Ditmir Bushati mbetet “pa punë”. Meta: “Parlamenti me një rol të ri në diplomaci. Për çështje si ajo “Çame”, duhet konsensus i përgjithshëm”
Ilir Meta ka dhënë një tjetër mesazh sot rreth marrëdhënieve greko – shqiptare të cilat janë instrumentalizuar për qëllime elektorale. Duke folur në një intervistë për “AbcNeës”, Meka ka deklaruar se raportet greko – shqiptare nuk mund të barazohen me çështjen çame, pasi ato janë shumë më komplekse dhe implikojnë interesa më të gjera sesa kaq. Ai e ka quajtur një plagë çështjen çame, por ka ecur më tej kur ka folur për “konsensus të përgjithshëm”, për një rol të ri të Parlamentit dhe për “promovimin e një axhende pozitive greko – shqiptare”.
“Unë besoj se në fillim të vitit të ardhshëm do të kemi vizitën zyrtare të homologut grek, Kryetarit të Parlamentit, z. Voutsis dhe padyshim që kjo vizitë këtu në Athinë bëhet pak me vonesë. Por ka qenë dhe një mirëkuptim i imi që kjo vizitë të ndodhej në një moment kur vetë Parlamenti dhe autoritetet kishin mundësi të përqendroheshin më shumë dhe në marrëdhëniet me Shqipërinë. Dihet që dhe problemet e brendshme kanë qenë një prioritet i politikës greke dhe vetë Parlamentit. Kështu që jemi në një moment shumë pozitiv kur parlamenti mund të marri një rol shumë më të madh se sa deri tani për të krijuar një klimë shumë më konstruktive të bashkëpunimit, por edhe të mbështetjes për të dyja qeveritë. Pasi janë disa çështje të cilat kërkojnë një konsensus, të cilat kërkojnë një mirëkuptim kombëtar, edhe në Greqi edhe në Shqipëri, dhe ky ka qenë edhe qëllimi i të gjithë takimeve. Jo vetëm me përfaqësuesit e qeverisë dhe të mazhorancës këtu, por pothuajse me të gjithë grupet parlamentare të opozitës, si Demokracia e Re, PASOK apo dhe Partinë Komuniste në mënyrë që të kërkojmë edhe angazhimin e tyre, dhe përfshirjen e tyre, për një promovim të axhendës pozitive shqiptaro-greke në interes të të dyja vendeve tona. Njëkohësisht, kemi bërë një lutje që çështjet, të cilat janë pak delikate në këto marrëdhënie të mos keqpërdoren ndaj qeverisë apo ndaj mazhorancës, sepse në rast se do të vazhdohet në këtë mënyrë qoftë në Greqi, apo qoftë në Shqipëri, ende do të kemi probleme të pazgjidhura për shkak të fushatave elektorale që nuk mbarojnë asnjëherë. Pra duhet një konsensus i përgjithshëm”, tha Meta.
Kjo është qartazi një goditje e fortë për të gjithë atë diplomaci të retorikës që ndërtoi Ditmir Bushati e pas tij Edi Rama, që u përqendruan te konflikti me Greqinë, duke kërkuar të drejta, por pa propozuar rrugë. Në çdo rast, Athina ka gjetur një dialogues në Tiranë, që po thotë se çështja çame kërkon konsensus dhe se ajo dëmtohet kur kushtëzon votën e zgjedhjeve.
Nuk ishte rastësore deklarata e sotme e deputetit Aqif Rakipi, që i cilësoi qëndrimet e Metës si antishqiptare. Rakipi është një deputet me shumë ndikim dhe ai ishte një nga aktorët kryesorë të fitores së zgjedhjeve lokale në Dibër. Dalja e tij është një mesazh elektoral për Metën që sheh këtu një përpjekje që rolin e tij si balancë t’ia minojë PDIU. Do të jetë vota ajo që do të vendosë, por në çdo rast, kryeministri shqiptar, ai që nuk ka gojë të flasë në këto momente, është e qartë se vetëm për çështjen çame nuk do t’ia dijë. Për vota, po patjetër.
Add new comment