Teatri Kombëtar do të shembet, a do të bëhen kulla?
Nuk kishte ndodhur ndonjëherë që niste “fshesa” që një ditë më parë për të pastruar krejt zonën, rrugën, sheshin, vendin…banorët e zonës së Tiranës së Re, aty ku po bëhen punimet për “Turbinën”, teatrin e ri, janë habitur nga fluksi i punonjësve të pastrimit të Bashkisë, nga gjithë ai aksion për të sistemuar brenda natës vendin…Por të nesërmen në mesditë gjithçka ka qenë e kuptueshme: Në orën 12:00 kryeministri Edi Rama ka zbritur nga makina qeveritare për të prezantuar vetë, drejtpërdrejt një projekt jo ndoshta shumë të rëndësishëm, por në një kontekst politik për të kuptuar se ka interesa të posaçme për Teatrin. Një grup aktorësh, disa edhe me vonesë, kanë zënë radhët e stolave të kuq, vendosur për këtë “ngjarje” të Rilindjes. Kjo ka qenë dita e dëgjesës publike në prezantimin e dy projekteve të konsideruara të rëndësishme: Projektin e rikonstruksionit të Teatrit të Operës dhe Baletit, dhe projektin e ndryshimit të destinacionit të ish-laboratorit të Hidroteknikës për ta kthyer në qendër multifunksionale teatrale.
Në fjalën e tij, kryeministri Rama tha se “me ndërtimin e Qendrës Teatrale Multifunksionale dhe rikonstruksionin e Teatrit të Operës dhe Baletit çelim një kapitull të ri për institucionet e kulturës”.
Në fakt fjala e Ramës ishte për një ndryshim koncepti për institucionet e kulturës, të cilat shumë prej tyre gjenden në një situatë alarmante të ekzistencës fizike. Por rasti i “Turbinës” pothuaj në një zonë shumë larg qendrës së Tiranës ende nuk besohet se do të jetë funksionale, së paku sa i takon publikut. Por megjithatë gjatë ceremonisë së prezantimit të projektit kryeministri tha se “besoj se sot është një ditë e shënuar për të kremtuar këtë aktivitet që synon të promovojë pikërisht rindërtimin e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit dhe ndërtimin e një skene tërësisht të re për njerëzit e teatrit, një hapësirë që për çerek shekulli ishte e braktisur dhe e mbushur me mbeturina të kohës së shkuar, që shërbente dikur si laborator hidroteknik dhe sot ka nisur të transformohet në skenën e re të kryeqytetit shqiptar”.
“Qendra Teatrale Multifunksionale do të ketë dy salla teatri. Ajo nuk do të zëvendësojë Teatrin Kombëtar, por do të jetë një alternativë dhe do të ketë standarde që nuk i kanë patur ndonjëherë aktorët dhe artistët”, nënvizoi Rama.
Duke folur për rikonstruksionin e TKOB, kryeministri Rama u shpreh se do të ketë një rindërtim të plotë të TKOB, pasi dyshemeja e skenës rrezikon të shembet, ashtu si prapaskena që është vendgrumbullimi i mbeturinave të vjetra, sistemi elektrik, sistemi i ngrohjes dhe i ftohjes nuk mbahet mend kur kanë funksionuar për herë të fundit.
Projekti i TKOB në fakt pritej të niste zbatimin qysh në janar të këtij viti, por zvarritja e tij siç e kanë dëshmuar zhvillimet e fundit, nuk përmbushte si duket edhe vullnetin e artistëve. Për këtë u fol se u largua ish drejtori Ilir Kerni, dhe riardhja e Zana Çelës si duket i hapi rrugë projektit të dikurshëm. E kapërcyer tashmë kjo situatë, Rama është ndalur në problemet që bëjnë detaje të Teatrit të Operës, duke thënë se pavarësisht rregullimit të pjesshëm, asnjëherë nuk është adresuar siç duhet problemi i akustikës, që pritet si duket ta zgjidhë projekti i ri. Qendër kulturore e quajtur “Turbina” do të ketë rreth 650 vende dhe sipas ekspertëve, për ndërtimin e saj janë dhënë rreth 7,6 milionë lekë të rinj nga buxheti i shtetit për hartimin e projektit ku do të strehohet përkohësisht edhe Teatri Kombëtar.
Ajo u ndërtua pas rëndimit të infrastrukturës së Teatrit Kombëtar, por edhe me rritjen e kërkesave për ambiente të reja në dispozicion të artit. Me vendim të Këshillit të Ministrave, disa ambiente në varësi të Ministrisë së Energjetikës i kaluan në varësi Ministrisë së Kulturës, ku Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka shpallur tenderin për hartimin e projektit për rikonstruksionin dhe ndryshim destinacioni të ish-laboratorit hidraulik në qendër arti – “Skena e re”.
