Piramida komuniste, burgjet dhe kupola

Postuar në 29 Shtator, 2016 13:05
Virion Graçi

Në letërsinë shqipe, sikurse e kemi përmendur më parë, romani autobiografik ka traditë modeste. Nëse do të na duhej të pranonim kritere rreptësisht të përcaktuara për romanin autobiografik, në letërsinë shqipe nga të paktët romane që klasifikohet menjëherë si i tillë është “Ridënimi”, i F.Lubonjës. Kjo vepër përmbush kriteret praktikisht të rrënjosura e nënkuptuara të gjinisë së romanit: është rrëfim i gjatë në prozë, ka fabul të mirë përcaktuar, ka identifikim të plotë të autorit me rrëfimtarin dhe, për më tepër, identifikim të personazheve të veprës me njerëz të njimendtë, me po ata emra, ndodhi, karakteristika…Autori, duke pasur parasysh qëllimin kryesor të rrëfimit të tij, që është dëshmia dhe prova dokumentare e jo trillimi artistik romanor, ndien detyrimin moral të ruajë gjer në fund marrdhënie objektive me personazhet, me hapësirën e ngjarjes, me provat dhe dokumentat autentike që zbulojnë në fatin e tyre të përbashkët. Rrëfimtari ka emrin e autorit, F. Lubonja, emrat e personazheve të tjerë të librit janë emrat e tyre të vërtetë: Fadil Kokomani, Vangjel Lezho, Beqir Alia, M. Bala, etj. Prokurorët, gjykatësit, operativët, janë me emrat e tyre të vërtetë.

Autori ka nënshkruar vetëm një pakt me vetveten: vërtetësi. “Këtë histori e kam shkruar qysh prej tre-katër vjetësh. Duke menduar se libri ende kërkonte dorën e fundit, e kam shtyrë botimin e tij nga viti në vit ndërkohë që, thellë-thellë, e kam ndjerë se shkaku i vërtetë i shtytjes ka qënë ngurimi për t’u vënë personazheve emrat realë. Një shqisë morale më thosh se, disa prej emrave nuk duheshin vënë. Nga ana tjetër më dukej pa kuptim që, në një ngjarje të vëtetë të vija emra të trilluar apo ta mbushja librin me iniciale….më në fund, për hir të integritetit të librit, vendosa t’i le të gjithë emrat pa ndryshuar. Atyre bashkëvuajtëse të përmenduar, që ngjarjet e përshkruara në këtë libër i kujtojnë me brengë-dhe vetëm atyre-u kërkoj ndjesë”. Nga rrëfimet dhe dëshmitë për dënimet dhe ndëshkimet politike në Shqipërinë komuniste, ky roman dallohet për koherencë fabulore; nuk ka tepri dhe mungesa; nuk ka thyerje në rrjedhën e rrëfimit a interpretime psikologjiko-filozofike që dalin nga rrjedha e përgjithshme e ngjarjes dhe nxjerrin nga vëmendja e lexuesit protagonistët e dëshmisë së autorit: Vangjel Nezhon dhe Fadil Kokomanin, procesin e montuar kundër tyre që i çon ata në dënimin me vdekje. Ridënimi arrin të ruajë harmoninë strukturore: për secilin episod autori ka përdorur ligjërimin përkatës: dokumentin, kur jep përbërjen e gjykatës, përmbajtjen e dënimit dhe jetëshkrimet e bashkëvuajtësve; provën shkresore, kur jep rezultatin e gjykimit; shkrimin normativ-administrativ, kur përshkruan seancat e gjykimit; ligjërimin e lirë artistik, kur rrëfen gjendjen e tij të shpirtërore e mendore, në pika kritike të ekzistencës dhe sprovës për të mbijetuar. Për shembull, dokumenti i aktakuzës jepet në faqen 101, AKT-AKUZË Kundër të pandehurve: 1-…(vazhdon lista e plotë pasuar nga akuza e formuluar dhe argumentet ligjore sipas neneve të Kodit Penal); prova shkresore në f. 255; proceverbalet me pohimet e dëshmitarëve; ligjërimi normativ-administrativ në f.253; rrëfimi reportazh-memoaristik, në pjesën mbizotëruese të lëndës; rrëfimi artistik me qëllim përfshirjen e ngjarjeve në të tëra aspektet, nga zhvillimet e jashtme epike, te thyerja, pasqyrimi e përvetësimi i tyre në psikikën e secilit personazh historik. Autori e kalon rrëfimin në disa etapa të cilat përkojnë në mënyrë lineare me rendin kronologjik të ngjarjeve që kanë ndodhur: Pjesa e parë: Arrestimi. Pjesa e dytë: Hetuesia. Pjesa e tretë: Gjyqi; Pjesa e katërt: Epilogu.

