Në Britani liria e fjalës po zhduket në heshtje

Postuar në 19 Janar, 2016 15:07
CHARLES C. W. COOKE/National Review

Shkopinjtë dhe gurët mund të thyejnë kockat, por fjalët nuk mund të më lëndojnë kurrë.” Diçka e përafërt na është thënë që fëmijë. Kohët e fundit, kjo maksimë është gjendur nën zjarr të pandalshëm, sepse dallimi mes dhunës fizike dhe kritikës verbale ka ardhur duke u shuar. Ligjet kundër gjuhës së urrejtjes, që gjenden me shumicë tashmë jashtë SHBA-ve, mbështeten shumë në supozimin se fyerja dhe përbuzja janë të barabarta në dëmin e tyre me armët dhe gjakderdhjen, dhe që shteti është në gjendje ta kontrollojë me ndjeshmëri përdorimin e tyre. Dikur, pranohej si emblemë e Iluminizmit se çdo qeveri që përpiqej të kontrollonte nga afër fjalën e lirë ishte e destinuar për katastrofë, në mos për tirani. Tashmë, edhe atdheu i John Stuart Mill-it është zhytur në llucë. Në Britani, si në shumë vende të Europës, dhjetëra mijëra njerëz hetohen nga policia për asgjë më shumë se shfaqja pa takt në publik. Dhe votuesit duartrokasin si foka.

Le të shikojmë lajmin që një person i famshëm në Britani, e quajtur Ursula Presgrave u shpall këtë javë në Londër fajtore për “komunikim të qëllimshëm.” Krimet i saj? Kishte shkuar në Facebook që “të gjithë të lindurit me sindromën Daun duhet të vriten” para se të detyrohen të bëjnë “jetën e pakuptimtë të perimeve”, dhe ngaqë kishte ruajtur në telefonin e saj një seri gazmoresh që talleshin me sakatët. Kur u pyet nga prokurorët nëse e pranonte që kishte kryer një krim, Presgrave pranoi pa shumë kundërshtime. Brenda një muaji do të merret vendimi, dhe, varësisht nga gjendja shpirtërore e gjykatësit, ajo mund të kalojë gjysmë viti në burg ose të paguajë gjobë 5000 sterlina. Një tjetër çekiç u përdor për të thyer një lajthi.

Që një person i lirë të pranojë lehtësisht mundësinë e të dënimit me burg për shkak se ka mendime të shëmtuara duhet të hedhë pak dritë mbi gjenden e sotme të lirisë intelektuale në Britani. Padyshim që Presgrave është mendjelehtë, dhe pikëpamjet e saj janë moralisht të dënueshme. Por kjo nuk është e punë e qeverisë së Madhërisë së Saj ose tjerëve më poshtë që veprojnë ndën koracën e saj. Ajo nuk kërcënoi njeri; nuk rrezikoi njeri ose nuk kishte indikacion për shkelje ligji; nuk u zbulua ndonjë komplot. Në vend të kësaj, një njeri me intelekt poshtë mesatares dhe me kalibrim etik të dyshimtë shprehu një opinion abstrakt që të dyja palët, shumica dhe klasa e analistëve, e konsideruan të neveritshëm. Në një vend ku njerëzit e tij janë të lirë, ky nuk mund të jetë krim. Përkundrazi: Toleranca ndaj këto lloj shprehjesh është ajo që e dallon një vend të lirë nga tiranitë. Duke dënuar Presgrave për diçka që nuk është më shumë se krim mendimi [term i krijuar nga Oruelli në romanin 1984], Britania gabon rëndë.

Pavarësisht sa të këqija janë akuzat në vetvete, ato bëhen dhe më të rënda kur shikon se mendimi për të cilin ajo është ndëshkuar është kulturalisht normal dhe ligjërisht i mbrojtur në Britani. Sipas ligjeve të atij shteti, nënat që presin fëmijë me sindromën Daun dhe paaftësi të tjera lejohen t’i abortojnë deri në momentin e lindjes – disa muaj pas kufizimeve të abortit në vende të tjera. Nuk ka asnjë mundësi të arsyeshme të mos e kuptosh këtë dallim ligjor veç si pasqyrim të besimit se fëmijët me aftësi të kufizuara shpesh janë më mirë të vdekur sesa të gjallë – i njëjti pretendim, me fjalë të tjera, që e çoi Presgrave në gjyq. Duke gjykuar nga sjellja e saj, nuk kemi rrugë tjetër veç të mendojmë se qeveria britanike beson që fjalët dëmtojnë sa shkopinjtë dhe gurët, madje dhe më shumë. Sipas ligjeve aktuale, mjeku që vret fëmijën e pa lindur një javë para se ai të vijë në jetë meriton lavdërime dhe mbrojtje ligjore, kurse një person që lartëson përdorimin e euthanasisë [vrasja e një personi me sëmundje të pashërueshme për ta shëtuar nga vuajtja] pak ditë më vonë në këtë qark meriton burgim. A s’ju duket më e lirë vrima e miut?

Kur kritikojmë tundimin e pafundmë të shtetit drejt shtypjes, është tipike të vizatohen censuruesit si figura negative dhe masa e qytetarëve si viktima të pafajshme të tyre. Në një diktaturë kjo sjellje ka kuptim. Por në Britani, një demokraci përfaqësuese, kjo nuk shkon. Siç shkruante Daily Mirror, Presgrave u arrestua pasi disa qytetarë bënë ankesë zyrtare në polici. Është për të ardhur keq që të lexosh për lirinë e fjalës në Anglinë e 2015-ës do të thotë të lexosh një grup qytetarësh që “shesin” qëllimisht tek autoritetet dikë që ata nuk e pëlqejnë. Askush, me sa duket, nuk është i sigurt nga informatorët: as të famshmit, as gazetarët, as administratorët e universiteteve, as pijanecët që përdorin mediet sociale, as besimtarët myslimanë, as ateistët jo besnikë – askush. Nëse del nga vija, dikush, diku do të thërrasë policinë. A s’ka mbetur njeri në Britani që ta mbyllë telefonin duke vënë buzën në gaz?

"Postbllok.com"

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.