Aktualisht hapësira që do t’i nënshtrohet shndërrimit është një kapanon i gjatë, në ambientet e të cilit zhvilloheshin eksperimente hidrike. Prej vitesh ato ambiente janë të papërdorshme..
Por, shumë prej aktorëve janë shprehur se është një rast entuziast që ndërtohen teatro në kryeqytet si kjo e “Turbinës”, por në esencë gjithë shqetësimet janë lidhur me Teatrin Kombëtar. Për këtë Rama është shprehur se me transferimin e trupës së Teatrit Kombëtar në zonën e Tiranës së Re, do të nisë projekti për rindërtimin e Teatrit Kombëtar. Duke e cilësuar një vend kyç, Rama tha se “është mirë që të mbetet aty, por sigurisht duke u zhveshur nga paragjykimet e kohës me një bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës besoj se edhe ëndrra për të patur një TK të rindërtuar me të gjithë parametrat do të bëhet realitet”. Kështu u deklarua se ndërtesa e Teatrit Kombëtar nuk do t’i nënshtrohet restaurimit, por do të shembet i gjithë. Ndërsa u dha lajmi për ndërtimin e një teatri modern kombëtar në vend të të vjetrit e konfirmuar nga kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro përmes deklaratës së tyre në ditën e djeshme.
“Rindërtimi i teatrit do të bëhet me standarde evropiane. Teatri do pajiset me të gjitha instrumentet. U pengua rindërtimi i tij, por ne do bashkëpunojmë me Bashkinë e Tiranës dhe faktorë të tjerë për të pasur një teatër me standarde bashkëkohore. Ka njerëz që me dashje ose jo e harrojnë vlerën që kanë këto investime, por aty ku nuk ka teatër, muze, stadium e jetë kulturore e sociale nuk ka as bukë. Është koha për të rindërtuar edhe Teatrin Kombëtar, që është në një vend kyç, është mirë që të mbetet aty, por duke u zhveshur nga paragjykimet e të shkuarës, që e penguan ndërtimin e tij me kohë e me vak. Ëndrra për të pasur më në fund një teatër me të gjitha parametrat me standarde bashkëkohore do të bëhet realitet” tha Rama.
Ndërsa ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, u shpreh se “arkitektët kanë punuar dhe janë këshilluar me artistët në TKOB, sepse ju e dini ku pikon çatia e profesionit dhe sot arkitektët janë këtu për të prezantuar këto punë të paqme që qeveria ka vendosur të kryejë, sikurse po investon e po ndërton Teatrin e Korçës dhe po restauron dhe Teatrin Migjeni në Shkodër.”
“Një gjë është e sigurt, tjetërkush i shkatërroi teatrot dhe i përdori artistët, tjetërkush e la artin e kulturën në rënie të lirë. Në këto tri vite ne po përpiqemi të rikrijojmë, janë tri projekte teatrore të nisura në një vit”, tha Kumbaro.
Pas përgjigjes personale, Kumbaro, një deklarim tjetër ndaj Robert Ndrenikës
Në festivalin e Teatrit Ballkanik, Robert Ndrenika i ulur në një tryezë me ministren e Kulturës dhe kryebashkiakun e Tiranës, ndër të tjera pati deklaruar: “Nëse ndodh që godina e teatrit shembet, unë nuk do të tretem në gropë, por do të shtrihem atje”. Fjala e Ndrenikës si duket i ka ndalur “frymën” dy drejtuesve politikë, edhe pse janë munduar t’i shpjegojnë se si do të veprohet me Teatrin Kombëtar. Por biseda në tavolinë me Ndrenikën si duket nuk i ka mjaftuar Kumbaros. Në ditën e djeshme ministrja Kumbaro, pasi fjala e Ndrenikës ka zënë editorinë e kulturës pothuaj në të gjitha mediat online, marrë nga publikimi i gazetës “Mapo”, ka reaguar. Është një deklaratë jo aq normale, pasi Ndrenika e pati konsumuar një ditë më parë përgjigjen e Kumbaros në tavolinën e tyre personale. Por si duket i është dashur të reflektojë më tej politikisht për të kuptuar deklaratën vetësakrifikuese të Ndrenikës. Është treguar arrogante Kumbaro karshi një aktori si Ndrenika, për të cilin duhet kujdesje për gjendjen e tij shëndetësore, kur thotë se e kishte ftuar