Përmbahuni një çikë se ju njeh gjithë dynjaja kush jeni!
Sot Vatikani shenjtëron Nënë Terezën për veprën e saj të bamirësisë në Kalkuta. Edhe Papa Françesku në fjalët e tij përmendi veprën e bamirëses në Indi dhe mesazhin e veprës së saj. Në nderim të origjinës së saj Vatikani i la vend edhe gjuhës shqipe në ceremonitë e veta, duke njohur kështu rëndësinë e origjinës së Terezës. Mirëpo shenjtërimi duhet ta pranojmë se lidhet me veprën dhe ato që Kisha Katolike i quan mrekulli. Pra vepra e njeriut në këtë rast ka rëndësi thelbësore, kurse origjina është një hollësi. Njësoj si për të gjithë njerëzit që ia kushtojnë jetën dhe besimin parimeve universale. Duke lënë mënjanë kontestimet e shumta mbi figurën e Nënë Terezës mund të bëhen disa vëzhgime mbi qëndrimin në Shqipëri ndaj saj dhe një përpjekje për të nacionalizuar si hipotekë vlerash një person që bota e njeh dhe trajton krejt ndryshe.
Kështu delegacioni shtetëror shqiptar në Vatikan konfirmon konkurencën e vendit të parë dhe nevojën për dukje, njësoj si mbvlerësimin që i bëhet ceremonisë përkundrejt veprës së njeriut.
Më tej edhe deklaratat. Presidenti Nishani: Nënë Tereza, një gjeniale universale, sa shqiptare aq edhe botërore. Kryeministri Edi Rama i kushtoi një opinion të tërë mbushur me frazat standarde që përdor sa herë do të mburrë dikë e të bëjë të duket sikur beson vërtet në vlerat që i ngre lart.
Kreu i opozitës, Lulëzim Basha: Në Shën Pjetër, sot një ditë e madhe për kombim shqiptar.
Bashkia e Tiranës dhe Ministria e Kulturës kanë nisur aktivitetet me një pllakë përkujtimore për Nënë Terezën.
Bashkia e Durrësit ka çelur ekspozitë ku kreu i Bashkisë, Vangjush Dako është shprehur krenar se është shqiptar.
Këto të gjitha i raporton Agjencia Telegrafike Shqiptare dhe është e pranueshme të hamendësohet se kushedi çfarë ceremonish e festimesh zhvillohen në rrethe nga përfaqësues lokalë e që nuk dalin në tituj kryesorë.
Titrat televizivë i kushtohen ekskluzivisht Nënë Terezës, dhoma ku ndjenji, dëshmi familjesh, origjina, e quajnë humaniste shqiptare ndonëse ajo tashmë është shenjtore katolike.
Gjithë pra një mësymje patriotizmi mediatik që e konverton shenjtërimin si ceremoni që i përket një komuniteti, ndonëse i adresohet gjithë njerëzimit, në Ditën e Kapardisjes kombëtare. A thua nuk janë po këta që gdhihen e ngrysen si hajdutët më të më mëdhenj në Europë, siç edhe akuzojnë njëri-tjetrin!
Ky është një zakon që nis me Enver Hoxhën, i cili mori ata që historianët e tij ushtarë i quajtën rilindas, dhe i zhveshi nga përmasat e vërteta për t’i shqiptarizuar në mënyrë të trashë. Duke vizatuar portrete të rrejshme. Kështu me Frashërllinjtë dhe të tjerë, vepra e të cilëve në kulturën dhe historinë osmane është ku e ku më thelbësore se skicat për zgjimin e shqiptarëve.
Jo se kjo e fundit nuk ka rëndësi historike, por ndoshta është koha që në figura të tilla, shqiptaria të gjejë vendin e vet, e jo t’i përvidhet kontributeve të tjera duke e shpikur atë si kontekstin e vërtetë.
Edhe në rastin e Terezës vlen kjo gjë. Ndoshta duhet pak më shumë vetëpërmbajtje për t’u dukur e për të zografisur kaq shumë tituj. Se edhe sorollopin që qeveris e njohim jo vetëm ne, por edhe ata që u kanë vënë nga një karrige për t’u ulur në Vatikan.
Comments
Te gjithe pa perjashtim, c
Te gjithe pa perjashtim, c'jane TE MEDHENJTE E VENDIT TONE, me gra e burra, me te djathte e te majte, duket sikur kane vajtur per te marre edhe ATA, certifikate VIRGJERIE ne Vatikan, per te pastruar ndergjegjen (ne rast se e kane nje te tille), duke degjuar sublimen AVE MARIA.
A mund te ndodhe kjo gje ?
Vetem ne rast se ndodh ndonje MREKULLI papnore nga HYU I SHENJTE, atehere, keta UDHJEFSHIT tane mund te pastrohen nga mekatet ndaj popullit tone.
Gje, qe nuk mund te ndodhe kurre.
Qu
U djedshi ne ferr
Add new comment