Të dhënat kohore janë dhënë me rregullsi të pagabueshme; p.sh: “Ishte vera e vitit 1978, ose: “Xhelali u arrestua në fund të vjeshtës 1978”. “Ndërkaq seanca u mbyll dhe u vendos të çelej të nesërmen në datën 17.05.1979, ora 9.” Saktësia për kohën shpesh përfshin edhe minutat, tregon për veprime rutinë, ngjarje jo të “mëdha” gjatë ditës së të burgosurve. Të dhënat për hapësirën e veprimit janë dhënë me saktësi dhe hollësi të mjaftueshme për të krijuar vizualisht pamje të plotë të vendit përkatës. Madje, nga errësira e autoburgut, kujdesi i protagonistit-rrëfimtar është që të mos humbasë asnjë mundësi të mësojë ku ndodhen, si quhet vendi, cilat janë shenjat e tij tipike; i ruan në kujtesë me vendosmëri, i riprodhon në vepër me ekonomi të admirushme të shprehjes, lakonizëm dhe efikasitet. Rëndom, skenat e veprimit janë qelitë e burgut, hetuesia, burgu i Tiranës, kampi i punës, salla e gjykatës. Ka përsëritje veprimesh nëpër të njëjtat vende, por nuk ka përsëritje të panevojshme të asaj që quhet e ditur prej episodeve të mëparshme. Vështirësia që has kjo tipologji shkrimi, aq e dëshmuar nga ana sasiore në letërsië shqipe të njëzetë viteve të fundit, kur autori ka qenë në epiqendër të shtypjes shtetërore dhe të flijimit njerëzor, është pozita patetike, shkarja në sentimentalizëm, rënia në moralizme të cekëta ose në përsiatje pseudofilozofike.

