Hall i madh me LSI-në...
Halli i socialistëve mbetet Ilir Meta dhe Lëvizja Socialiste për Integrim. Përpjekjet disa vjeçare për të ricikluar skenën dypolare politike kanë dështuar dhe së fundmi, me lajme për prishje drekash e darkash mes drejtuesve të dy partive të koalicionit, krijohet ideja se krisja do të çojë herët apo vonë në divorc dhe në zgjedhje. Nga kjo qeveri ka mbetur vetëm një përpjekje serioze për nga pasojat dhe jo nga qëllimi: reforma në drejtësi.
Dy komentatorë të afërt me PS-në, Mentor Nazarko dhe Skënder Minxhozi shkruajnë sot për “hallin LSI” që po detyron që reforma të kalojë nga duart e politikës. Nazarko luan edhe juristin profesionist kur merr në një thuajse analizë propozime të caktuara të Ylli Manjanit, për të mbërritur në finale tek produkti politik i kësaj çarjeje që po thellohet. “Ngjan se ky aktivizëm që në emërtesë është i Ministrisë së Drejtësisë, është ndërkohë sfidë për unitetin e qeverisë. A mund të ketë Ministria e Drejtësisë një qasje më të veçantë nga gjithë maxhoranca në lidhje me reformën? Dhe nëse s’është kështu, pra po të pranojmë se ky është variant i LSI-së, a mund të ketë LSI një variant të veçantë nga ai i maxhorancës, e cila formalisht përfaqësohet nga grupet e ekspertëve të nivelit të lartë? Pse LSI-ja, apo Ministria e Drejtësisë nuk u përfshi aktivisht në punën e këtyre grupeve që përpara dhjetorit, duke reflektuar saktësisht këtë qasje që shihet në këtë draft, qasje pajtuese mes palëve? Ç’do të bëjë opozita: do të pranojë këtë qasje ndërhyrëse të ministrit të Drejtësisë, ndërsa ankohet për rol të fortë të qeverisë në draftin zyrtar? A po luhet nëpërmjet këtij drafti, një test për rikthimin e aleancës LSI-PD në zgjedhjet e ardhshme? Apo po hidhet tym, po përpiqet të fitohet kohë, diçka në kundërshtim me rekomandimet ndërkombëtare”, shkruan në “Panorama” Nazarko. Minxhozi nga ana e vet, shfaqet më i merakosur për mbylljen e reformës në drejtësi, duke u falur te faktori ndërkombëtar për finalizimin e saj, pse kështu një fije shpresë mbetet akoma. “Këto orë aleati kryesor i PS Ilir Meta, po shtyn me anë të ministrit të tij të drejtësisë, drejt idesë së një konsensusi politik. Përtej faktit që kjo ribën rregullat e lojës që kanë qenë në fuqi qysh nga dita e parë e fillimit të punës për reformën, ngulmimi i LSI për konsensus para Venecias (e jo pasi ky organizëm të ketë folur), duket sikur po mundohet të krijojë një pengesë shtesë për t’ja lënë fjalën e fundit ekspertëve të qytetit të famshëm bregdetar. Nëse ëshë e vërtetë se ka një konsensus në distancë nga të gjithë aktorët kryesorë politikë, për të votuar bashkarisht draftin final që do të dalë nga tryeza e Komisionit të Venecias, përse duhet që politika shqiptare të fusë shkopinj në rrota? Nga ana tjetër, a nuk është tashmë “politik” procesi i reformës, meqenëse ai drejtohet nga një komision i posaçëm parlamentar, ku janë të përfaqësuara të gjitha palët politike”, shkruan Minxhozi.
Duket qartë se halli i këtyre komentatorëve është fati i reformës, por sidomos pozicioni i cepit të ringut ku është vendosur kryeministri dhe PS-ja. Në një çështje kaq me rëndësi si reforma në drejtësi, nuk mund të tolerohen faulla as në planin procedurial dhe sidomos pastaj, që një prej aleatëve të arrijë të imponojë skemën e veprimit dhe hapat e miratimit. Ilir Meta ka folur për konsensus duke sponsorizuar kështu një riciklim në tryezë të PD-së, e cila përndryshe do ta kishte shumë të vështirë. Rruga e protestave për një reformë në drejtësi, e cila i heq asaj dominimin mbi një pjesë të sistemit do të ishte e vdekur që në fillim për PD-në. Për këtë arsye leximi i Nazarkos ka vend, kur flet për një pakt PD-LSI. Koha ikën shumë shpejt dhe erozioni i marrëdhënies PS-LSI është shumë i madh. Ai na flet për pamundësi të riunifikimit të së majtës dhe kjo është shumë pozitive: skena politike do të duhet të riorganziohet.
Comments
Ilir Meta, me reformen ne
Ilir Meta, me reformen ne drejtesi, eshte kapur shah, me nxjerrjen e pergjimit nga Artan Hoxha, ka dale shahmat.
Emgjithe kjo loje, eshte dirigjuar nga SALI RAME BERISHA.
Sali Berisha, futi ne loje Fevziun dhe Artan Hoxhen, per te nxjerre pergjimin e Ilir Metes me Kac Ismailin, per t'ja tundur Ilir Metes ne forme presioni.
Kjo gje, funksionoi.
Ilir Meta, para presionit te shkuarjes ne burg, do t'a kaloje miratimin e reformes ne parlament, duke bere pale PD, ne vendimin e reformes ne drejtesi, gje qe, do te jete nje reforme bllokuese. Pra, deshtimin e reformes.
Me kete gje, rrezohet qeveria.
Formohet koalicion i ri qeveritar PD+LSI, me kryeminister Sali Berishen (ose Lul Bashen), dhe Ilir Meta, vazhdon si kryeparlamentar.
Duke u bere bashke, Saliu me Ilirin, fusin Edi Ramen ne burg.
Sic pi duken bathet, Saliu, ja futi eshe ambasadorit Donald LU dhe SHBA, etj.
Add new comment