Kush është ambasadori dhe kush kryeministri?
Sot paradite ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu, kreu një gjest domethënës, por që nuk ishte parë në Shqipëri që nga koha e Rayerson. Ai u shfaq para një turme të ashtuquajtur protestuesish dhe mbajti një fjalim politik. Tha Lu:
“Pas 18 muajsh negociata, pse nuk arrijmë kurrë një marrëveshje? Pse? Për shkak se është e qartë se disa nga këta politikanë nuk duan marrëveshje...Njerëz të fuqishëm kanë frikë. Qytetarët po kërkojnë ndryshim. Është koha për të vendosur. Do të ketë pasoja specifike negative nga Shtetet e Bashkuara për ata udhëheqës politikë që do të votojnë kundër kësaj reforme. Unë jam duke u dorëzuar partive politike hollësitë mbi këto pasoja sipas udhëzimeve specifike nga Uashingtoni. Ju siguroj se këto pasoja do të jenë të rënda dhe afatgjata...Shqipëria u themelua më shumë se 100 vite më parë nga burra dhe gra të guximshëm. Burra si Ismail Qemali rrezikuan jetën e tyre për pavarësinë e këtij vendi. Është përsëri koha t'u kërkohet shqiptarëve kurajo dhe besim për të bërë atë që është e drejtë”.
Siç shihet, duke folur për popullin shqiptar, ambasadori Lu ka marrë pozicionin e një aleati të shqiptarëve, atyre që u do të mirën përkundrejt një klase politike që pengon progresin e Shqipërisë. Për të qenë të sinqertë, ky është një shans për vendin tonë, i cili duhet ditur të shfrytëzohet. Miqësia me ShBA-të është e panegociueshme, por roli i ambasadorit Lu në këtë rast kërkon shpjegime. Shqiptarëve u thuhet se me reformën në drejtësi do të hyjnë në BE, por vallë në cilin vend të BE-së ndodh kjo që ndodh këtu? A janë shterur të gjitha instrumentet demokratikë për të miratuar reformën, përmes së cilës amerikanët kërkojnë kompetenca ekzekutive në hetim? Jo, nuk janë shterur, sikurse është përjashtuar vota si mjeti final i llogaridhënies.
Një pyetje tjetër, të cilës askush nuk i jep përgjigje është: cili është interesi i SHBA-së në këtë proces, sa të investohet deri në këtë pikë? Cili është interesi kombëtar i SHBA-së siç na u tha para disa kohësh në miratimin e një reforme në Shqipëri? Duhet sqaruar kjo në mënyrë që të davaritet paqartësia që ekziston dhe të kuptohet më mirë loja politike.
Së fundmi, diçka edhe për situatën paradoksale të ambasadorit Donald Lu. Pak orë pas kësaj deklarate, ambasada amerikane në Tiranë shpërndau një njoftim rreth sigurisë. Por kësaj radhe drejtuar shtetasve amerikanë në Tiranë. “Ambasada amerikane në Tiranë informon shtetasit amerikanë se Parlamenti i Shqipërisë ka programuar të votojë çështjen e reformës në drejtësi më 21 korrik. Ambasada nuk është e shqetësuar për ndonjë kërcënim specifik kundër shtetasve amerikane apo interesit amerikan. Sidoqoftë, shtetasit amerikanë të qëndrojnë vigjilentë dhe të shmangin çdo demonstrim apo grumbullim që mund të ndodhë në përgatitje apo pas votimit”, thuhet ndër të tjera në njoftim.
Kësaj i thonë: paradite për shqiptarët, pasdite ambasador për amerikanët. Paralel me absurditetin tjetër të një kryeministri shqiptar që negocion me një formulë prej emisari: “Ne votojmë çdo gjë po e miratuan ShBA dhe BE”. E kundërta e asaj që Lu tha paradite!!! Duke qenë Shqipëria një vend paçavure dhe me institucione me të cilat qesh një dynja e tërë, përftohet e mira, se çdo gjë mirëkuptohet. Mirëkuptohet edhe ky qëndrim i ambasadorit, i cili gjithsesi duhet të sqarojë, për të mirën e përbashkët, por edhe në respekt të qytetarëve që i besojnë, se pse ShBA po investohet kaq shumë në këtë reformë dhe cilat janë objektivat realë të saj? Sa për sigurinë tonë në datën 21, do bëjmë di do bëjmë, si përherë.
Add new comment