Në “zbatim” të “porosisë” së Majkos për të shkruar historinë, Ruçi: “Gratë e kanë shpëtuar këtë vend nga lufta civile”
Gramoz Ruçi, kryetar i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste dhe deputet i vjetër i saj ka folur sot për rolin e gruas në politikën shqiptare. Gjatë një aktiviteti për shpërndarjen e kartave të anëtarësisë, Ruçi ka vlerësuar se gruaja shqiptare ka patur një rol madhor në shmangien e konflikteve civile në Shqipëri. Me këtë rast ai ka ndarë edhe një përvojë personale: “Para 25 viteve, në ’91-shin unë isha Ministër i Brendshëm për 3 muaj, situata ishte kritike. Atëherë erdhi një partner nga Gjermania dhe më tha: “Si do ta përballosh?”Unë i flisja për masat policeske. Ai më tha: “Zotëri ke vetëm një shpresë: Duhet të dalësh në TV dhe t’u drejtohesh grave”. Mendova ç’është ky i marrë, unë jam ministër i Brendshëm’. I thashë: “Si të dal?” Ai më tha se: “Si janë gjakrat e ndezura vetëm gratë mund të shpëtojnë këtë vend dhe ty. Vetëm gruaja mund të ulë gjakrat e këtij populli dhe vendi dhe të kapërcejë këtë moment. Sepse ato kanë një burrë, një vëlla, një djalë, një shok që e kanë atje jashtë”. Dhe falë grave Shqipëria nuk kaloi në luftë civile as në ‘97 e as në ‘91. Faleminderit për çka keni bërë për këtë vend dhe për këtë popull”, tha Ruçi(http://www.gazetatema.net/web/2016/03/08/gramoz-ruci-ne-91-n-ishin-grate...).
Ky është një version alternativ i shpjegimit të historisë së këtyre viteve, të cilën askush deri më sot nuk e kishte shkuar nëpër mend, apo ta artikulonte publikisht. Ruçi duket se po zbaton porosinë e një të mençuri të PS-së, Pandeli Majkos, që para disa kohësh bëri thirrje për politikën kosovare: Shkruani Historinë. Kjo me gjasë po ndodh: Pushteti po shkruan historinë e këtij vendi, ndonëse Ruçi nuk mbahet mend që të ketë dalë e t’u ketë bërë thirrje, as t’u jetë drejtuar grave shqiptare, as në vitin 1991 dhe as në vitin 1997.
Add new comment