Tahiri, Beqaj, Gjiknuri, Çela, njerëzit më të fuqishëm të qeverisë. Dhe një fjalim antikanabis i ministrit të Brendshëm…

Postuar në 15 Shtator, 2016 16:11

Ka një fakt të njohur për këtë qeveri. Pas Edi Ramës, ministrat apo zyrtarët më të fuqishëm të saj janë:

Ministri i Brendshëm Sajmir Tahiri, ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, ministri i Energjetikës, Damian Gjiknuri dhe kreu i OSHEE-së, Ardian Çela.

Pseja e kësaj fuqie siç mund të merret me mend nuk qëndron te “mendaj politike” e këtyre Bletëve Punëtore. Por ndoshta atë mund ta kërkojmë herë pas here tek akuzat e medias, të opozitës, apo edhe te prishja e ngjyrës së fytyrës së Ilir Metës. Kuptohet pas të gjithave qëndron konvertimi në 6 zero…

Sot ministri i Brendshëm, Tahiri, ka folur në Parlament, duke na dhënë një shembull tjetër sesi në perceptimin tonë konkurojnë dy botë: ajo e Shqipërisë që preket nga ikjet masive, varfëria dhe droga. Dhe një botë tjetër që po fiton, e cila sheh te këto problem afirmimin e vet politik të cilin e imponon me absurdin e disa sukseseve që me gjasë i përjeton vetëm një grup njerëzish, mes të cilëve edhe emrat më sipër.

Po sjellim një pasazh nga fjala e ministrit të Brendshëm, pse ajo përfaqëson një provë se marrëdhënia politike është deformuar aq shumë saqë merr vlerë vetëm po qe se je solidar i të vërtetave zyrtare, por edhe sepse argumentet e saj i ka përsëritur edhe kryeministri. Që na provon se uniteti nuk lëviz në këtë qeveri, e cila po ripaketon veten si Rilindja e Shqipërisë. Mundet edhe që të fitojë sërish 1 milionë vota. Çudia ka kohë që ka braktisur shqisat tona. Sa për Tahirin dhe hashashin, mundet të thuhet që marrëdhënia mes të dyve nuk cenohet aspak nga tymi dehës që po mbulon vendin:

“…Debati i luftës sonë me kultivimin e kanabisit nuk mund të jetë kurrë një luftë politike mes nesh. Duhet të jetë momenti kur bashkohemi për të luftuar këtë fenomen për të cilin çuditërisht, deri më sot, askush nuk ka folur.

Nuk kanë qenë të pakta zërat se kanabisi gjasme edhe duhej të legalizohej – e këtu s’ka folur njeri. I keni shkelur syrin çdo lloj njeriu në çdo lloj fshati, për të mbledhur vota “Hë mo mbille, s’ka problem!”.  Nuk janë të paktë ata këtu në këtë sallë kur jo më larg se 3 vite më parë ky vend ishte plot me Kanabis. Jo më larg se 3 vite më parë Guardia di Finanza i ka dorëzuar ish-Kryeministrit një raport zyrtar ku me fotografi dhe koordinata praktikisht deklarohej se ishin mbi 300 hektarë të mbjellë me Hashash. Dhe Policia në atë kohë – kur Kryeministër ishte zotëria (Sali Berisha), kur Ministër i Brendshëm ishte zotëria (Flamur Noka) dhe këta deputetë ishin pjesë e mazhorancës – shkatërronte vetëm 7%. Shtatë përqind!

Vjet shifrat zyrtare të Guardia di Finanza deklaruan se është 8 herë më pak sipërfaqja e mbjellë dhe është shkatërruar 99.6%. Tani kush është “karteli i drogës” në këtë sallë? Ne që sot shkatërrojmë 99.6% apo këta që shkatërronin 7%. Kush e mbronte dhe kush e mbron? Ne që e shkatërrojmë apo këta që e linin.

Ne sigurisht kemi një problem si vend që nuk ka lidhje me klasën politike. Kemi një problem me çështjen e kultivimit. Është një problem që shkon përtej Policisë.

Unë besoj që ky është një problem që duhet adresuar, në nivelin më të lartë politik, më së pari në Parlament.

Ky është një problem që nuk zgjidhet vetëm nga Policia. Policia sot rrezikon të shpenzojë të gjithë buxhetin e saj brenda shtatorit vetëm për shkak të aksioneve antikanabis në çdo cep të Shqipërisë.

Është një problem që duhet përballur. Ne vetëm sot po zbulojmë përmasat reale të këtij fenomeni.

Ju nuk mund të vini në dyshim angazhimin tonë, se në qoftë se do ishim kaq rehat me kultivimin e kanabisit aty e linim Lazaratin. Vazhdonim punën  që la “ai”, përgjysmë. As përgjysmë xhanëm, ai e përfundoi në perfeksionin e vet dhe e ktheu Lazaratin në kompaninë më të madhe fermere në Shqipëri me mbi 300 hektarë kanabis.

Ne nuk e lamë. Ne i hymë një sfide që kurrkush më parë nuk i hyri”.

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.