dhe Florion Mima; zv.ministrat Eno Bozdo e Neritan Alibali ashtu sikurse këshilltaren e kryeministrit të atëhershëm Suzana Guxholli dhe persona të tjerë përgjegjës.
Me synim çorientimin e opinionit publik dhe shmangien e vëmendjes nga dëmi që i kishte shkaktuar interesave të shtetit dhe qytetarëve, Partia Demokratike ngriti një flluskë sapuni në ajër duke angazhuar edhe institucione që duhet të ishin të pavarura, për të ngritur kallëzime politike. Mjafton tu them se në kallëzimin e KLSH, në asnjë rresht nuk citohet asnjë nen dhe ligj i shkelur prej grupit negociator në zgjidhjen me mirëkuptim të konfliktit mbi kompaninë e shpërndarjes.
ResPublica : Ju jeni shprehur disa herë për një reformë në sistemin energjetik. Është sqaruar tanimë kalimi në një sistem menaxhimi më të mirë dhe në ulje të vjedhjes së energjisë. Këtu ndalojnë objektivat e kësaj reforme?
Ajo çka ndodhi në fakt pas zgjidhjes së konfliktit me CEZ a.s. tregon më së miri për vendimin e drejtë që ndërmori qeveria shqiptare për të mos vazhduar konfliktin në arbitrazh. Rimëkëmbja e sotme e sektorit elektroenergjitik e ka bërë të qartë për të gjithë reduktimin e humbjeve, rritjen e arkëtimeve, 6-fishimin e investimeve, reformat ligjore në përputhje me standardet më të mira evropiane. Mjafton të kujtojmë se barra e Buxhetit të Shtetit nga sektori elektroenergjitik në vitin 2013 ishte 21 miliard lek. Para këto të cilat subvenciononin vjedhjen e energjisë, mospagesën e saj dhe blerjen me çmime të larta nga importi. Për vitin 2017, barra e sektorit në Buxhet është reduktuar në vetëm 2.5 miliard lekë të cilat shkojnë vetëm për investime. Ndërkaq, KESH, OSHEE dhe OST kanë nisur të shlyejnë vet kreditë e marra me garanci qeveritare duke mos e rënduar Buxhetin edhe në këtë aspekt.
Nga ana tjetër, kontributi direkt në Buxhet nga 3 kompanitë e sektorit elektroenergjitik ka ardhur në rritje dhe gjatë vitit 2015 KESH, OSHEE dhe OST kanë kontribuar me shumën prej rreth 8.4 miliard lekësh. Përtej asaj cka parashikon Buxheti i Shtetit, kompanitë me fondet e tyre janë duke kryer investime intensive në prodhim, transmetim dhe shpërndarje. Kështu, nëse në vitin 2013 investoheshin vetëm 4.6 miliard lekë, plani i investimeve të vitit 2016 arriti në 24.1 miliard lekë. Kostoja financiare e mbulimit të humbjeve nga Operatori i Shpërndarjes për periudhën 10 Mujore (Janar-Tetor 2016) arrin në 47.1 milion euro. Për të njëjtën periudhë të vitit 2013, kostoja e mbulimit të humbjeve ishte jo pak por 116.2 milion euro.
Niveli i humbjeve në rrjet gjatë periudhës Janar-Tetor ka zbritur në 27.52%. Në të njëjtën periudhë të një viti më parë, ky tregues ishte 31%. Për vitin 2013 ky tregues ishte 43.7%. E njëjta ecuri pozitive paraqitet edhe sa i takon treguesve të nivelit të arkëtimit të faturave korente të energjisë elektrike. Gjatë periudhës Janar-Tetor 2016 janë arkëtuar nga faturat korente (pa llogaritur arkëtimet nga aktmarrëveshjet) 47,4 miliard lek. Për të njëjtën periudhë të një viti më parë ishin arkëtuar 46 miliard lek. Ndërsa në vitin 2013 ishin arkëtuar vetëm 32 miliardë lekë.
Garantuam paketën më të madhe të investimeve prej 300 milion eurosh për sektorin energjitik mes të cilave 23,6 milion euro grante. Negociuam me sukses financimin nga Banka Botërore të projektit për rimëkëmbjen e sektorit energjitik me vlerë 150 milion USD. U garantuan 218 milion euro të tjera nga BERZH-i për ristrukturimin e borxheve të vjetra të marra ndër vite nga Korporata Elektroenergjitike Shqiptare, duke cliruar dhe garancitë qeveritare të bllokuara gjatë viteve të shkuara.