F. Lubonja nuk bie në këto nivele mediokre të dëshmisë personale; e shikon ftohtë historinë e tij e të miqve të tij, me objektivitet e paanësi. Vlerë parësore është autenticiteti i mendimeve dhe mbresave prej kohës së shkuar dhe ringjallja e tyre në kohën e tashme të një epoke tjetër, ashtu si ishin në atë kohë; pra, i tregon ngjarjet dhe i bën komentet për to, ashtu si i ka përjetauar e vlerësuar atëherë; e tashme për Lubonjën nuk është optika e gjykimit të së kaluarës, as pozicionimi etiko-moral ndaj personave të caktuar dhe sistemit politik monist, por, e sotme është puna e tij prej shkrimtari që përpiqet t’i tejkalojë tundimet për t’i ekzagjeruar përmasat e tij si njeri, si i dënuar politik dhe intelektual. Autolavdërimi, tundimi për të lënë në përjetësi një shenjë të fortë vetjake, mbitheksimi i un-it, diferencimi i sforcuar i autorit në marrdhëniet me të tjerët, aq të zakonshme e të pritshme në libra të këtij lloji, nuk ndihen aspak të pranishme te Ridënimi i Lubonjës. “Ridënimi” dallohet për gjuhë të thjeshtë, autori rrëfen në vetën e parë, në pozicionin e protagonistit historik dhe të dëshmitarit të drejtëpërdrejtë. Sikurse pohon, autori ka hezituar gjatë për ta shkruar e publikuar këtë libër, jo si sfidë e pakapërcyeshme në rrafshin e shprehjes artistike, por për shkak të përgjegjësisë, të nderimit për bashkëvuajtësit; ka dashur vetëm të dëshmojë për ata që nuk e mbritën ditën e lirisë; ngulmon të jetë sa më i vërtetë, ta sjellë të shkuarën pa trillime, pa shtesa, artifice a reticensa. Rolin e tij si kronist i përpiktë dhe raportues, si besnik i fakteve dhe jo i manierave shkrimore, për atë që ka ndodhur në hetuesitë, burgjet dhe kampet e punës, e tejkalon në disa raste duke ripordhuar me forcën e një artisti të fuqishëm momente vërtetë tragjike. Kur u lexohet vendimi për t’u ridënuar, kur tre nga shokët e tij dënohen me vdekje dhe ata shihen për herë të fundit me njëri-tjetrin, Lubonja bën këtë përshkrim të arrirë, duke pajtuar bukurinë e shprehjes me esencën e zbulimit: “Ndërkaq policia po afrohej të më merrte. Vangjeli e ktheu përsëri vështrimin nga unë. Ishim shumë afër njëri tjetrit dhe krejt ballëpërballë. M”i kalli edhe një herë sytë në ninëz të syrit. Kësaj here ngulimi i shikimit të tij në sytë e mij m’u duk se donte të më transmetonte jo vetëm tmerrin dhe frikën e vdekjes, as vetëm habinë dhe dhimbjen që ndiente. M’u duk diçka më shumë. Sikur nëpërmjet atij shikimi nxitonte të më transmetonte amanetin për vajzën dhe gruan, amanetin se mos i Autobiografizmi dhe romani harronim në ditën e lirisë për të cilën kishim biseduar aq shumë dhe jo vetëm kaq. M’u duk sikur nëpërmjet portave të syve ai donte të derdhte vetë jetën e tij brenda meje.”

