Ministri i Jashtëm: Me Serbinë na ndan vokacioni euroatlantik...Vokacion që konfirmohet te referendumi i PS-së?!
Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati, ka zhvilluar një vizitë në Gjermani ku ka takuar homologun Steinmeier. Lidhur me vizitën dhe axhendën, Bushati ka folur në një intervistë për “Deutsche Welle” ku përcjell qëndrimet dhe komentet e veta. Ai është pyetur për situatën në Maqedoni, “ku Shqipëria ka interesa legjitime”, e cila sipas ministrit shqiptar po ndiqet me vëmendje. Po kështu, Bushati ka deklaruar se për çdo iniciativë kundrejt Maqedonisë , Shqipëria do të sinkronizohet me Berlinin, një qasje për të cilën nuk ka shpjegime.
Ka interes përgjigja e ministrit shqiptar për marrëdhëniet me Serbinë, ku ai ka dalë me një tezë thuajse ideologjike. “Besoj se dy vjet nga iniciimi i procesit të Berlinit mund të konstatohet lehtësisht një normalizim i marrëdhënieve ndërmjet Shqipërisë dhe Serbisë...Por marrëdhënia ndërmjet Shqipërisë dhe Serbisë duhet të shihet në mënyrë realiste, sepse diferencat ekzistojnë. Në fakt ato nuk janë thjeshtë diferenca ndërmjet Shqipërisë dhe Serbisë, por janë diferenca që kanë të bëjnë edhe me përkatësinë dhe vokacionin, sepse në rastin tonë ne jemi të orientuar qartësisht për nga vlerat euroatlantike, çka e dëshmon përkatësia jonë si pjesëtarë të familjes euroatlantike dhe dëshira jonë për t'u antarësuar në BE. Besojmë që edhe zgjedhjet e fundit në Serbi janë një tregues që Serbia po shkon drejt normalitetit dhe drejt këtij vokacioni”, tha Bushati.
Në fakt vokacioni këtu është një gjethe fiku dhe ministri ngatërron qëllimisht servilizmin e klasës politike shqiptare me rreshtimin euroatlantik. Duke lënë mënjanë talljen e madhe që po bëhet në Britani me Shqipërinë, kujtojmë këtu se nuk mjafton të shpallësh një gjë për të konfirmuar se beson në atë gjë. Pjesëtar i familjes së shteteve normale, e më tej euroatlantike, janë ato vende që minimalisht zhvillojnë zgjedhjet siç duhet, nuk vjedhin dhe nuk shpikin referendume partiake që janë gazi i një bote të tërë. Njësoj siç u bë gazi i botës kryeministri i këtij ministri, kur në vend se të fliste për normalizim marrëdhëniesh me Serbinë, u mburr se do hapej një faqe e re, se edhe Ballkani do rilindte etj., duke kërkuar të neglizhonte me fjalë të bukura një histori të tërë, të cilën me sa po shohim e respektojnë më shumë politikanët serbë sesa këta të Tiranës.
Add new comment