Realizuam projektin e linjës së interkonjeksionit 400 kilovolt mes Shqipërisë e Kosovës dhe linjën 110 kV Unaza e Jugut të Shqipërisë. Rrjeti shqiptar i transmetimit u bë pjesë e familjes evropiane në sajë të ndërtimit dhe vënies në funksion të qendrës së re moderne dispecer. Është firmosur tashmë financimi i linjës së interkonjeksionit me Maqedoninë, puna për të cilën nis në fillim të vitit të ardhshëm. Shqipëria ndërkaq ka ndërmarrë reformat ligjore në sektorin elektroenergjitik që e kanë bërë të jetë ndër të parat edhe në rajon. Po implementojmë një model tërësisht të ri të organizimit të tregut të energjisë elektrike duke përkrahur dhe krijuar kushtet për çdo iniciativë të bashkëpunimit rajonal të tregut, deri në krijimin e Bursës së energjisë.
Është ndërmarrë një reformë strukturore, e cila së pari garanton kompanitë publike që të ushtrojnë veprimtari të ndara në përputhje me përgjegjësitë ligjore dhe detyrat funksionale që ato kanë dhe të kthehen në kompani vërtet tregtare.
Reforma tarifore dhe rregullatore bëri të mundur të krijojë kushtet për hapjen dhe funksionimin e tregut të liberalizuar. Prioritet ka qenë edhe mbështetja me infrastrukturë, ndërsa investimet që po kryhen rrisin sigurinë e furnizimit të vendit, përmiresojnë cilësinë e furnizimit të konsumatorëve.
ResPublica : Si do të zgjidhet problemi i madh mes kostos së prodhimit të energjisë dhe çmimit të shitjes në kushtet kur ju e keni edhe premtim elektoral uljen e TVSH-së për energjinë?
Së pari, duhet të kuptohet se çmimi i energjisë elektrike nuk është si një taksë të cilën e ka në dorë qeveria me politikat e saja fiskale. Energjia është si çdo lloj “malli” tjetër që ka një kosto konkrete. Kaskada e Drinit mbulon mesatarisht rreth 55-60% të nevojave të vendit për energji ndërsa pjesa tjetër mbulohet me energji të blerë nga importi dhe ajo e blerë nga prodhuesit privat brenda vendit. Është kjo energji e prodhuar në Kaskadën e Drinit, e cila shitet me çmim të ulët tek OSHEE, ajo që në fakt mban koston e energjisë për qytetarët shqiptarë në parametra e kontrollueshëm. Energjia e blerë nga importi dhe ajo e blerë nga HEC-et private brenda vendit ka një kosto shumë më të madhe. Për të arritur deri tek çmimi fundor, përvec kostos së prodhimit apo blerjes së energjisë nga importi përfshihet kosto e transmetimit dhe ajo e shpërndarjes deri tek shitja.
Çdo ndërhyrje politike për të ulur tarifa energjie pa ulur koston e energjisë çon në krijimin e hendekut dhe rikthen situatën aty ku ishte në kolaps financiar. Ajo çka ne po bëjmë është rimëkëmbja e sektorit, shëndoshja financiare, përmirësimi i gjendjes se rrjetit si rrjedhojë e investimeve në linja transmetimi e shpërndarje apo sisteme matjeje. Hapja e tregut, liberalizimi dhe ulja e kostove do të çojë patjetër tek ulja e çmimit të energjisë pa cënuar sistemin dhe stabilitetin e tij.
ResPublica : Z. Ministër si mund të harmonizohet praktika e liberalizimit të tregut të energjisë me politika sociale në shitjen e saj te konsumatori?
Qeveria shqiptare është tashmë në fazën e liberalizimit të tregut të energjisë dhe brenda vitit 2018 parashikohet që 30% e tregut të jetë e liberalizuar. Konsumatorët e biznesit, me përjashtim të atyre të lidhur në tensionin e ulët, do të dalin gradualisht në treg të lirë duke e blerë energjinë në treg dhe jo detyrimisht tek OSHEE. Krijimi i tregut të hapur dhe ndërtimi i linjave të interkonjeksionit krijon mundësinë që bizneset të gjejnë çmimin më konkurues të energjisë në tregun vendas apo atë rajonal e më gjerë Europian. Ndërkaq, përsa i takon konsumatorëve familjarë, për shkak të specifikave që lidhen me nivelin e jetesës, shteti nëpërmjet detyrimit të shërbimit publik, do të vazhdojë të ketë rolin e tij për të mbajtur nën kontroll cmimin. Kjo do të bëhet e mundur kryesisht duke shfrytëzuar burimet aktuale të Kaskadës së Drinit e cila ka një kosto më të ulët të prodhimit të energjisë elektrike.
