Ishte Cani që hoqi Canin
Është arrestuar pasditen e sotme drejtori i Drejtorisë së Tatimeve në Tiranë, Androkli Kokthi. 40 vjeçari ishte në hetim disa mujor nga Krimi Ekonomik në Drejtorinë e Policisë së Tiranës që edhe ka kërkuar arrestimin. Prokuroria ka lëshuar urdhrin dhe Kokthi ndodhet në pranga me akuzën e shpërdorimit të detyrës me mallrat e sekuestruara. Kokthi është një drejtues i njohur në Tatime dhe jo pak i përfolur. Para një viti një punonjës i tij e akuzonte për vonesa në kontrollin e subjekteve, duke shkaktuar evazion. Këtu video e këtij denoncimi:
Është pikërisht ky shqetësim që është pranuar nga ish-ministri i Financave Cani, në muajin gusht, kur pohoi se “ka punonjës të tatimeve që bashkëpunojnë dhe bëjnë bilancet e bizneseve të mëdha”. Por ministri nuk lëvizi gishtin për të luftuar këtë fenomen që e shohim sot të ilustruar me rastin e një akuze ndaj Kokthit. Arrestimi ka edhe një kontekst që lidhet me një zhvillim të sotshëm: drejtoresha e Borxhit në Ministrinë e Financave ka dhënë dorëheqjen. Lajmi është bërë publik nga gazeta “Panorama” dhe në një njoftim të Ministrisë thuhet se ajo largohet për arsye familjare. Nuk mund të spekullohet domodoshmërisht për ndonjë lidhje në këtë drejtim, por përtej arrestimit të Kokthit, duket se disa gurë do të lëvizin te Financat. Vetiu mund të shtrohet si logjike një pyetje: a ishte largimi i Canit një mënyrë për të ndryshuar disa gjëra? Për ta shkundur një Ministri që kishte tregues të ulët në të ardhura, në borxhin(i cili është vendim i qeverisë) dhe në dështimin e kontratës me Crown Agents, e cila pasi dështoi në rinovimin e saj denoncoi kontrabandën. Mund të gjendet një lidhje edhe në faktin se FMN-ja dje e miratoi këstin e kredisë për Shqipërinë, duke dhënë të kuptohet se qenia ose jo e Canit në detyrë nuk ka asnjë rëndësi. Në fund mund të analizohet edhe ikja e Canit në raport me pasardhësin e tij, Ahmetaj. Ministri i Ekonomisë është një personazh me cilësi operative që siç është parë këto kohë nuk nguron të marrë vendime për të cilat një karakter si Cani do të mendonte dy herë. Shembull është aksioni kundër informalitetit, nisja e të cilit u shoqërua me masa ligjore shtrënguese deri në burg. U tha asokohe se Cani kundërshtoi dënimet penale për vepra administrative, një “jo” kjo shumë e hidhur për një kryeministër në nevojë të madhe për të dalë nga një situatë e vështirë në sektorin financiar. Po kështu ka qenë Ahmetaj dhe jo Cani ai që ka mbikëqyrur si të thuash edhe Drejtorinë e Tatimeve, duke e vënë ish-ministrin e Financave në një pozitë diskriminuese. Pa kontroll efektiv në dogana dhe në Tatime, të cilat është vendosur të bashkohen në një njësi, ish-ministri u reduktua në rolin e një konsulenti që po shkëputej nga terreni e që siç raportonte dy ditë më parë Top-Channel po krijonte kokëçarje edhe me një lob të fuqishëm si ai i kromit, i ndërmjetësuar nga deputetë të LSI-së. Natyrisht asnjë ministër nuk peshon kaq sa të vërë në diskutim këto ekuilibra, pa harruar faktin se po afron viti 2017 dhe ka domosdoshmëri për një tjetër nerv. Në fund të fundit, e vërteta është se ishte Cani që hoqi Canin.
Comments
KY PLEHER E SUPER HAJDUT QE
KY PLEHER E SUPER HAJDUT QE KA DHE ZYRE KONTABLE NGJITUR ME AMBASADEN USA, U VENDOS DREJTOR I DRTT, KUR KY NE VITIN 2006 NGA KOLEGET E TIJE HAJDUTE SI SHYQ KAU E LEVANTE COMPANI E TOLERUAN PAS NDERHYRJES SE KRYEHAJDUTIT RIDVAN BODES E LEVANTE CO
Add new comment