Zero progres në shërbimet ndaj qytetarëve, qeveria dështon në 4 projekte

Postuar në 18 Gusht, 2016 10:16

Përtej propagandës qeveritare se jemi në drejtimin e duhur për të bërë shtet, faktet janë kokëforta dhe tregojnë se në këtë drejtim është bërë zero progres. Janë vetë pasqyrat e qeverisë që e vërtetojnë dështimin në katër projekte për shërbimet ndaj qytetarëve.
Në progres-raportin e ecurisë së projekteve vjetore te 2016 shihet se, ato që i dedikohen shërbimeve publik kanë ngecur në vend. Projekti për përmirësimin e kanaleve të informimit të qytetarëve për shërbimet publike është realizuar zero për qind, teksa afati për finalizimin e këtij projekti ishte fundi i shkurtit të këtij viti.
Gjithashtu shihet se ka dështuar plotësisht edhe projekti për standardizimin e ofrimit të shërbimeve publike. Ky projekt i cili duhet të kishte përfunduar me 2 qershor 2016 ka bërë zero progres, raporton Kryeministria.
Qeveria është duke shkuar drejt dështimit edhe për ngritjen e qendrës One Stop Shop për mbi 300 shërbime. Ky projekt që është programuar të finalizohej në 30 dhjetor 2016, ka bërë zero progres deri në fund të qershorit.
Projekti i vetëm në të cilin është bërë progres është shtimi i shërbimeve elektronike ne portalin qeveritar e-albania. Ky projekt i cili ka një afat kompletimi fundin e këtij viti është realizuar në masën 57 për qind deri në fund të qershorit.
Këtë vit është miratuar ligji i ri për mënyrën e ofrimit të shërbimeve ndaj qytetarëve. Ligji merr në konsideratë krijimin e ADISA ( Agjencia e Ofrimit të Shërbimeve të integruara) në varësi të ministrit të Shtetit për inovacionin dhe Administratën Publike.
Misioni i kësaj agjencie është ofrimin e shërbimeve publike nëpërmjet ngritjes dhe administrimit të sporteleve pritëse për qytetarët (front office) si dhe qendrave të shërbimeve publike të integruara me një ndalesë (one-stop-shop) për shërbimet që kryhen nga institucionet dhe agjencitë e qeverisë qendrore dhe/ose të njësive të qeverisjes vendore sipas legjislacionit në fuqi ose marrëveshjeve përkatëse raporton Monitor.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.