Vonë apo shumë vonë për ndryshimet mediale

Postuar në 20 Shkurt, 2016 06:12
Hamdi Nuhiju/Universiteti Shtetëror i Tetovës
Si pikë e fundit nga kulaçi i Marrëveshjes së Përzhinos ka ngel edhe ndryshimi medial, ose ligji për mediet që do të jetë në shërbimin e demokratizimit të vendit. D.m.th. vendi i jonë është i pa demokratizuar, ka medie të censuruara dhe të rregulluara jo si duhet, dhe për këtë arsye ka nevojë për ndërhyrje, ri formatim dhe ri ndryshim të Ligjit për mediet në Maqedoni.
 
Edhe pse kjo çështje është njëra prej pikave që u diskutua në Marrëveshjen e Përzhinos dhe për të cilën u dakorduan të katër partitë politike, nënshkruese të marrëveshjes, përsëri situata rreth ndryshimeve mediale po duket sikur lufta e mbijetesës politike ose mediale ose kërkimi pas kulaçit medial. Si duket, partitë politike po tentojnë që të përfitojnë sa më shumë prej kulaçit ose erës që i jep sfera mediale, veprimtarisë politike. Ky lloj tentimi më duket si mënyrë e uzurpimit dhe ngufatjes së medieve nga ana e ujqve të cilët qysh prej pavarësimit të Republikës së Maqedonisë i kanë qëndruar mbi kokë kësaj plaçke demokracie.
 
Përndryshe, sikur me të vërtet do të dëshirohej ndryshimi i medieve nga të gjitha subjektet politike, pjesëmarrëse në procesin e zgjidhjes së ngërçit politik në vend, nuk do të vinte puna që për këtë proces të diskutonin të gjithë përveç ekspertëve të medieve dhe shoqërisë civile e cila mund të kishte akces në medie. Unë dyshoj edhe në tentimet ose paraqitjet e LSDM-së se me të vërtet ata duan medie të lira dhe të pavarura të cilat do të vepronin në bazë të standardeve evropiane dhe ndërkombëtare. Propozimet e tyre për ndryshimin e kësaj sfere e dëshmojnë këtë gjë.
 
Edhe VMRO-DPMNE-ja edhe LSDM-ja po diskutojnë për ndryshimet mediale vonë shumë vonë, në kohën kur ata kanë ngulfatur mediet, kanë gllabëruar gjithçka që kanë mundur të gllabërojnë dhe kanë vendosur nën kontroll këtë pushtet të rëndësishëm si mjet i cili do t`i shërbente qëllimeve të tyre politike. Ndryshimet mediale nuk bëhen përmes ligjeve, ose kurtheve të shkruara në letër, por përmes pavarësimit të tyre dhe rregullimit të tregut të medieve. Mundësia e një konkurrence të barabartë do të lironte ato nga presionet politike dhe pavarësia e tyre do të ishte e vënë në shërbimin e popullit.
 
Si LSDM-ja, po ashtu edhe VMRO-DPMNE-ja buxhetin e shtetit e kanë gllabëruar për të krijuar dhe financuar medie të tyre që do të janë në shërbimin e tyre dhe që do të prodhonin propagandë dhe ide anti-shqiptare. Vëzhguesi i thjeshtë i medieve në Maqedoni shumë lehtë mund të kuptoje tendencën e medieve maqedonase për nxitjen e konflikteve etnike, por edhe për bërjen e propagandës së qëllimshme kundër shqiptarëve të Republikës së Maqedonisë. Kronika e Zezë e cila është e zezë e vogël shqiptare, zmadhohet nga mediet maqedonase, ndërsa veprimtaritë e dobishme në shoqëri, veprimtari shqiptare që kanë efekte pozitive edhe për ambientet maqedonase, zhbëhen ose minimizohen nga sfera mediale me mundësi mos përmendjeje.
 
Në anën tjetër, kronika e zezë maqedonase e cila është tejet e zezë, tentohet që të minimizohet nga mediet maqedonase si ato qeveritare, poashtu edhe ato nga opozita maqedonase, ndërsa vlerat pozitive ose aktivitetet e dobishme shoqërore që realizohen nga maqedonasit e që janë në dobi të shoqërisë pa dallime etnike, zmadhohen nga të gjitha mediet pa përjashtim.
 
Si duket në mediet shqiptare të shkruara, elektronike dhe ato televizive e radiofonike, nuk ka një strategji të përbashkët të propagandës pro shqiptare e cila do të stimulonte vlerat e dobishme të shqiptarëve të Republikës së Maqedonisë dhe do të minimizonte kronikën e zezë ose do të paraqiste me parametra real. Opinioni është i interesuar të dije të vërtetën si për të mirën, po ashtu edhe për të keqen, por ai nuk guxon që të ngulfatet nga frika dhe imazhi që krijojnë mediet për raste dhe momente të caktuara.
 
Përveç konkurrencës së padrejtë ku ekziston në mediet shqiptare, dhe mungesës së infrastrukturës mediale dhe mjeteve për të investuar, aty gjenden edhe etiketime dhe sulme të ndryshme deri në nivelin e shpifjes. Disa medie shqiptare kanë nisur që të njihen në opinion si medie shpifëse të cilat si ushqim kryesor të veprimtarisë së tyre e kanë shpifjen. Si duket e vërteta tek to është zhbërë ose është e parëndësishme deri në nivelin sa nuk duket fare.
 
Mendoj se katër subjektet politike nëse duan që të arrijnë marrëveshje për ndryshimin e sferës mediale, duhet ta bëjnë atë gjë në formë rrënjësore duke rregulluar tregun medial, në bazë të parametrave të tregut medial evropian i cili e dënon shpifjen, por në anën tjetër, i jep dënim të njëjtë si shpifjes edhe ndërhyrjes politike ose presionit politik mbi mediet. Në fund të fundit nuk ka asgjë të keqe që një medie të ketë një përcaktim politik, por këtë gjë ta theksoje, të definohet dhe të ketë mundësi që në opinion të veproje në suaza të atij përcaktimi pa u cenuar aspak prej përcaktimeve tjera politike që mund të ishin të fuqishme deri në nivelin e dëmtimit të veprimtarisë mediale.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.