Duhet një teser partie
U bënë muaj tashmë që lajmet që prodhon politika janë irrituese. I njëjti debat, të njëjtët njerëz, po ajo gjuhë dhe po ai moral. Por vështirë se gjen lajm më irritues dhe më cinik se ai që njofton se partitë kryesore janë në zgjedhje, ose kanë bërë gati programet elektorale.
Problemi ka rëndësi pasi shqiptarët e Shqipërisë i kanë partitë të vetmet institucione reale, që kanë në dorë vendimmarrjen e vërtetë. Ndaj interesimi për atë që ndodh te partitë po merr në dritën e dështimeve spektakolare në qeverisje, rëndësi dhe vizibilitet të dorës së parë për qytetarët. Askush nuk mund të besojë më përrallat e “magjistarëve që janë diplomuar jashtë”, apo të “programeve të konsultuara me dr. Iksin e ypsilonin”, kur në vijë të parë njerëzve u thuhet do të votoni "këtë që themi ne".
Partia Socialiste ka hyrë në fushatë zgjedhjesh të brendshme. Ajo po drejton si forcë në pushtet, një fushatë me kredo morale, forcë zakoni kjo e një partie e cila idetë dhe debatin e ka zëvendësuar me dënglat dhe politikën e Power Point. Një fushatë për pastrimin dhe anëtarësimin e njerëzve të rinj në parti. Para disa ditësh eksperimenti arriti kulmin kur studentë të ekselencës flisnin me krenari se kishin zgjedhur PS-në si rrugë të suksesit. Me një montazh skematik, më i dobët edhe sesa recitalet e “Pionerëve të Enverit”, video anëtarësimi është prova se sëmundja e politikës, zvetënimi moral bashkuar me kokën bosh nga çdo (pikë)pyetje ka zbritur dhe është inçizuar thellë. Nuk ka nevojë të sjellim atë që thanë studentët e Ekselencës atë ditë, pasi dje në Berat, kryeministri Edi Rama na erdhi në ndihmë me “Formulën e Pagëzimit”.
“Më vjen mirë që këtu sot janë një numër përfaqësuesish më të rinj të PS-së. Nuk kam parasysh moshën, por faktin se mosha të ndryshme, profesione të ndryshme bashkohen në një qëllim të madh për të udhëhequr më tutje një proces historik reformash për vendin”, tha ai.
Cili është ky qëllim i madh? Dhe si është e mundur që qëllime të mëdha të hedhin rrënjë te qindra njerëz, pa u shartuar një çikë me shpirtin pragmatist, të cilin nuk e mohonte as Lenini në vaftit? Nuk duam të paragjykojmë askënd, por pse pohojmë diçka që ka një fije realiteti nuk ka pse të na bëjë të dukemi as vulgarë, e as të vrazhdë. Së pari, është e habitshme sesi ka mbetur ende dikush në Berat pa u bërë socialist; kjo nisur nga rezultatet në votime. Ose për ta përmbysur: e çfarë rëndësie ka anëtarësimi në PS në Berat?!
Dhe së dyti, kur flitet për dyfishim të numrit të anëtarësisë në fund të procesit që ka nisur PS-ja, mendja na shkon tek ai fakti historik i krijimit të Brigadave partizane, prej të cilave nga 28 që ishin në total, një njëzet u krijuan në tetor 1944. Pra kur po dukej se nga po merrte.
Kjo gënjeshtër dhe tallje për gjoja idealin e anëtarëve të rinj është mirë të shmanget: Shqipëria nuk ka as shoqëri civile që të lëvizë gishtin pa u dorovitur. Si vallë vullnetarizmi do të na gjejë vend në një parti politike që është në pushtet? Dhe si vallë kjo parti na u bëka streha e të gjitha shtresave shoqërore, të cilat mësyjnë kështu si turmë brenda, pa e cenuar aspak as drejtimin programor të saj e as praktikën qeverisëse të deritanishme?
