"Ta mbrojmë të gjithë Europën, duke e bërë atë më të mirë"*
Kush e ka ndjekur periudhën e nxehtë të debateve, ka marrë një ndjesi se referendumi mbi anëtarësinë e Britanisë së Madhe në Bashkimin Evropian nuk do të kishte një fund të mirë. Çfarë nuk u tha dhe shkrua për Evropën… si edhe u besua nga aq shumë të tjerë e megjithatë, ende jam shumë i shokuar. Vota e britanikëve për daljen nga Bashkimi Evropian ka shkaktuar gjithkund në Evropë keqardhje, pasiguri dhe zhgënjim. Kjo është një shkëputje e fortë, një shkëputje historike! Megjithatë: Neve nuk na lejohet të biem as në një shtangie nga shoku dhe as në një aksionizëm të rrëmbyeshëm. Për më tepër, ne duhet të nxjerrim së bashku përfundimet e duhura për Bashkimin Evropian.
Fillimisht një analizë kritike e sinqertë – te shumë qytetarë të Evropës në kohët e sotme Bashkimi Evropian nuk është shumë i kërkuar. Shumë njerëz janë të zhgënjyer dhe disa i kthejnë kurrizin, sepse mendojnë se Bashkimi Evropian nuk i ka përmbushur ose në rastin më të mirë, i ka përmbushur pjesërisht premtimet e tij për mirëqenie, demokraci dhe paqe. Kriza ekonomike dhe financiare ka shkaktuar plagë të thella, të cilat ende nuk janë shëruar. Dyndja në Evropë e qindra mijëra refugjatëve dhe emigrantëve ka nxjerr në pah më shumë se thjesht dhe vetëm mosmarrëveshje. Për shumë njerëz vendimet evropiane duket të jenë shumë larg dëshirave, përfytyrimeve dhe botës së tyre. Madje, edhe paqja dhe siguria janë bërë edhe më të brishta – të mendosh vetëm konfliktin në Ukrainën Lindore dhe sulmet e tmerrshme terroriste në Paris dhe Bruksel. Por dhe shumë gjëra shkojnë mirë në Evropë. Këtë nuk duhet ta humbasim nga sytë edhe me gjithë vetëkritikën: Ne i kemi bërë ballë periudhës më të keqe dhe të rrezikshme të krizës ekonomike dhe financiare – eurozona qëndroi e lidhur dhe madje u rrit. Evropa mund ta bëjë botën më të sigurt dhe më të paqtë si në rastin e marrëveshjes së negociuar nga politika e jashtme evropiane për programin atomik iranian. Evropa eksporton stabilitet dhe siguri, psh., në Ballkanin Perëndimor, ku besimi tek Evropa dhe dëshira për përafrim nuk janë thyer. Ne kemi treguar mbarëbotërisht se çfarë është në gjendje të arrijë EU-ja, nëse ajo flet me një zë në skenën botërore. Madje, edhe në krizën e emigracionit – edhe pse ka zgjatur tepër – ne kemi bërë përparime të rëndësishme. Megjithatë, Bashkimi Evropian për shumë njerëz e ka humbur aktualisht fuqinë tërheqëse. Dhe ne nuk mund të jemi indiferentë për këtë. Ne shohim pas në një periudhë të pashembullt prej 70 vjetësh paqe dhe stabilitet.
Para më tepër se 25 vjetësh ne kemi kapërcyer ndarjen e kontinentit tonë. Procesi evropian i bashkimit është një histori suksesi dhe i vetmi në llojin e vet në histori. Thelbi i tij, pra bashkimi në një kuadër politik, i cili i udhëheq shtetet anëtare drejt rregullimit të marrëdhënieve dhe konflikteve të tyre në ndërtesën e këshillit në Bruksel dhe jo në luftë në shesh të betejës, nuk e ka humbur aspak dobinë dhe rëndësinë e tij. Ne nuk duhet ta rrezikojmë këtë. Ne u detyrohemi brezave që vijnë pas nesh t’ua dorëzojmë të paprekur projektin e paqes. Shumë njerëz e kritikojnë Evropën, duke u nisur nga një ndjenjë zalisjeje – dhe me një ndjenjë prej humbjeje kontrolli. Edhe pse kjo është e kuptueshme në një botë, e cila duket e shpërbërë, si dhe në kohërat e globalizimit të shumë fushave jetësore: Frika nuk është një udhëzues i mirë. Po ashtu, edhe një zmbrapsje në guaskën kombëtare nuk është një mbrojtje e vazhdueshme nga risqet dhe rreziqet e një bote të perceptuar si kërcënuese.
