Unë zgjedh DREJTËSINË

Postuar në 29 Maj, 2016 13:33
Olti Gjolena

Dikush zgjedh partinë, dikush zgjedh Shqipërinë, por drejtësinë nuk po e zgjedh dhe e zgjidh askush. Po bëj optimistin dhe po marr përsipër ta zgjedh unë drejtësinë. Po për kë drejtësi do flasim? Atë të Gërdecit? 21 janarit? Atë të orave Omega dhe të çantave Hermes? Se kjo është çorba që është gatuar këto 25 vite.

Jemi aq të pashpresë, saqë në 25 vite në këtë drejtim nuk kemi prodhuar një HERO. Dhe kur flas për heronj nuk i referohem personave që mbajnë veshur t-shirt me logon e superMenit apo personazheve të ngjashëm. Si mund tw pretendojmë të kemi drejtësinë kur personat që na gjykojnë kanë humbur dinjitetin, moralin sepse fundja këto janë gjërat na ndajnë nga kafshët?  Asnjë “Mea Culpa”, përkundrazi arrogancë e shfrenuar.  Kush mund të më thotë në 25 vite një atentat për shkak të detyrës ndaj një prokurori apo gjykatësi? Kjo është kundërpërgjigja e krimit në rast se luftohet. Atëherë këtu ose krimi ka qenë i dobët për të reaguar (gjë që se besoj), ose futet në funksion ajo që ne si shoqëri e kemi shumë qejf: marrëveshjet nën rrogoz. Duke qenë se fokusi kryesor është reforma në drejtësi thjesht doja të ngrija disa pyetje. Nuk dua të ndalem në teknikalitete duke mos qenë i fushës, por thjesht shqetësime si qytetar i thjeshtë. A ka persona sot në gjyqësor me integritet dhe moral të lartë që të marrin një risk të madh mbi supe? A ka Shqipëria sot Falkonet dhe Borselinot e saj? Në qoftë se po, kjo reformë i nxjerr në sipërfaqe apo i lë në harresë? Kjo është çështja se këtu janë bërë zullume të mëdha.

Drejtësia jonë i ngjan një tragjedie greke.Praktikisht ashtu si në tragjeditë greke situata zgjidhej me futjen në veprim të “Deus ex machina”. Po në këtë rast kush do e luajë “Deus ex machina”? S’kam asnjë dyshim që ndërkombëtarët (zotat). Ata kanë kaluar në këtë rrugë e besoj e dinë se është më e vështirë të shkosh nga 0 në 1 sesa nga 1 në 100. Në rast se ky hap i parë arrihet të bëhet jo vetëm do jemi më afër Evropës, po do e zgjedhim çdo ditë e më shumë Shqipërinë.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.