“Imsi Catcher” e aftë të kryente përgjime, e vërteta u mbyll në ambasadën italiane
Prokuroria e Tiranës ka administruar në dosjen e saj disa dëshmi, që duket se tregojnë faktin se pajisja “Imsi Catcher”, e cila ka hyrë “pa doganë” në vendin tonë, më 12 mars 2016, gjurmonte telefonat celularë.
Bazuar në dëshmitë te oficerëve të policisë F.A. dhe O.D. të cilët kanë pohuar se kanë kryer ushtrime praktike me pajisjen “Imsi Catcher”, duke përdorur numrat e tyre celularë, dilet në përfundimin se paisja ka qenë e aftë të gjurmonte apo kryente përgjime.
Oficeri E.G. ka treguar se një prej inxhinierëve italianë i kishte thënë se pajisja mund të përgjonte vetëm po të kombinohej me pajisje të tjera, që, sipas ligjit italian, ishte e ndaluar. Funksionarët e FPO kanë pohuar se në dijeninë e tyre pajisja nuk kryente përgjime telefonike dhe se në përfundim të çdo trajnimi, të dhënat e përfituara nga ushtrimet praktike fshiheshin.
Ndërsa Oficeri J.K. ka shpjeguar se me pajisjen janë kryer ushtrime të tilla dhe se në një rast është shfrytëzuar edhe rasti konkret i një avioni të dyshuar për transport narkotikësh në Vlorë
I pyetur mbi funksionin e pajisjes, deklaruesi shpjegon se ajo bën të mundur identifikimin e të gjithë IMSE-ve telefonikë në një sipërfaqe të caktuar, ndërkohë që “Imsi Catcher”, i pajisur me module dhe aparatura shtesë, bën të mundur edhe procese të tjera. Pajisja e ardhur në Shqipëri, sipas inxhinierit Fusco, ushtronte funksionet bazë dhe se kishte pyetur nëse ishte e mundur të kryhej përgjimi i komunikimeve telefonike, duke marrë një përgjigje mohuese.
I pyetur se ku ndodhej aktualisht pajisja, deklaruesi përgjigjet se pas zhurmës mediatike, specialistët italianë vendosen ndërprerjen jo zyrtarisht dhe nuk shkuan në trajnim, pa u sqaruar më parë situata, ndërkohë që në dijeninë e deklaruesit pajisja ndodhej në Ambasadën Italiane
Add new comment