Iluzioni i rritjes së të ardhurave!
Rritja e lartë dyshifrore me rreth 16% e të ardhurave në buxhet për 2 mujorin ishte një sinjal pozitiv se financat i lanë pas problemet e vjetshme, kur zgjerimi real ishte afër zeros dhe plani nuk u realizua për asnjë muaj, duke detyruar rishikimin e buxhetit në mes të vitit dhe duke e mbyllur vitin me 35 miliardë lekë mangur nga plani fillestar. Megjithatë, të dhënat e detajuara tregojnë se performanca e mirë e financave ka ardhur nga janari, ndërsa shkurti ka qenë një muaj tepër i dobët. Në muajin shkurt, të ardhurat buxhetore u rritën me 6 për qind në krahasim me faktin e një viti më parë, por ritmet e rritjes u ngadalësuan ndjeshëm ne krahasim me janarin. Në muajin janar të ardhurat u rriten me 26 për qind krahasuar me janarin e vitit 2015. Rritja e fortë e janarit i dedikohet në fakt problemeve që kaluan arkëtimet e taksave në fillim të vitit që shkoi për shkak të problemeve që solli instalimi i sistemit të ri online. Niveli i ulët i të ardhurave në janar 2015 (baza më e vogël) “ndihmoi” në një rritje të lartë te të ardhurave në janarin e këtij viti, por duket se ritmet e rritjes janë ngadalësuar ndjeshëm në shkurt raporton Monitor.
Add new comment