Disa dhjetra episode dhe dëshmi historike të F. Lubonjës përcillen te lexuesi me asnjëanësi dhe objektivitet emocionues; dhjetra histori dhe mbresa riprodhohen me saktësi laboratorike, por, fundi i Ridënimit, si dalje e mundimshme nga drita e fakteve dhe turrje e etur në tunelin e pafundëm të shpirtit e të shortit njerëzor, kurorëzon artistikisht përvojën e një individi si pjesë e kujtesës kolektive, si përvojë universale, si short i mundshëm mbarënjerëzor. Rikujtimi i tre shokëve të ridënuar e të pushkatuar kohë më parë, fund i hijshëm për çdo kryevepër letrare: “Pastaj më shfaqeshin sytë e Xhelalit, Fadilit dhe Vangjelit, ai vështrim i tyre më shumë i hutuar e i çmeritur sesa i tmerruar. Nuk donin ta besonin atë që po ndodhte. Dhe prapë fytyra e Fadilit të vdekur. Përpiqesha të çlirohesha nga mbresa e parë që më ksh ngjallur ajo pamje dhe të përjetoja ndjenjën e keqardhjes, por nuk arrija. Një marramendje që s’po mundja ta frenoja filloi të m’i pështjellonte skenat që kisha përjetuar ato muaj pa më lenë më të ndalesha në asnjërën prej tyre. Rashë të flija me shpresën se, kur të zgjohesha, do t’i shihja më kthjellët të gjitha ato që kishin ngjarë…dhe në ëndërr i pashë të tre të gjall, mbështjellë me kapotat e murrme të burgut, duke ecejakur me të shpejtë, për të ngrohur këmbët, tek sheshi përpara berberhanës së Spaçit. Bashkim Shehu, me përvojë më të madhe letrare e formim më profesonal filologjik, krahasuar me F.Lubonjën, nga e njëjta shtresë shoqërore, me fat të përbashkët me të si i dënuar politik, jep te “Vjeshta e ankthit” një nga dëshmitë autentike, të pakundërshtueshme të luftës për pushtet dhe të intrigave policeske në gjirin e udhëheqjes së lartë komuniste të Tiranës. Po t’i 142 Virion Graci mendojmë si dëshmi të vendosura pranë njëra tjetrës, me të drejtë mund t’i përfytyronim në këtë mënyrë: atje ku mbaron “Vjeshta e ankthit”, e B. Shehut, aty fillon “Ridënimi” i Lubonjës. Pra, Vjeshta jep periudhën kur një nga familjet e fuqishme të Bllokut, nga shkëlqimi dhe pushteti absolut, futet në ingranazhet e një komploti të stërholluar policor dhe përfundon e klasifikuar në grupin e armiqve të rregjimit; “Ridënimi” nuk i tregon këto etapa të ngjashme që ka kaluar familja Lubonja, por vazhdon me fazën tjetër: burgosjen, hetimet, dënimet dhe ridënimet me gjyqe të montuara. B. Shehu përdor me sukses retrospektivën, për të hyrë në historinë e familjes; retrospektiva ka si pikënisje një ëndërr të tij: eshtrat e zhdukura të babait i kish parë të trazoheshin. Një fillesë baladash të moçme shqiptare, sikurse shprehet vetë autori, zgjon në ndërgjegjen e tij, më fortë se çdo herë tjetër, dëshirën për të zbuluar sekretet që kanë shoqëruar vetëvrasjen e babait të tij, kryeministrit M. Shehu. Krimi i kryer ndaj kryeministrit do të kërkonte në kushte të zakonshme dosier, roman anketë ose rrëfim sipas llojit të romanit policor. Asnjë nga këto mënyra rrëfimi nuk i duket e përshtatshme autorit: ai rikujton duke rimenduar seriozisht, shkruan duke dialoguar ose duke sprovuar, sipas rastit me kujtimet që ka dhe me hipotezat e hedhura.

Megjithëse pjesë e dramës së 17 dhjetorit 1981 dhe ndër protagonistët e ngjarjeve që shoqëruan vetvrasjen e kryeministrit, B. Shehu nuk vihet në rolin e rrëfimtarit të ditur, aq më pak në rolin e dëshmitarit të pakundërshtueshëm; ai hedh në qarkullim publik, nëpërmjet një rrëfimi tërheqës, bilancin e tij mendor e ndjesor, për ato që kanë ndodhur në shtëpinë e tij, para, gjatë dhe pas natës fatale të krimit. Është i vetëdijshëm se po shkruan një “libër të hapur”; jo në kuptimin që i jep Umberto Eco “veprës së hapur”, por vepër e hapur për t’u plotësuar me prova, dëshmi dhe zbulime të reja pohuese a kundërthënëse, prej tij ose prej personave të tjerë, rrethanave të ndryshme, të jashtme. P.sh: gjatë shkrimit të librit autori kish bindjen se eshtrat e M.Shehut Autobiografizmi dhe romani ishin djegur, ndërsa, disa vjet më vonë, ai arrin t’i gjejë ato dhe ta rivarrosë të atin; duke pritur përgatitjen në shtyp të librit, B. Shehu, gjen eshtrat e të ëmës në një fshat të Lezhës, ndërkohë që librin e kishte përfunduar me bindjen se as ato nuk do të gjendeshin kurrë. E jo vetëm kaq: libri është i hapur pasi autori provokon te lexuesi meditim të gjithanshëm për diktaturën: nuk i intereson krimi si aksion, si veprim fizik, si ndërprerje e dhunshme e jetës të një njeriu, qoftë ky dhe babai i tij, por kërkon të zbulojë anën metafizike të krimit shtetëror, ligjësitë e fshehta të tij, mekanizmat e pamëshirshëm propagandistikë e policorë, përfshirë këtu thashethemet, shpifjet e qëllimshme, përgjimet; në fund të fundit, B. Shehu, sikurse e ka pohuar në mënyrë të përsëritur, mëton të bëjë portretin e padukshëm të sistemit diktatorial, anën mbrapa fasadës, kërkon të tregojë me sinqeritet nga një pikë e rrallë shikimi, pjesën e nëndheshme të tij.

