Lufta në Siri çon në krizë të thellë raportet mes Rusisë dhe Perëndimit. Akuza për krime lufte dhe barbarizëm
Kriza siriane ka tensionuar marrëdhnëiet mes Perëndimit dhe Rusisë drejt një pike të re. Këshilli i Sigurimit i OKB-së është mbledhur me kërkeë të ShBA-së, Britanisë së Madhe dhe Francës për të diskutuar mbi nisjen e luftimeve në qytetin e Halepit pas sulmeve ajrore të datës 17 shtator. ShBA deklaroi se sulmi në Dayr al-Zawr që shkaktoi vdekjen e 50 ushtarëve sirianë dhe plagosjen e 100 të tjerëve ishte keqllogaritje. Por Damasku zyrtar që deklaroi fundin e armëpushimit më 19 shtator e konsideron sulmin si të qëllimshëm duke shtuar se në ditët e armëpushimit Kerry – Lavrov nga grupet militante u kryen 300 akte dhune.
Në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë, Rusia u akuzua nga Britania dhe ShBA për akte barbarizmi dhe krime lufte pasi mendohet se Moska ka përdorur bomba anti bunker në objekte civile, municione me djegie si dhe ka bombarduar ujësjellësa. Akuza të ngjashme bëri edhe ambasadori rus, Churkin, sipas të cilit grupet militante janë armatosur shumë mirë “ose për shkak të neglizhencës, ose për shkak se disa shtete do të bashkëpuonin me gjithkënd që është kundër Damaskut zyrtar”. Vetë Churkin deklaroi se në kushtet e tanishme dhe në pikën kur me qindra grupe militante bombardojnë në Siri sipas dëshirës, paqja është thuajse e pamundur.
Ambasadori francez François Delattre deklaroi se kjo javë do të hyjë në histori si koha kur diplomacia dështoi dhe barbarizmi triumfoi. Kolegia e tij amerikane, Samantha Power ka kërkuar ndëshkim për bombardimin e konvoit të OKB-së që do të çonte ndihma në Halep, një qytet të cilin Delattre e cilësoi si Sarajeva e Bosnjes, apo Guernica për spanjollët.
Përtej fjalëve dhe akuzave duke se asgjë nuk lëviz përveç numrit të viktimave dhe shtyrjes së Sirisë në buzë të shkatërrimit final.
Add new comment