Çfarë të bëjmë atëherë? – Ne duhet t’u tregojmë njerëzve se Bashkimi Evropian nuk është shkaku i kësaj ndjenje, por përkundrazi instrumenti më i mirë që kemi në dorë për t’i dhënë formë aktive botës rreth nesh dhe globalizimit në interesin tonë evropian. Nëse do të luajmë si një ekip në Evropë, nëse do të harmonizohemi ngushtë me njëri-tjetrin dhe do të veprojmë në mënyrë dinamike, vetëm atëherë do t’u bëjmë ballë me sukses konflikteve dhe do të kalojmë shumë pengesa. Në të kundërt, asnjë nga shtetet anëtare, as Gjermania dhe Franca, por as Mbretëria e Bashkuar nuk mund t’ia dalë mbanë me sukses në rrafshin ndërkombëtar, siç mund ta bëjmë ne së bashku këtë si një komunitet i fuqishëm dhe solidar.
Sot vlen: Kush do ta shpërbëjë Evropën, nuk i zgjidh problemet e tij, por i përkeqëson ato. Turbullirat politike dhe ekonomike që po përjeton tashmë Britania e Madhe e tregojnë këtë. Dhe ato tregojnë gjithashtu se ata syresh, të cilët thërrasin me zë të lartë “Jashtë!” ose “Poshtë EU-ja!” nuk kanë një përgjigje për pyetjen se si duhet të vazhdohet pas daljes nga EU-ja, ose madje pas shpërbërjes së saj. Kjo nuk është vetëm të jesh dritëshkurtër dhe i papërgjegjshëm, por është dhe një lojë me zjarrin. François Mitterrand na kujtoi në fund të jetës së tij të pasur me përvojat e tij politike, me përjetimet e luftës dhe vuajtjes: “Le nationalisme, c’est la guerre!” “Nacionalizmi do të thotë luftë!”. Ata, të cilët sillen në mënyrë destruktive dhe u shërbejnë nostalgjive për një pseudombrojtje brenda kombëtares, duhet t’i demaskojmë dhe t‘u kundërvihemi atyre me zgjidhje reale.
Ne do të angazhohemi që Evropa të bëhet më e mirë dhe të dëgjojë më shumë nevojat e qytetareve dhe qytetarëve të saj. Ky është dhe objektivi i propozimeve që ministri i Jashtëm francez, Jean Marc Ayrault dhe unë parashtruam javës që shkoi. Ne kemi idetë tona konkrete dhe me qëllim atje, ku njerëzit me të drejtë presin më shumë nga ne. Për një siguri më të mirë të brendshme dhe të jashtme, për një politikë të angazhuar emigracioni dhe për një politikë për zhvillim dhe punësim. Ne na bëhet qejfi dhe shpresojmë edhe për shumë kontribute të tjera të mira dhe konstruktive. Të dëgjosh qytetaret dhe qytetarët do të thotë gjithashtu, që ne në Evropë duhet të mbërrijmë në një mënyrë të re pune. Një Bashkim Evropian më i mirë dhe fleksibël respekton idetë e ndryshme mbi rrugën e mëtejshme të Evropës dhe lejon shpejtësi të ndryshme të zhvillimit, pa përjashtuar ose lënë pas askënd. Në vend që të grindemi për të gjetur se cili duhet të jetë destinacioni final i integrimit evropian, na duhet të punojmë për rezultate të prekshme dhe këtë duhet ta bëjmë sot! Secili nga ju është i ftuar të japë kontributin e tij për këtë! – Le të mbrojmë të gjithë së bashku Evropën duke e bërë atë më të mirë. Përpara mund të shkojmë vetëm së bashku. Prandaj është kaq e rëndësishme që në rrethin e 27 vendeve të këshillohemi, të dëgjojmë njëri-tjetrin me vëmendje dhe pastaj të veprojmë së bashku.
"Gazeta Shqiptare"
* Titulli është i redaksisë
Add new comment