Prokuroria qetëson Partinë Socialiste: Thirrja e Berishës për armatosjen e popullsisë në kuadër të aktivitetit parlamentar
Prokuroria e Përgjithshme e ka gjetur të pabazuar në ligj shqetësimin e një grupi deutetësh të Partisë Socialiste që kallëzuan ish-kryeministrin Berisha për thirrjet për armatosje ose marrje pa të drejtë e komandës, thirrjet publike për veprime të dhunshme dhe përhapje e informatave të rreme që ngjallin panik.
Nga përmbajtja e kallëzimit penal, të paraqitur nga grupi prej 11 deputetësh të Kuvendit të Shqipërisë, rezulton ndër të tjera të jetë pretenduar se, në seancën plenare të Kuvendit të Shqipërisë të datës 21.04.2016, deputeti Sali Berisha, ka konsumuar tre veprat penale të sipërcituara, kur ka deklaruar se: “Unë kam një kërkesë për shqiptarët sot: ju bëj thirrje qytetarëve shqiptarë, për sigurinë e tyre, të armatosen, të sigurojnë armë”.
Prokuroria e Përgjithshme kreu verifikimet mbi pretendimet e kallëzuesve dhe vendosi mosfillimin e procedimit penal ndaj deputetit të kallëzuar, duke argumentuar se “deklaratat e deputetit të Kuvendit të Shqipërisë, nga foltorja e sallës plenare, janë bërë në funksion të veprimtarisë parlamentare dhe në përmbushje të fjalës së lirë të opozitës parlamentare; deklarimet e bëra prej të kallëzuarit, në cilësinë e deputetit, ndonëse të kryera në ambjentet e Kuvendit, gjatë një veprimtarie parlamentare dhe të lidhura me çështjet në debat parlamentar, nuk përmbushin elementët e ndonjë vepre penale”.
Add new comment