Autobiografia e Mehmet Shehut: Planet për akte terroriste kundër Zogut dhe pendesa për ekzekutimet e urdhëruara nga Dushan Mugosha
Mehmet Shehu, njeriu i hekurt i Partisë së Punës i ardhur nga radhët e luftës dhe krahu i djathtë i Enver Hoxhës deri në vitet ’80 ka dokumentuar veprimtarinë e tij politike dhe luftarake në një autobiografi që sheh dritën e publikimit dhe që tregon një anë tjetër të ish-heroit të luftës së Spanjës që nga koha kur ai nisi të aktivizohej me grupet komuniste. Shehu tregon antizogizmin e tij dhe idetë për të kryer akte terroriste kundër mbretit. Më tej ai sqaron edhe marrëdhëniet brenda elementëve komunistë gjatë luftës dhe raportet me Jugosllavinë e Titos.
“Në këtë kohë tek unë u shfaq ideja e luftimit të regjimit të Zogut me anën e terrorit e të heronjve dhe isha i vendosur të kryeja akte të tilla. Unë propozoja plane të çuditshme, si p.sh. asgjësimin e deputetëve dhe të qeverisë gjatë mbledhjes së tyre në Parlament me anën e granatave. Nga Kolegji i Napolit kam mbajtur korrespodencë me Shyqyri Rroqin. I kam shkruar në këtë kohë edhe Qazim Koculit në Francë etj”
Ilegal me Hysni Kapon
Në Vlorë kam pasur grindje me Liri Gegën dhe kur dëgjova për vrasjen e Mynir Xhindit, e kuptova se ky ishte kombinacion i Liri Gegës, prandaj m’u fiksua ideja se Liria ishte armike e Partisë. Kurse ndaj Sadik Premtes më mungoi vigjilenca dhe më vonë nuk e likuidova, mbasi Dushan Mugosha më dha direktivën jo të drejtë, sipas së cilës duhej ta likuidoja, por në mënyrë shumë të kujdesshme. Unë vetë në këtë kohë kam qenë shumë sektar dhe i ngurtë kundër elementit nacionalist.
Komandant në luftë
Gabimin që pushkatova 66 ballistë në Lushnjë e bëra, sepse ekzistonte tek unë fryma ekstremiste dhe po kështu më influencoi Dushan Mugosha, i cili ishte më ekstremist se unë. Nuk kam qenë dakord me ngritjen në përgjegjësi të Liri Gegës, Ramadan Çitakut dhe Dali Ndreut. Për këtë kam kërkuar sqarime dhe në maj 1944 më thirri në KQ shoku Enver, ku ishte edhe Liria e Ramadani. Aty unë heshta, se po të flisja, fjalët e mia do të ktheheshin në armë kundër meje. Në fund të vitit 1944, kur dëgjova që Liria e Ramadani u përjashtuan nga KQ e sekretar organizativ u zgjodh Koçi Xoxe, u gëzova shumë. Vendimet e Plenumit të Dytë të KQ i mora vesh në vitin 1948, se mua nuk më vihej veshi në KQ, më mbanin në periferi, prandaj isha i pakënaqur.
Marrëdhëniet me Jugosllavët
Shenjat e para të jugosllavëve për të shkrirë ushtrinë tonë me atë të tyre fillova t’i shihja që në vitin 1946, por zemërimi i tyre (jugosllavëve) ndaj meje u shtua pas konferencës së shtatmadhorisë sonë, në prill të vitit 1947, dhe ata intensifikuan intrigat e tyre derisa nga fundi i vitit 1947 ata morën në dorë drejtim e Drejtorisë Politike e të Shtatmadhorisë. Periudha më e tmerrshme për mua ka qenë nga nëntori 1947 deri në shtator 1948. Me vetëvrasjen e Nako Spiros për mua u bë e qartë se Partia kish rënë në duart e trockistëve dhe shoku Enver qe izoluar.
Ne e dinim fytyrën e Titos, por antisovjetizmi i jugosllavëve dhe sjellja prej trockisti e K. Xoxes ish e qartë.Procesin që organizoi Koçi Xoxe kundër atyre që kishin kryer Shkollën Teknike të Fullcit, se kishin kryer kurs si agjentë amerikanë, nuk e quajta të drejtë. Koçi e bënte këtë manovër që edhe unë të konsiderohesha agjent i amerikanëve. Dhe, po të provohej kjo tezë me metodat e Koçit, mund të provohej dhe implikimi i Nakos e Liri Belishovës, sepse ata të dy kishin afinitete me mua. Pas ndonjë procesi të kurdisur për Nakon dhe për mua, do kurdisej dhe procesi i fundit ku të implikohej shoku Enver. Këtë e vërteton provokacioni i K. Xoxes me anën e letrave të Pandi Frashërit.
Përshatur me shkurtime nga Panorama
Add new comment