Iniciativë ligjore në Parlamentin francez për heqjen e sanksioneve ndaj Rusisë
Apo lëviz Franca drejt një aleance preferenciale me Rusinë duke kapërcyer barrierat e vëna nga Bashkimi Europian? Kjo është ende herët të thuhet, por sulmet e Parisit ka gjasa të kenë ndryshuar shumëçka në një vend si Franca. Agjencia ruse e lajmeve, “Sputnik” citon një ligjvënës francez të Partisë Republikane, Thierry Mariani, i cili ka iniciuar një rezolutë për heqjen e sanksioneve ndaj Rusisë. Rezoluta do të diskutohet në muajin janar në Asamblenë Nacionale. "Hapi tjetër është mbledhja e sa më shumë firmave mes anëtarëve të Parlamentit në kuptim të kësaj rezolute. Objektivi im është 150 firma. Pasi t’i kem mbledhur, planifikoj që në janar të prezantoj rezolutën për debat në Asamble”, thotë Mariani që ka qenë dikur edhe ministër Transportesh. Rezoluta përkufizon se sanksionet ndaj Rusisë bien ndesh me interesat themelore të marrëdhënieve ruso-franceze dhe se ato “janë joefektive dhe më së shumti të paligjshme në terma të ligjit ndërkombëtar, si dhe të dëmshme për interesat e Francës”.
Nuk dihet sa do të gjejë miratim ky dokument, por ai dëshmon se në Francë ka njerëz që po mendojnë seriozisht për rishikikm të politikave. Kjo me Rusinë lidhet sa me ekonominë, aq edhe me politika të sigurisë. Franca nuk mund të bëjë dot gjë në Siri pa Rusinë apo pa ndonjë aleat tjetër. Aktualisht SHBA dhe NATO nuk duken shumë të angazhuar në këtë drejtim, pa folur për komplikimet e mëdha që sjell roli i Turqisë në këtë çështje. Këtu do shtuar se disa media ruse të afërta me Kremlinin, në vijimësi shkruajnë për ndryshim raportesh pushteti në Europë që pas sulmeve të Parisit, duke i bërë jehonë një rifuqizimi të Francës në raport me Gjermaninë.
Add new comment