ResPublica : Mund të sqaroni ju lutem cilat janë projektet akuale për ndërtimin e HEC-ve të reja, meqenëse ka jo pak reagime për pasojat e disa prej tyre në mjedis?
Duke qenë se Shqipëria është një vend importues neto, e ka të domosdoshme që të shtojë kapacitetet gjeneruese në harmoni me arritjen e objektivit të konsumit të burimeve të rinovueshme të energjisë dhe sigurisë së furnizimit. Gjatë vitit 2013 dhe 2014, marrë sëbashku, kosto financiare e energjisë së importuar ka qenë në shifrat 300 milion euro. Vetëm gjatë vitit 2015, në sajë edhe të reformave të ndërmarra nga qeveria në sektorin energjitik është bërë e mundur që kosto financiare e importit të ulet. Dihet se Shqipëria është një vend i cili ka nevojë për zhvillim të mëtejshëm dhe pret rritje ekonomike edhe përmes investimeve të huaja. Raportet e institucioneve financiare vendase e të huaja e theksojnë se investimet kryesore të huaja në Shqipëri aktualisht janë në sektorin energjitik. Çështja që shtrohet është gjetja e një ekuilibri mes zhvillimit ekonomik të vendit e mbrojtjes së mjedisit dhe qeveria po bën pikërisht këtë.
Nga viti 2007 deri në Korrik 2013 janë nënshkruar 175 kontrata koncesionare për ndërtimin e 505 hidrocentraleve. Nga gjithë ky numër, sot rezultojnë të ndërtuara dhe prodhojnë energji vetëm 122 hidrocentrale. Një pjesë tjetër është në fazë ndërtimi ndërsa rreth gjysma e kontratave të lëshuara janë ende në letër.
Referuar qeverisjes sonë, nga fillimi i vitit 2014 deri më tani janë nënshkruar vetëm 9 kontrata koncesionare ndërsa janë në proces vlerësimi edhe 3 të tjera. Ndërkaq, në zbatim të detyrimit ligjor, për HEC-et që nuk janë objekt koncesioni, MEI ka pranuar aplikime për HEC-e me kapacitet të vogël deri në 2 MË por nuk ka dhënë asnjë autorizim përfundimtar për ndërtimin e tyre. Të gjitha aplikimet janë në fazën e shqyrtimit paraprak dhe të periudhës së kryerjes së studimeve të thelluara. Pas auditimeve të kryera, MEI ka revokuar disa kontrata për mospërmbushje të detyrimeve të parashikuara nga ana e subjekteve koncesionare.
ResPublica : Cili pritet të jetë ndikimi i TAP në sektorin e energjisë dhe mos ndoshta ky projekt e bën të panevojshëm rendjen pas ndërtimit të HEC-ve të reja?
Projekti i gazsjellësit TAP e ndryshon padyshim hartën energjitike të Shqipërisë pasi i shërbën objektivit tonë për diversifikimin e burimeve. Qeveria ka përmbyllur tashmë dhe së shpejti miratohet në qeveri Masterplani i gazit. Sëbashku me Studimin e Fizibilitetit i cili është në zhvillim e sipër, këto dy dokumente shërbejnë bazën e procesit të gazifikimit të vendit. Ka investitorë të rëndësishëm të interesuar për gazifikimin e vendit dhe Shqipëria po bëhet gati për të shfrytëzuar maksimalisht nga projekti i gazsjellësit TAP. Përveç infrastrukturës së brendshme, Shqipëria po bën gjithçka i takon për të lobuar për ndërtimin e një tjetër gazsjellësi, atij Adriatiko-Jonian (IAP) që kalon nga Shqipëria drejt Malit të Zi, Bosnje Hercegovinës e deri në Kroaci. Një tjetër projekt është ai i degëzimit mes Shqipërisë dhe Kosovës, i njohur i ALKOGAP. Referuar gjenerimit të energjisë, po kryejmë studimin e fizibilitetit për lidhjen e Termocentralit të Vlorës me TAP-in për të mundësuar vënien në punë të kësaj vepre me gaz për prodhimin e energjisë.
