Hungaria, referendum për kuotat e emigrantëve
Për herë të parë një vend europian do të zhvillojë një referendum për kuotat e detyrueshme të BE-së për emigrantët. Qeveria hungareze ka kundërshtuar planin, sipas të cilit, vendi duhet të presë rreth 2300 emigrantë, nga shpërndarja e 120 mijë emigrantëve në të gjithë kontinentin. Në një konferencë për shtyp, kryeministri hungarez, Viktor Orban tha se “askush nuk i pyeti popujt europianë, nëse i mbështesnin kuotat detyruese”. Autoritetet hungareze kanë ngritur një gardh në kufirin me Serbinë dhe Kroacinë, për të ndaluar emigrantët që synojnë të mbërrijnë në Europën Perëndimore. Politika e tij, që ka gjetur mbështetje të gjerë në vend është adoptuar edhe në vende të tjera të Ballkanit.
Add new comment