Një opozitë në mbrojtje dhe me një lojë të dalë boje
Ministri i Brendshëm Sajmir Tahiri është padyshim më i sulmuari në qeverinë e koalicionit PS-LSI. Dhe kjo nuk është një praktikë e re: edhe gjatë opozitës socialiste, sidomos në prag të zgjedhjeve, ish-ministri i Brendshëm, Sokol Olldashi, apo Flamur Noka pas tij, bashkë me punonjës të ndryshëm policie ishin në qendër të akuzave të PS-së. Kulmi i kësaj lloj opozite që vendos barazimin polici/krim, ishte skenari i dhjetorit 2010, kur socialistët nxorën në skenë Daut Kadriovksin.
Jo më kot, me ndryshimin e qeverisë PS-ja nisi të fliste për një rilindje të policisë. Por sot jemi në pikën e dikurshme, kur opozita mban në fokus të sulmeve Policinë dhe ministrin e Brendshëm, i cili në rastin konkret, duhet thënë se i është ekspozuar disa situatave që nuk justifikohen. Xibraka, vrasjet e biznesmenëve dhe premtimi për t’i zbardhur ato, grabitjet, dhuna arbitrare, emërime të personave me precedentë penalë, përhapja e hashashit në një kulturë bujqësore kombëtare, fshehja e urdhërave të kërkimit, mosndjekja e personave të kërkuar si në rastin e Klement Balilit, si dhe skandali me pajisjen përgjuese, janë disa akuza në listën e gjatë që opozita, por edhe opinioni kanë ngritur për “Policinë që duam” të Sajmir Tahirit. I cili është padyshim një peshë e rëndë për t’u mbajtur edhe për një qeveri me bilanc pozitiv, e jo më për një qeveri të diskredituar dhe të dështuar si kjo që kemi.
Sot Partia Demokratike i ka shtuar malit të akuzave edhe disa të tjera, atë për mbrojtjen që zyrtarë të lartë të policisë i bëjnë trafikut të hashashit në vend.
“Ervin Hodaj, Drejtor i Policisë Tiranë, sebashku me zëvendësin e tij, Ermal Muca, Jeart Çela, Drejtor i Policisë në Vlorë, Besmir Qebini, zëvendësrejtor i Përgjithshëm i Doganave, Afrim Tafa, në drejtorinë e Policisë Berat, së bashku me shefin e komisariatit të Skraparit, Ferdinand Dusha dhe me Shefin e Komisariatit Berat, Learton Hoxha, Edmond Targaj, Drejtor i Policisë Qarku Dibër, ndihmësi i Edmond Targajt në Dibër, p Robert Aga, Fatmir Lleshi, në detyrën e tij si shef i Komisariatit 4 në Tiranë, në bashkëpunim me deputetë të PS-sënë Tiranë, inspektori i policisë Demaliaj dhe Alban Ahmetaj, Erjon Ismailaj, shef i Komisaritatit të Policisë Krujë,
Henrigert Mitri, në zonën e Burrelit ku është shef komisariati” – të gjithë këta u akuzuan sot nga kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Edi Paloka, si të përfshirë në kultivimin dhe trafikun e hashashit, për qindra mijëra rrënjë, shoqëruar me fshatrat përkatës ku ushtrojnë mbrojtjen e trafikut. Jemi pra në situatën ku opozita akuzon se trafiku i hashashit është në fakt aktovitet nën drejtimin dhe mbrojtjen e policisë. Bashkë me kafshimet propagandistike të PD-së janë edhe pickimet e LSI-së, që i kujton policisë dhe Tahirit se “duhen njohur përgjegjësitë”.
Në këtë fushatë kundër Tahirit, opozita shfaqet me akuza të rënda, por nuk sjell për to provat. As nuk sqaron se çfarë do të bëjë për të eliminuar këtë tumor malinj në një nga institucionet kryesore të shtetit. Jo. PD-ja rishfaqet periodikisht me një akuzë, me një të dhënë, me një hamendësim, që e xhiron si lajm politik të rëndësishëm në media, për ta konvertuar mandej në sulm politik. Dhe të tilla skema janë përdorur rëndom këto vite. Duhet thënë se media, apo një pjesë e madhe e saj, e kanë mbështetur opozitën në këto sulme dhe qëndrime, edhe sepse te policia dhe drejtues të saj ka shumëçka për të dyshuar. Por sjellja e opozitës, e cila nuk ka ditur që njëherë të vetme të ketë bërë punën e saj deri në fund, e minon vetë këtë mbështetje. Sepse e ka bërë shumë të lexueshme axhendën e saj: aty ku akuza ndaj problemeve të mëdha me policinë shpresohet të jetë një aksion edhe qytetar, PD-ja ka parë një mënyrë presimi që prapasjell negociime që e mbyllin si me pult çdo fushatë. Rezultati: Sajmir Tahiri dhe të gjithë këta që listoi sot Paloka vijojnë të jenë në detyrë. Ndaj tyre nuk ka asnjë hetim, as kërkesë zyrtare: as hetim parlamentar dhe as kallëzim. Ka vetëm akuza që shiten për kauzë të opozitës dhe pas saj, LSI-së që bën lojë tinzare.
Por edhe sikur të jetë vetëm kështu, do të duhej kurorëzim për këto beteja, në mënyrë që tek opozita të delegohet një minimum besimi se nuk ka vetëm fjalë. Se Sajmir Tahiri duhet të ishte larguar jo vetëm pse ndaj tij dyshon Ilir Meta, por edhe sepse nuk është aty si ministër, por si zëdhënës i disa imteresave të cilat nuk ka këllqe t’i përfaqësojë pa mbrojtje politike të pakushtëzuar. Duhet që Tahiri dhe ata që ka pas të ishin hetuar nga parlamenti, për t’i dhënë konkluzion zyrtar punës dhe aktiviteti të një ministrie që nuk dihet se çfarë është. Në fakt PD-ja ka bërë dhe vazhdon të bëjë të kundërtën: Tahiri dhe policia e trafikut të drogës, e Shullazit, etj., siç ajo e cilëson i duhet si garanci për një alibi në zgjedhjet e ardhshme. I duhet si dalje për të shpëtuar fytyrën nga çdo produkt elektoral. Është lojë e vjetër, e dalë boje dhe mbi të gjitha: i shërben vetëm pak personave. Të cilët sidoqoftë po luajnë vetëm në mbrojtje. Dhe një opozitë që luan kështu, provon se nuk po synon pushtetin, as ndryshimin dhe as është gati për ta.
Add new comment