Edhe VOA investohet në pastrimin e drejtësisë, materialin e Prokurorisë e promovon si gazetari investigative të BIRN (Video)
Investimi shumëplanësh i amerikanëve për reformën në drejtësi duket se ka hyrë në një fazë të dytë, atë të mediatizimit të rasteve të korrupsionit në gjyqësor, përmes seksioneve të shpallura si gazetari investigative, në rastin konkret rrjeti BIRN. Materiali që ka parë dritën e publikimit është një përgjim ndaj gjyqtarit të Sarandës, Rasim Doda i arrestuar për rryshfet.
Materiali i përgjimit të gjyqtarit të Sarandës, Rasim Doda që u publikua në Zërin e Amerikës si një bashkëpunim i këtij të fundit me rrjetin "BIRN" është vënë në dispozicion nga Prokuroria dhe kjo është një praktikë që ndiqet shpesh kur vetë organet hetimore janë të interesuara të publikojnë pjesë të dosjeve të tyre.
Pra më tepër se investigim ka një evidentim në këtë rast, ku Zëri i Amerikës ka ndihmuar që BIRN të citohet edhe telekronikisht në një dritare me audiencë e ndikimi të madh politik. Rasim Doda u dënua disa javë më parë nën akuzën e korrupsionit. Ai ishte denoncuar nga sipërmarrësi Hasan Bushi, i cili tha se gjykatësi i kishte kërkuar 80 mijë euro në këmbim të një vendimi në favor të tij. Siç del nga bisedat e përgjuara mes gjykatësit, sipërmarrësit dhe avokatit të këtij të fundit, gjykatësi i kishte dhënë sipërmarrësit paraprakisht kopjen e një vendimi në favor të tij, por që më pas, sipas dokumenteve gjyqësore, ai e përmbysi, pasi sipërmarrësi nuk pagoi shumën e kërkuar.
Add new comment