Mund të thuhet se nga ky aspekt, vepra ia ka arritur qëllimit; Vjeshta bën anatominë e pjesës së padukshme të kupolës komuniste, me rrëfim të natyrshëm, tërheqës, me fakte dhe analiza bindëse, me prova konkrete dhe vëzhgime psikologjike, por pa kursyer as dozat e ironisë e të autoironisë, kur vë në pah “magjepsjen” e viktimës prej vrasësit, nënshtrimin e burrave kryesorë të shtetit ndaj makinerisë vrasëse që ata vetë e kishin vënë bashkarisht në lëvizje, për përdorim të përditshëm. Ironia e B. Shehut përfshin ndëgjegjen e tij dhe të bashkëkohësve si ftesë për pastrim moral, mundësi për lartësim njerëzor, detoksifikim nga ideologjitë atihumane; vetëm kështu mund t’i komentojmë radhët e fundit në librin e tij: “Duke kërkuar varrin e humbur të babait tim, Mehmet Shehut, kam mundur të dëgjoj rrëfime nga më të çuditshmit për trajtimin e kufomave të atyre që dënoheshin si armiq të pushtetit…(shkurt.im-V.G). Një lektisje e ethshme e këtij pushteti pas varreve dhe kufomave, që zë fill njëherësh me fillimet e tij, me hedhjen në erë të varrit të nënës së ish-mbretit nga partizanët e brigadave pjesëmarrëse në betejën e Tiranës, nën komandën e Mehmet Shehut dhe që vazhdoi me dhjetëra vjet si bashkëudhëtare e këtij pushteti”173. Edhe më parë, jo pa ironi trishtuese B. Shehu shkruan se “ka mundësi që zhdukja e eshtrave të tim eti të jetë bërë në bazë të urdhërit që ai vetë ka nxjerrë kur ishte në fuqi”.

Esse, është quajtur “Vjeshta e ankthit”, në botimin e parë nga “ALBINFORM”, 1994, ndërsa në botimin në frëngjisht është paraqitur si roman. Secili prej emërtimeve qëndron; për klasifikime si roman historik, ose sagë familjare, ka gjithashtu mjaft argumenta. Por, në secilin lloj të klasifikohet “Vjeshta” e B. Shehut, ai mbetet së pari rrëfim autobiografik. Rrëfimi i tij ka anuar nga reportazhi objektiv, nga dëshmia me vlerë historike, duke kaluar në plan të dytë për ta minimizuar raportin vetjak, disponimin e natyrshëm shpirtëror e emocional me ngjarjen dhe personazhet e saj. I ndodhur midis fatit tragjik të njerëzve më të dashur të tij, nga njëra anë, dhe fatmirësisë dhe suksesit të armiqëve të familjes, nga ana tjetër, B. Sheu te “Vjeshta e ankthit” ruan të pathyer paktin me të vërtetën; ngjashëm me F. Lubonjën te “Ridënimi”, ai e privon personin e tij dhe familjen nga lavdërimet, lartësimet, nga theksimet pozitive; përkundrazi, i lë vend qortimit, ironisë, autokritikës, dukuri këto atipike për shkrimet autobiografike. Racionaliteti në përshkrim dhe distanca objektive që mbahet me elementët e historisë, krijojnë përshtypjen se autori është personel shërbimi ose vizitor i rastit në shtëpinë e tij, jo biri që përjeton thellë vrasjen e babait të dashur dhe kërkon të dijë pse dhe si ndodhi tragjedia, nga prologu deri në epilog, në secilin akt. Lineariteti i rrëfimit të lirë kronikal, duke ndjekur rendin e ndodhive të përzgjedhura, jo renditjen e pandërprerë kalendarike të ditë-netëve, pasurohet nga degëzime të ndryshme, p.sh. të natyrës intime: vizita në varrin e gjyshes në shoqërinë dhe komentet astrologjike, parathënëse të Petro Zhejit; nga episode prej së pavetëdijshmes: ëndrra e Marjetës natën e vetvrasjes së kryeministrit, komentet dhe parandjenjat e Vladimirit, Fiqretit, Bashkimit, etj.