në ditën e djeshme për prezantimin e teatrit, dhe se aktori nuk paska ardhur. Edhe sikur Ndrenika ta kishte refuzuar ftesën e Kumbaros, kjo e fundit duhej të kuptonte se niveli i një artisti nuk mund të zbresë në evente të tilla jo aq honorifike, thjesht për t’ju rreshtuar politikës. Emocioni i Ndrenikës lidhej me “kullat” e përfolura në Teatër, që politikisht duhej një përgjigje prej kohësh, se çfarë do të bëhej me Teatrin, aty ku është sot. Për mediat, dje Kumbaro është shprehur: “Përfitoj nga rasti t’i them edhe një herë aktorit të madh Robert Ndrenikës, të cilin e ftova të vinte dhe sot, por koha nuk ishte e përshtatshme. Tek darkonim bashkë dy net më parë në Festivalin e Teatrit Ballkanik me miq, i shpjegova projektet e reja të teatrove. Dua t’ia them sërish: S’ka nevojë të shtrihesh te dera e teatrit për të mbrojtur tokën, sepse do i duhet të ngjitet në skenën e teatrit të ri, të të gjithë teatrove të rinj që do të ndërtojmë për të luajtur rolet e mrekullueshëm që ai ka”. Më tepër se sa mendimi “për t’u shtrirë” në vetësakrifikim, Ndrenika në bisedën personale më ministren është shprehur më tej për një teatër dinjitoz të shtetit shqiptar, ashtu siç e kanë edhe vendet fqinjë. Dhe se kjo është një ëndërr për ta, që ka kaluar pritshmërinë e zakonshme nga politika.
Neritan Liçaj: Po bëhet teatri si Fierza
“Jemi skeptikë pasi nuk e garanton se sa kohë do të duhet për të ndërtuar Teatrin, këtu ngelin rrugët pa u rregulluar me vite, me vite pa u bërë. Po kush e garanton, që nuk ndryshojnë projektin…ata mbarojnë mandatin, dhe nuk japin përgjigje.. Unë kam të drejtë të paragjykoj këtë gjë: përderisa nuk kam një projekt konkret, kjo s’më bind. Unë nuk kam asnjë garanci se ai do të vijë më mbrapa do ta bëjë. Këtu prioriteti i politikës nuk është kultura. Kemi frikë se Rama do realizojë planin e vjetër, të ndërtojë pallate dhe brenda tyre teatrin. Te politikanët shqiptarë nuk ka vend asnjëherë për besim. Unë jam skeptik. Nuk kam faj, sepse kështu na kanë bërë të jemi skeptikë. Nuk na përfshijnë. As për këtë godinë nuk mora vesh se çfarë kanë bërë. Shumë mirë kanë bërë për Operën, të detajuar. Po na bëhet Teatri si Fierza. Unë kam frikë se Turbina aty do të mbetet tërë jetën. Askush nuk reagon. Po rritet një brez që nuk iu dhemb teatri. Mua më dhemb sepse kam 20 vjet aty. Një qeveri ta bën një teatër për një vit. Maqedonia, me probleme nga më të ndryshmet ka një teatër njëlloj si Vjena. Po të dojë kryeministri për një vit e bën Teatrin”.
Aktorët skeptikë, pse nuk besojnë për Teatrin Kombëtar
Prezantimi i djeshëm i “Turbinës” si qendër multifunksionale, por që do të shërbejë edhe si Teatër, ku do të zhvendoset trupa e Teatrit Kombëtar nuk është pritur me aq entuziazëm prej aktorëve. Arsyeja nuk është vetëm distance e largët nga qendra e kryeqytetit, dhe vendosja e Teatrit shtetëror pothuaj në një rrëze, mes dy pallateve diku afër Liqenit. Por dyshimi më i madh i tyre lidhet me “premtimet” e qeverisë, kreut të saj Edi Ramës, dhe fjalëve sipas tyre aspak besuese që thotë ministrja e Kulturës, Kumbaro.
Disa e lidhin me synimet e projektit të vjetër, kur Rama ishte kryetar bashkie dhe donte t’i zhvendoste të dy teatrot prej qendrës, duke shkaktuar zemërimin masiv të aktorëve. Këtë herë ky “zemërim” është zbutur por ka mbetur dyshimi. Edhe pse, dje Rama ka bërë deklarimin e parë publik se Teatri Kombëtar, godina ku është sot do të shembet, dhe do të rindërtohet teatër i ri, pra nuk bëhet fjalë për rikonstruksion, sërish aktorët janë shprehur plot dyshime. Arsyeja e skepticizmit të tyre lidhet me “rindërtimin” e Teatrit Kombëtar, me tokën e tij, që ka qenë pronë e blerë nga italianët.