***
Mund të kërkohet përgjigja për këto thagma parakongresiale, por sapo hedh sytë pak më anash PS-së, panorama politike të zbardhet me optimizmin e...Zgjedhjeve në LSI. Nuk është për të qeshur, por Luan Rama e ka bërë të qartë: Në LSI do të ketë zgjedhje sipas parimit “një anëtar një votë”. Dhe kësaj radhe ai përfaqëson LSI-në kur flet. Ja se çfarë tha dje ai:
“Ky proces zgjedhor do të përfshijë të gjithë nivelet e partisë që nga organizatat pranë qendrës së votimit deri tek Konventa Kombëtare Zgjedhore dhe të gjitha strukturat e LSI-së. Votimi i fshehtë për të gjitha nivelet, kandidimi dhe konkurimi përmes parimit një anëtar një votë, është konstante e pandryshueshme e LSI-së sepse standardet dhe rregullat që normojnë mënyrën e zhvillimit të zgjedhjeve janë në edukatën e LSI-së dhe ne nuk i ndryshojmë kriteret sipas stinëve”. Të vihet re se në ndryshim nga Rama kryeministri që flet me kontrapunkte leksikorë – të rinj, të moshuar, me shkollë pa shkollë – Rama i LSI-së flet për Konstante vlerash. Është me të vërtetë më e sinqertë dhe më e pranueshme: Ilir Meta është konstantja gravitaconale e LSI-së. Ajo që kushtëzon çdo zgjedhje dhe zgjidhje. Është siç thërrisnin dikur në vitin 2011 ata të rinjtë e LSI-së: “E vërteta” e kësaj partie. Nuk meriton asnjë rresht më shumë procesi i zgjedhjeve në një parti e cila e ka ristrukurimin pasqyrë të humorit të një njeriu.
***
Nëse ndërron këndin me 90 gradë e hidhesh nga PD-ja, parodia politike kap maja të tjera: Lulzim Basha, kryetari i saj, duket se e ka gjetur formulën e dualizmit të tij me Sali Berishën: “Kryetari jam unë. Berisha është institucion më vete”, tha ai dje në emisionin “Zonë e Lirë” të Arjan Çanit. Kjo është si të thuash se nëse PS-ja ka të Urtët që nuk dihet ku janë më, edhe PD-ja ka Plakun e vet që bën Pleqësinë, për t’ja lënë ekzekutivin kryetarit. Nuk ka asnjë kuptim real. Është e vërtetë se PD-ja e ka mbyllur procesin zgjedhor të brendshëm, ashtu si përherë, pa u marrë vesh se çfarë ngjau tamam, por deklarimet e saj të fundit për Programin Elektoral zbardhin një aspekt që e bëjnë dramatik kthimin e saj në pushtet. Edmond Spaho deklaroi dje se punësimi, rritja ekonomike dhe kthimi i taksës së sheshtë në 9% janë pikat kryesore të programit. E thënë thjesht: PD-ja po u ripropozon shqiptarëve si program alternativ, qeverisjen e Sali Berishës, por pa Sali Berishën prezent. A është kjo serioze dhe vërtet alternativë?
Humbja e vitit 2013, në një farë mase i dedikohet premtimeve të së majtës, por ajo patjetër që lidhet edhe me qeverisjen e PD-së në tetë vjet. Me politikat e saj, me gabimet, por edhe me deficencat që prodhuan disa drejtime programorë. Më tej duhet pyetur: a ka një studim që të tregojë se ndryshimi i regjimit fiskal nuk shoqërohet me pasoja?
***
Po flasim për tre katër njerëzit jo vetëm më të pushtetshëm në Shqipëri, por ç’është më e rëndësishmja: ndër më të pasurit. Njerëz që kanë mbledhur rreth vetes besnikët dhe rrethin e interesave duke zhongluar zgjedhje e programe, gjithë në kudhrën e interesave të tyre, të cilat shpesh kryqëzohen.
Procesi zgjedhor në partitë shqiptare, ato kryesoret, merr rëndësi sot, pasi zgjedhjet politike në shkallë vendi, kanë ardhur duke u përmirësuar. Duket se politika nuk do t’i lejojë më vetes gabimin e vjedhjes së votës dhe manipulimit masiv të saj, aq sa të mbajë pushtetin mbi të. Për rrjedhojë, loja e vetme që mbetet për të kontrolluar pushtetin është ky teatër elektoral brenda partive që riprodhon të njëjtat fytyra. Që sot po kërkojnë turma të reja brenda gardhimit të partitokracisë, e po shpërndajnë teserat si “garanci” statistikore vote. Nëse ka një të mirë kjo është se loja nuk ngjit më dhe aq. Dhe ajo po bëhet me shumë kosto për të gjithë. Kështu ndodh përherë me skemat piramidale.
Add new comment