Gratë, 8 marsi, Karafili, Luli
Sot është 8 marsi. Siç e shohim të gjithë, ka shumë qarkullim grash në rrugët e Tiranës, ku edhe jeta ka më shumë dinamikë se në qytetet e tjera.
Gra të veshura mirë, që ecin në grupe, të veshura ndryshe nga përditmëria. Gra që ulen në lokal e porosisin akullore, ëmbëlsira, apo ndonjë lëng, me të cilat pastaj urojnë njëra-tjetrën për festën e tyre. Këto janë gra që sapo kanë dalë nga parukeria dhe që u “shkon” një çikë tualet alla Dali.
Ka pastaj gra të tjera që kanë nisur të protestojnë. Sot një aktiviste e të drejtave të njeriut çuditi sabahun e shqiptarëve kur foli për padrejtësi në përfaqësimin e grave në parlament. Duhen barazim me burrat, nënvizoi ajo. Politika është garë. Nuk është vonë të krijohet një parti nga gratë, e të ndiqet kjo punë se me kuota nuk po del mirë punë. Nga ana tjetër, kot sa për të ngarë muhabetin, problemet e gruas në këtë shoqëri janë shumë më të mëdha dhe serioze sesa defiçenca në numër kolegesh për Albana Vokshin, Arta Daden, apo Mesila Dodën, sa për të ilustruar pa keqdashje.
Ka edhe gra indiferente, nga ato që janë rënduar nga 14 shkurti, apo 7 marsi e nuk ja varin shumë 8 marsit. Këto mundet të jenë femra më shumë sesa gra, të cilat janë pro legalizimit të kanabisit dhe preferojnë të flasin më shpesh për të mirat e një shoqërie të drejtuar nga burrat, ose si burrë.
Mund të ketë pak “më poshtë” gra praktike(më saktë të paangazhuara) të cilat nuk ndjejnë se ka ndonjë gjë për të kërkuar, përveçse të shkosh në punë dhe mandej të çosh rrogën në shtëpi. Zakonisht këto janë ndër ajo kategori që ka bërë të vetën parimin: “Do burrë shtëpia”.
Në fund ka edhe ca që nuk ke ku t'i shohësh shpesh...
Ka pra për fatin e mirë të të gjithëve një shumëllojshmëri grash. Ndonëse pa tingëlluar maskilist, në të gjithë botën ka vetëm një “nacionalitet” për gratë: Gruaja është grua kudo.
Pas këtyre vijnë edhe politikanët. Këta kanë fatin të jenë grua një herë në vit, prift, hoxhë, baba e dervish, po ashtu, sikurse jo rrallë i sheh si sportistë, apo si shokë të ndonjë “pistoleros” me dosje voluminoze. Mund të mirëkuptohet çdo lloj fjalie apo mrrokulle që del nga goja e këtij soji të veçantë njerëzor, por kur vjen puna për të folur për të drejtat e grave dhe premtimet për to, puna është një çikë si e ndërlikuar. Pasi përpara se çdo mëngjes një politikan të nisë zanatin e vet, ai ka qenë bashkëshorti në shtëpi, aty ku edhe merren vendime. Dhe siç e dimë, në shtëpi vështirë se mund të flitet për pabarazi “reale”. Kjo është e vërtetë sa kohë diskutojmë për raportion “tek e tek”, pasi në komunitet raportet gjinore ripërcaktohen. Gjithsesi dy mesazhet e sotme të dy politikanëve kryesorë: kryeministrit dhe kreut të opozitës mund të sillen në vëmendje si shembulli i radhës për talljen që bëhet me çështjen e problematizuar të barazisë. Kështu, kryeministri se ku tha në një vend që “unë do të jem karafili juaj”. Nuk dihet pse këtij i pëlqen sjellja si prej zhigoloje. Jo se ka ndonjë gjë të keqe, por kur ato gratë që janë tabela e rromuzit qeshin e ndihen të lajkatuara, ndoshta harrojnë se disponibiliteti prej karafili është konsiderata e vetme për intelektin e tyre që u ofrohet. Dhe si ofertë e vetme për gratë në karrierë, mirë bëjnë xhanëm që e duartrokasin. Të tregohemi të sinqertë: këtu nuk ka asgjë të keqe. Kemi të bëjmë me maxhorenë. Edhe në politikë madje janë të tillë.
I rralli në këtë kuadër është Luzlim Basha, kryetar i opozitës. Ky ishte në Berat dhe që andej lëshoi ca premtime që e bëjnë të duket se janë pasojë e ndonjë dreke të rëndë. “Edi Rama është sot në një borxh të madh dhe të pashlyeshëm me gratë shqiptare. Ai e di fare mirë ndaj në këto orë dhe ditë që i kanë mbetur deri në përballjen e madhe popullore që po afron me shpejtësi vazhdon aktet e hakmarrjes. Si këtu në Berat, sot në ditën e 8 Marsit, i komunikoi shkarkimin nga puna një prej aktivisteve tona më të shquara Hafize Skëndos. Dua t’i them sot nga Berati se të gjitha vendimet që ka marrë qeveria e tij në këto 3 vite, që ua ka vështirësuar jetën grave shqiptare, që i kanë shtyrë disa prej tyre drejt masave ekstreme deri në vetëflijim për shkak të pushimit arbitrar nga puna, për shkak të transferimeve që e bën të pamundur vazhdimin e kontratës së punësimit, për shkak të faturave të papërballueshme të energjisë, do të jenë në shënjestrën e qeverisjes së demokratëve dhe ne një nga një do të anulojmë e shfuqizojmë çdo masë antigrua të qeverisë Rama në këto 3 vite”, tha Basha. Masa antigrua? Z. Basha, po a e pe atë videon e asaj gruas në Vlorë që thoshte se “mua pa bukë të më lësh, unë PS-në do votoj”? Ç’a komenti ke për atë? Por për karafilin që mban erë të mirë? Ti çfarë u ofron grave përveçse zhbërjen e masave antigrua? Apo asgjë. Pyetjen mos e neglizho zoti Basha se qëkur është bota botë, asnjë nuk e ka marrë vesh se çfarë do një grua, e mbase nuk i do edhe këto masat rikthyese që propozon zotrote.
Për ta thënë me sytë e një femre: nëse për Ed Karafilin edhe mund të thonë se është “një aiii”, me masat antigrua që po na zë në gojë, me siguri që po thonë: “Rritu Luli”.
"Shaptilografisti"
Add new comment