Sfida ekzistenciale e PD-së dhe Doktorit: "Aleanca e Qelbësirave" vs "Aleancë me një Qelbësirë"

Postuar në 12 Shkurt, 2016 04:38

Në politikë ka aleancë interesash, jo aleancë vlerash. Këtë parim, Doktori e di shumë mirë, qëkur pas zgjedhjeve të vitit 1992, pranoi në koalicion Skënder Gjinushin dhe Sabri Godon. Dhe që për të cilët numerikisht nuk ua kishte nevojën. Por...ja që dikur do të duheshin.

Kjo iu kujtua sërish kohët e fundit, kur përpjekja për t’i shkelur syrin Ilir Metës, si e vemtja rrugë për diversion ndaj mazhorancës, po sabotohet nga disa "parimorë", që po t’i shohësh hollë – hollë, por edhe trashë fare, kështu duke i njohur ça malli janë, janë aty, marrin frymë, janë pasuruar dhe i kanë dhënë ndonjë kuptim edhe mbiemrit të vet, falë Doktorit dhe përfshirjes në politikë që ai ua ka konçesionuar. Kjo është e vërteta. 

Çfarë thonë këta parimorë milionerë?

Këta thonë se nuk duhet më aleanca me LSI-në, se simpatizantët e PD-së janë shumë të irrituar me Ilir Metën, se kjo nuk do të pranohej më. Se kjo do të ishte që edhe PD-ja të pranonte rotacionin e Aleancës së Qelbësirave. Por le të gjykojmë ftohtë, ose sipas standardit të bazës demokrate: simpatizantët dhe militantët do të pranojnë çdo gjë, mjafton që t’u restaurojë statusin e të punësuarit dhe të tenderaxhiut të djeshëm.

Rri Doktori e vret mendjen: pse kjo parrullë tani? Përgjigjen edhe një mendje mesatare si ajo e një sorrosiani, e gjen duke parë nga karrigia e kryetarit dhe nga Edi Rama: Të gjithë duan të ruajnë karrigen, por karrigia për njërin, është fundi për tjetrin. Ja sesi kujtimet mblidhen e i japin zgjidhje edhe të sotmes: në vitin 2005 u bashkëpunua me “Mjaft” kundër Fatos Nanos, në vitin 2005, Edi Rama, doli në fushatë kundër PS-së në një zonë, në Rrogozhinë. Dhe dëmi u bë.

 Kështu edhe këta sot, flirtojnë me PS-në dhe Edvinin, për të mos lejuar fundin e tyre, fshirjen e tyre nga lista. Doktori natyrisht fërkon duart dhe e di sesi do ta lozë. Di edhe sesi do t’ua ulë sqepin atyre që mbajnë fjalime të bukura, thuajse programatike në seancë plenare, blushëve të PD-së, që ditën bëjnë oratorin, e natën, apo mëngjeseve, ofrojnë vota gjoja në emër të kauzave të mëdha. E si të mos buzëqeshësh me këto vickla gjysmakësh? Këto vota që ofrohen kështu, badihava kundër kryetarit dhe atij, duhen përcjellë me lezet. Në ndihmë vjen Iliri, Iliri i bllokut. Qenkan 10 deputetë që duan të votojnë pro Byrosë Kombëtare. Shumë mirë: dje Doktori propozoi që të shfaqin mendimin e tyre publikisht se po keqkuptohen. Se kështu PD-ja duket një ngrehinë pa rend e pa zot.

Po mirë, mund të pyesë dikush: po Doktori dhe Loli, kryetari, pse nuk thonë publikisht diçka për aleancën me LSI-në? Të thonë, a janë “pro” apo “kundër”. Pyetje logjike edhe kjo dhe legjitime, por...këta që pyesin, a mos janë vallë kuzhinë e Sorosit? A mos janë aty si fidanë të një të keqeje me tiparet e një sëmundjeje terminale që nuk kërcënon më vetëm një karrige, por gjithë sistemin?

Ja pra kundërpyetja si zgjidhje sokratike. Po, këta janë filiza të Sorosit, vëllezër të Edvinit, qelbësira e kaluar qelbësirave. Po, po. Kjo isht Aleanca e vërtetë e Qelbësirave, por atëherë Doktori nuk e thoshte dot. Kështu është. Kjo është e vërteta. Ja sesi do të bëjmë: Aleanca me Ilir Metën, nuk është një Aleancë e Qelbësirave, por e shumta një Aleancë me një Qelbësirë. Kurse sorosianët, ahhhhh, ata janë qelbi, mutacioni i nevojshëm për një virus vrasës. Janë këneta e kadavrave shpirtërore, atyre që moralin e kanë strehuar në xhep e që janë në fakt Aleanca e Qelbësirave, që ka penetruar në PD. Po dhe po. Ky është aksi i ri politik. Në sulm! 

 

Shaptilografisti 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.