Ende pa propozuar një projekt konkret se si do të ndërtohet Teatri Kombëtar, cili do të jetë projekti, aktorët janë frikësuar nga ndërtimi i kullave, dhe brenda tyre do të përfshihej si qendër kulturore edhe Teatri Kombëtar. Për këtë lloj projekti, së paku dje nuk ka folur Rama. Deklarata e tij lidhej vetëm me faktin se TK do të rindërtohet. Këtë e ka konfirmuar për gazetën “Mapo” edhe ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro, e cila u shpreh se nuk ka asnjë interes të restaurohet teatri i vjetër për shkak të godinës së degraduar dhe se TK do të shtrihet në gjithë sipërfaqen, territorin që ka aktualisht. Pra, Kumbaro deklaroi se nuk do të preket territori trashëguar Teatrit.
A do shembet dhe do ndërtohet i ri Teatri, dhe jo kullë? Kësaj pyetje të gazetës “Mapo”, Kumbaro u shpreh se: “Ne kemi marrë masat që të mos jetë e rrezikshme, por ka humbur çdo shans për rikonstruksion, një pjesë e së cilës është tashmë e rënë. Do të ruhet hapësira e tokës së Teatrit Kombëtar, i cili do të rindërtohet”. Duke besuar se kjo deklaratë e fundit e Kumbaros të jetë dhe vullneti i Ramës, në mënyrë të pandryshuar, aktorët tashmë janë të lodhur nga politika, por edhe gati të jenë në lëvizje ekstreme. Rasti i deklaratës së Ndrenikës është i paprecedent, duke thënë se do të vetëflijohet për teatrin. Por ka edhe më të rinj, që i kanë mbushur 20 vite punë në TK, si Neritan Liçaj nuk shpreh entuziazëm nga “lajmi” i djeshëm për rindërtimin e Teatrit. Aktori thotë se janë skeptikë pasi askush nuk i garanton se sa kohë do të duhet për rindërtimin e Teatrit, referimi janë rrugët me vite pa rregulluar…
“Po kush e garanton, që nuk ndryshojnë projektin…ata mbarojnë mandatin, dhe nuk japin përgjigje. Çfarë garancie duhet? Nuk janë seriozë, ata nuk vijnë në teatër, nuk dinë ça nevojash kanë. Unë kam të drejtë të paragjykoj këtë gjë: përderisa nuk kam një projekt konkret, kjo s’më bind. Unë nuk kam asnjë garanci se ai do të vijë më mbrapa. Këtu prioriteti i politikës nuk është kultura”, thotë Liçaj.
Dyshimi i tij lidhet me “planin e vjetër” të Ramës, prej të cilit u përfol se do të ndërtoheshin pallate brenda teatrit. Unë jam skeptik- thotë Liçaj, – te politikanët shqiptarë nuk ka vend asnjëherë për besim. “Nuk kam faj, sepse kështu na kanë bërë të jemi skeptikë. Nuk na përfshijnë. As për këtë godinë nuk mora vesh se çfarë kanë bërë. Shumë mirë kanë bërë për Operën, të detajuar. Po na bëhet Teatri si Fierza. Unë kam frikë se Turbina do të mbetet aty tërë jetën, ashtu dhe ne. Mua më dhemb sepse kam 20 vjet aty. Një qeveri ta bën një teatër për një vit. Maqedonia, me probleme nga më të ndryshmet ka një teatër njëlloj si Vjena. Po të dojë kryeministri, për një vit e bën”
Ndërsa një nga dramaturgët më të vjetër të Teatrit, largohet pas takimit pa u përfshirë, duke u shprehur se tani nuk i intereson më teatri.
Edhe aktori Vasjar Lame flet i lëkundur për nga besimi. Ai thotë se është entuziast nëse rindërtohet një Teatër i ri, por nuk beson se kjo do të ndërtohet në një kohë të shkurtër.
Lame duke marrë impresionin e kryeministrit se nuk bëhej fjalë për një teatër profesionist, se bëhet fjalë për kushte jo profesionale te “Turbina”, thotë se do të ishte mirë që të niste shpejt ndërtimi i Teatrit Kombëtar dhe të vihet një afat për ta mbaruar ndërtimin brenda një kohë të caktuar . “Nëse bëhet një teatër i ri jam entuziast, nëse nis dhe mbaron pas shumë vitesh nuk jam fare entuziast. Do ishte mirë që të mbarojë ky teatër, dhe meqë ka kushte jo profesionale të niste shpejt rindërtimi i teatrit të ri”, thotë aktori.
Kështu pritet nga dita në ditë të bëhet edhe prezantimi i projektit të Teatrit Kombëtar, ku të përfshihen edhe aktorët, pa ju referuar projektit jo profesional për Teatrin, atij të “Turbinës”.
V.Murati/Mapo
Add new comment