Cilat janë synimet e Shqipërisë me çështjen çame?**

Postuar në 20 Janar, 2016 12:59
Alexandros Mallias/Ish-ambasadori i Greqisë në Shqipëri

Rrugët e daljes nga moçali ku gjenden marrëdhëniet shqiptaro-greke pas vitit 2009 janë një e përpjetë e madhe. Deklaratat me nota optimiste që janë bërë në të shkuarën janë produkt i politikave konjukturale dhe partiake si në Athinë ashtu edhe në Tiranë.
Artikulohen kryesisht në Greqi, në kohën kur Shqipëria ndodhet në periudha para dhe paszgjedhore për shkak të prirjeve të kahershme të qeverive të Athinës për të parë një ndryshim në qëndrimet e Tiranës. Për më tepër, ky është sezoni që zakonisht lulëzojnë të ashtuquajturit emisarë engjëllorë midis dy kryeqyteteve.
Megjithatë pritshmëritë për rikuperim të marrëdhënieve nuk bazohen në gnosticizëm, por thjesht në ambicje dhe iluzione të kota. Ato kanë emër dhe firmë. Në Athinë duhet të kuptojmë se në kufijtë e Greqisë janë disa vende që kanë një politikë të qëndrueshme dhe ndjekin një strategji afatgjatë në përmbushje të qëllimeve dhe objektivave të tyre. Pavarësisht dobësive, fqinjët tanë nuk e bazojnë politikën e tyre në identitetin politik apo emrin e kryeministrit.
Ne në Athinë duhet të kuptojmë po ashtu se deklaratat që kemi dëgjuar shpesh vitet e fundit nga zyrtarët grekë të tipit “hapet një kapitull i ri në marrëdhëniet mes dy vendeve” prezantojnë më shumë një dëshirë të paplotësuar sesa një realitet konkret. Përveç kësaj, leximi shqiptar i takimeve bilaterale është orientuar në një frymë dhe një kontekst tjetër edhe në diskursin publik. Të tjera gjëra themi ne, të tjera gjëra thonë ata. Tjetër thuhet në memot tona, tjetër në memot e tyre.
Interpretimi që pala shqiptare i bën situatës vitet e fundit, duke e konsideruar veten në pozita superiore karshi Greqisë, për shkak të mungesës së stabilitetit, është se Athina ka më shumë nevojë se Tirana për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve. Mbështetja pa kushte e Greqisë për statusin kandidat të Shqipërisë në qershor të 2014 ishte një tregues që përgënjeshtroi frikën e Tiranës, ndonëse u humb një mundësi e mirë për të vendosur një kuadër marrëdhëniesh që në kushte të caktuara mund të prodhonte rezultate konkrete. Për çështjen e statusit kandidat Greqia ka ndjekur politika të ndryshme për Turqinë, për ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë dhe për Shqipërinë.

Frikë dhe dyshime nga të dyja palët
Greqia si një shtet i konsoliduar dhe opinioni publik grek janë ballafaquar dhe vazhdojnë të ballafaqohen me Shqipërinë dhe shqiptarët të shoqëruar nga frika dhe dyshimi. Edhe në Shqipëri, në veçanti establishmenti mediatik dhe politik, si dhe institucionet shtetërore e kanë parë po ashtu Greqinë me ndjenjat kontradiktore të frikës, dyshimit dhe pasigurisë.
Vitet e fundit për shkak të rrokullisjes së Greqisë në korrupsion, mes Eurozonës dhe kaosit, prestigjit dhe mungesës së dinjitetit, Tirana pavarësisht kryeministrave, partive apo qeverive ka vlerësuar se fqinji i saj jugor është dobësuar dhe ka humbur terren, duke shtuar edhe retorikën e arrogancës.
Greqia me të drejtë ngre pyetjen, çfarë kërkon të arrijë Shqipëria me shndërrimin e çështjes çame në çështje kryesore të axhendës së saj politike dhe kombëtare si brenda vendit ashtu dhe në politikën e jashtme? Nga ana e saj Shqipëria nuk është e bindur se Greqia nuk ka një axhendë të fshehtë në raport me fqinjët, duke ruajtur paqartësi në lidhje me heqjen e ligjit të luftës dhe vlefshmërinë ligjore të pasojave të tij. Heqja e Ligjit të Luftës është bërë me një vendim të Këshillit të Ministrave më 28 gusht 1987, por që kurrë nuk mori formë ligjore ose të Dekretit të Presidentit.
Ky vendim iu njoftua zyrtarisht palës shqiptare në formën e një note verbale. Nuk do doja të ndalesha më tepër në këtë pikë. Mirë është që Greqia të kuptojë krizën e raporteve dhe përmbysjen që solli një notë verbale e Ministrisë së Jashtme greke drejtuar ambasadës shqiptare në Athinë, në prill të vitit 1999. Asokohe isha ambasador i Greqisë në Tiranë.
Nuk e kuptova pse krejt papritur Shqipëria hapi çështjen e abrogimit të Ligjit të Luftës me Greqinë në një kohë po zhvillohej lufta e Kosovës, derisa një zyrtar i lartë i shtetit shqiptar më dorëzoi një kopje të dokumentit tonë të klasifikuar si "Top Secret" ku specifikoheshin pasojat në marrëdhëniet tona.
16 vjet më vonë, pala shqiptare i referohet vazhdimisht kësaj shkrese në takimet e rregullta me zyrtarët grekë, duke këmbëngulur që vendimi i Kabinetit në gusht 1987 të marrë formë ligjore...(vijon).

*Kjo është një pjesë e artikullit të botuar nga ish-ambasadori grek në Tiranë, Aleksandros Malias, për revistën "Mbrojtja dhe Diplomacia", numri i Janarit.
**Titulli është i redaksisë së "ResPublica"

Comments

Submitted by Autoktoni (not verified) on

Grekeve, t'u tregohet kufiri tek thana, pa asnje medyshje.
Duke trajtuar, per mendimin tim, keto ceshtje kryesore :
Te hiqet ligji i luftes.
Ceshtja came
Pronat e cameve
Rivleresimi i pronave came
Fitimi i munguar nga pronat came.
Firmosja e proves verbalit te kufirit TOKESOR, mbasi ka mbetur i pa firmosur nga pala greke.
Rivleresimi dhe Ripercaktimi i kufirit DETAR, sipas te drejtes nderkombetare, me te njejten llogjike qe u percaktua me palen italiane.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.