“Në PS ka një pakicë që shpall armiq atë që kërkon zgjedhje”
Ben Blushi ka përsëritur kritikat dhe akuzat e tij ndaj ekipit që drejton sot PS-në duke nënvizuar se në këtë parti e drejta po mbytet. “Unë mendoj se e drejta e gjithësecilit po mbytet. Një pakicë e pavotuar po detyron një shumicë ta pranojë atë si shumicë pa zgjedhje. Nëse kjo pakicë ka një meritë, ajo është pengmarrja e PS. Për këtë pakicë, nëse kërkon zgjedhje, zgjidhje apo mbledhje je 3 herë armik. Nëse do më shumë punësim je shumë armik, nëse do rritje pagash je shumë më shumë armik. Nëse do pastrim të PS nga krimi je armiku i mikut dhe nëse do që të mos ketë njerëz me precedentë penal je miku i armikut. Ky është morali i kësaj pakice, kriteri, nderi dhe misteri i kësaj partie shumicë. Këtë unë nuk do ta pranoj kurrë. Poshtërimi dhe lincimi që i është bërë PS nuk ka ardhur nga mungesa e kohës dhe socialistëve, por nga arroganca dhe besimi delirant se të gjitha rrugët e PS janë të një njeriu, se të gjithë duhet të japin votën për një njeri. Ai është Edi Rama”, tha Blushi.
Add new comment