Pse nuk i lihet ekspertëve edhe reforma zgjedhore?

Postuar në 09 Janar, 2016 13:37

Sot u njoftua për një takim gati dy orë mes kryeministrit Edi Rama dhe aleatit të tij në qeveri, kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta. Po kështu njoftohet edhe rikthimi i ekspertëve të PD-së në tryezë bashkë me lajmin se “mazhoranca ka tërhequr draftin e vet fillestar” të amendimeve për reformën në drejtësi.  Sorrollatja në fjalë nuk ka ndonjë rëndësi kushedi se çfarë përpos faktit se ajo që duhet të ishte bërë që në fillim, po ndodh vetëm tani. Kryeministri mendoi të hidhte për miratim një reformë ekskluzivisht ekspertësh me mendimin e shpallur prej tij, se politika nuk duhet të fusë duart. Në fakt, ekspertët do të shkrujanë atë që dinë, ndërkohë që një reformë e vërtetë buron pikërisht nga vullneti politik që duhet të provojë se është për ndryshimin që pritet. Kjo qasje e kryeministrit, bashkë me heshtjen e tij, ndërkohë që për draftin prononcoheshin të gjithë, duke i lënë rolin e PS-së, ambasadorëve Lu e Vlahutin, thjesht nuk ka kuptim. Thjesht nuk e gjen dot në asnjë rast tjetër.
Ekspertët e Nivelit të Lartë që u angazhuan nga PS-ja, sot ndodhen në pozitën më të keqe të mundshme, kur puna e tyre, do të duhet të kalojë në filtrin e diskutimit politik, pra në gjykimin e interesave të aktorëve të politikës, duke pranuar kështu pas notës katër të Komisionit të Venecias, edhe notën katër nga Ilir Meta e Sali Berisha. Kjo situatë ka emrin: poshtërim. Dhe vjen pikërisht nga “loja” e “zgjuar” e kryeministrit për t’i lënë në derë politikës e Parlamentit “reformën e vërtetë të ekspertëve”, me anë të një hipokrize kalamajsh.
Sot Edi Rama do të duhet të lëpijë atë që pështyu: pra të lexojë draftin, të diskutojë, të dëgjojë Ilir Metën dhe pastaj të japë urdhër për të bërë korrigjimet e nevojshme. Të bëjë pra një reformë përmes vendimmarrjes politike. Por kjo sjellje është vijë normale e tij. E rëndësishme është që demagogji të tilla të mos përdoren më.

 Për analogji po sjellim në vëmendje një reformë shumë të njohur për opinionin: reformën zgjedhore. Në asnjë rast të vetëm, në asnjë, nuk kemi dëgjuar nga Edi Rama që reformën zgjedhore e bëjnë ekspertët. Apo se nuk e ka lexuar draftin. Ai është autor i listës së mbyllur, i ndryshimit të sistemit zgjedhor dhe në finale fare, në konfirmim të zakonit të tij për t’u bërë qesharak: PS-ja e urdhëruar prej tij, kërkoi përfshirjen si dispozitë të Kodit Zgjedhor të vlerësimit të fletëve të votimit të kontestuara, pikërisht sipas asaj procedure që vuri në punë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për rinumërimin e votave në Tiranë gjatë zgjedhjeve lokale të vitit 2011.

Kukafshehti me ekspertët dhe ardhja në këtë pikë sot është një pseudopolitikë, pasi një kryeminstër që ka marrë 1 milionë vota është aty për të bërë diçka, në mos shumëçka, e jo t’u provojë shqiptarëve në mënyrë implicite, ditë pas dite se “unë po përpiqem, por nuk më lënë këta”. “Se unë e bëra reformën më të mirë, me ekspertë, por nuk donte Ilir Meta dhe Sali Berisha. Se unë kisha për qëllim pastrimin, por të korruptuarit u bënë bashkë”. Një reformë ekspertësh nuk do të vlente as në rastin e një sektori thellësisht teknik si IT, ku edhe aty kërkohet vizion menaxherial dhe shtrim politikash.

Katandisja e një kryeministri në këtë derexhe ka sjellë atë që besimin kryesor nëse kjo reformë do të kalojë apo jo, shumëkush e ka tek angazhimi i ambasadorit amerikan. Sa për kryeministrin, duket qartë se “skema” e tij nuk eci, pa shtuar këtu se në thelb, vetë Edi Rama është dorëzuar përballë sfidave të qeverisjes. Për aq sa shohim reagimin në shumë drejtime, kjo qeveri thjesht po e shtyn. Dhe një situatë e tillë është  fatkeqësi për të gjithë. 

Comments

Submitted by lira (not verified) on

Kesaj I thone 'ia keni fut shume kot'. Nuk keni kuptuar asgje. Perderisa doni qe reformen ta bejne politikanet. Atehere na shpjegoni pse nuk e kane bere deri tani? Urrejtja per Ramen me duket se ju paska erresuar arsyen

Submitted by redaksia on

Reformat jane vendim politik lira dhe jo tekst ekspertesh. Ekspertet mund te pergatisin drafte tere kohen, ne fund ato do miratohen politikisht. Dhe ai qe ke te drejten e miratimit, ka patjeter tagrin e korrigjimit. Ndaj kjo qe ben kryeministri - te cilin sinqerisht nuk ka me kohe njeri besoj ta urreje- eshte thjesht nje loje. Ketu nuk po marrim ne veshtrim sesa te pavarur jane ekspertet, drafti i te cileve edhe keshtu, u rrezua nga Venecia.

Submitted by Gjon Kole ASHTA (not verified) on

Do te ishte gjeja me e mire, qe edhe kodi zgjedhor te hartohej,perpunohej, redaktohej, e finalizohej nga ekspertet, mundesisht nje ore e me pare.
Politika larg duart nga ligjvenia. Eksperienca, ka treguar se kudo ku ka vene dore politika, c'do gje ka deshtuar.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.