ResPublica : Z. Gjiknuri mendoni se akciza për gazin redukton një mundësi alternative për konsumatorët meqenëse çon në rritje çmimi?
Propozimi në paketën fiskale i diferencimit të akcizës ka të bëjë vetëm me gazin që tregtohet për automjete, pra gazin në pikat e autogazeve. Gazi i cili tregtohet për konsumin familjar apo atë industrial nuk preket nga vendosja e akcizës. Kjo masë është pjesë e përpjekjes për disiplinimin e tregut të bombolave të gazit për konsumatorët familjarë, me synim rritjen e sigurisë dhe shmangien e ngjarjeve të rënda që kanë çuar edhe në humbje jetësh njerëzore. Konsumatori familjar duhet ti drejtohet pikave përkatëse të tregtimit të bombolave të gazit dhe të dorëzojë bombolën boshe e të marrë një bombol të mbushur, pra jo të kryejë mbushje bombole. Në këtë mënyrë do të marrë një bombol të kolauduar çka garanton sigurinë e jetës, do të respektojë ligjin por dhe do të marrë një produkt më të lirë e pa akcizë. Nëse konsumatori familjar do ti drejtohet një pike autogazi për të mbushur bombolën do të kryejë një shkelje ligjore, do të rrezikojë jetën për shkak të mungesës së kolaudimit të bombolës por dhe do të blejë një produkt më të shtrenjtë me akcizë.
ResPublica : Çështja e dytë është linja e intekonjeksionit me Kosovën të cilën e mban të bllokuar Serbia. Ju u shprehët pak kohë më parë se kjo do të diskutohet me kancelaren Merkel. Në ç’pikë kanë mbërritur këto negociata meqenëse kryeministri e zhvilloi vizitën e tij në Gjermani?
Pas një periudhe të gjatë bllokimi nga qeveria e shkuar, linja e interkonjeksionit me Kosovën u zhbllokua dhe u përfundua. Tashmë problematika për vënien në punë të kësaj linje është bërë e ditur për publikun. Komuniteti i Energjisë ka hapur një çështje kundër Serbisë ku i kërkon t’i jepet zgjidhje kësaj situate brenda 31 Dhjetorit 2016. Jemi në pritje të përmbushjes së detyrimeve, në të kundërtën do ti drejtohemi Komunitetit të Energjisë për të avancuar me sanksionet përkatëse ndaj palës serbe.
ResPublica: U fol për matësat inteligjentë, për një projekt pilot me pjesëmarrjen e Deutsche Telecom. Po kështu është paralajmëruar riprivatizimi i OSHEE-së – menaxhimit të saj. Si parashikohet të ecet për këto dy çështje?
OSHEE ka ndërmarrë një sërë hapash për të përfshirë teknologjinë e fundit me synim modernizimin e shërbimit ndaj klientit.
Së pari u liberalizuan kanalet alternative të pagesës së faturave të energjisë. Sot janë mbi 200 mijë pagesa çdo muaj përmes kanaleve alternative çka ka shmangur radhët në Qendrat e Kujdesit ndaj Klientit. Një tjetër hap ishte vendosja e Infokioskave, sportele elektronike ku mund të kryhen veprimet nga konsumatori. Në të njëjtën formë janë implementuar edhe OSHEE Mobile; teknologjia e gjurmimit të ankesë/kërkesës; sistemi i menaxhimit të radhës. Këtë vit janë montuar mbi 55 mijë matësa elektronike dhe janë pajisur të gjithë konsumatorët me matësa duke zhdukur faturimin aforfe.
Po pilotohet me zona të caktuara sistemi i leximit online të mëtësit dhe transmetimi i të dhënave me Bluetooth përmes pajisjeve PDA. Instalimi i matësave inteligjente është një proces që do të dojë kohën e vet por do të fillojë të zbatohet me disa zona pilot për të parë dhe ecurinë e tij.
Referuar çështjes së privatizimit, më duhet t'u them se ne kemi një program të rimëkëmbjes së sektorit energjitik dhe kompanisë së shpërndarjes. Siç e thashë më lart, kjo kompani ka një trashëgimi të keqe me privatizimin e dështuar përmes të cilit kaloi disa vite më parë. Kjo duhet të na bëjë të jemi shumë të kujdesshëm në ndërmarrjen e hapave për privatizim. Objektivi ynë primar sot mbetet rimëkëmbja financiare e kompanisë dhe reformimi i sistemit menaxherial të saj.
Add new comment