Në vepra të tjera autobiografike të B. Shehut, si: “Edipi mbret, Edipi i gënjyer”, “Rrëfim buzë një varri të zbrazët”, (të botuara vetëm në frëngjisht), “Udhëkryqi dhe humnerat”, i lihet më shumë rol trillimit artistik; autori ka nisur të ushtrojë më lirshëm pasionin e tij krijues, i bindur se figura artistike të ndihmon më mirë të kuptosh, ta zbërthesh e ta zotërosh realitetin, kaosin e përditshëm. Imagjinarja dhe fantastikja përziejnë kufinjtë në këto vepra interesante, ndërsa “Vjeshta” është më e kursyer. Duke qenë pohimi i parë publik nga familja Shehu, lidhur me atë që ka ndodhur në shtëpinë e tyre në 17 dhjetor, 1981, tonet e tij janë të matura, autori ka anuar më tepër nga përpilimi i një dosjeje të saktë, brenda mundësive të tij, sesa nga letrarizimi i ngjarjes dhe konvertimi i personazheve historikë në tipa letrarë.

I vetmi rast kur B.Shehu i lë pak rrugë imagjinatës, është kur jep anën tjetër të barrikadës, antipodin e viktimës, diktatorin: e rrëfen si ai po sodit me epsh infermeren topolake, si luan me Vladimirin rolin e ëngjëllit mbrojtës, si manipulon marionetat e tij, anëtarë të Byrosë. Me efikasitet jepet gjendja e familjes Shehu, me disa detaje të gjetura; të ndërgjegjësuar se kishin marrë rrugën e asgjësimit të plotë, sikurse kish ndodhur me mjaft të tjerë që nuk ishin më të pëlqyer për udhëheqësin, ata, megjithatë, ia krijojnë vetes një utopi, një autosugjestion:-është vetëm puna e fejesës, asgjë tjetër nuk kemi, apo jo Mehmet?!, –thotë Fiqireti, e dijshme për të kundërtën, që katastrofa ishte afër tyre dhe fejesa qe një shkak për të vënë në lëvizje makinerinë shkatërruese. –Po, vetëm fejesa ishte problem, ajo u zgjidh tani, nuk kemi më përse të shqetësohemi,-vazhdon Mehmeti,-tregon i biri, B. Shehu, pjesëmarrës në bisedën e tyre. Është nga pikat kulmore të veprës, ku forca realiste e detajit, ndriçon jo vetëm nënshtrimin e një kryeministri-viktimë, por shpjegon vetëgënjimin e shoqërisë shqiptare, nënshtrimin hipokrit kolektiv kundrejt një realiteti që nuk ishte aspak pranveror, parajsor, sikurse prezantohej nga pushteti dhe pranohej me përunjësi nga masat. “Ridënimi” dhe “Vjeshta”, secila në rrugë origjinale e të pavarur, japin për shoqërinë shqiptare dy dëshmi të shkëlqyera historike; ndërkohë, në fondin e letërsisë zënë vend të dalluar si vepra ku arti rrëfimtar bashkëjeton me dëshminë historike, ndërsa fati individual e familjar, pa u deformunar, kthehet në eksperiencë universale. Secili nga autorët ka arritur të zbulojë ligjësitë që veprojnë në sisteme totalitare-policore.

"Shqip"

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.