Arvanitët e maleve – aty ku flasin hyjnitë
Sapo jam kthyer nga Greqia dhe padyshim, udhëtimi drejt Livadhjasë për të shkuar drejt fshatit Qiriaqi (apo Kiriaki siç e shkruante Eda Derhemi në një shkrim të saj, çka dhe u bë shkas që të nisem drejt atyre maleve) më kishte lënë mbresa të mëdha, për faktin se deri atëherë, fshatrat arvanitase i kisha parë në fushat e Atikës, Mandra-s, drejt Korintit apo drejt Livadhjasë e Beotisë, etj, por kësaj radhe, ata i gjeta majë malesh ku padyshim, vizitori që vjen nga larg bën pyetjen: përse vallë janë ngjitur arvanitasit deri këtu?
Caku, miku im i përhershëm i këtyre udhëtimeve nëpër Greqi, me të hyrë në zonën e Beotisë më tregonte në të djathtë atë fushë të madhe, që dikur kishte qenë kënetë dhe që quhej Kopaidha e që dikur banohej nga fshatarët arvanitas të Beotisë, Livadhjasë e çamët e ardhur dhe ku mushkonjat bënin kërdinë. Kishin qenë anglezët që e kishin tharë pas luftës së dytë botërore, duke e kthyer në një tokë bujqësore. Diku në një kthesë, Caku më tregon një bujtinë të këndshme. “Ja, dhe atje janë arvanitët.” Dhe ai më tregoi historinë e pronarëve të atij lokali, para se të shkonim drejt Livadhjasë dhe të ktheheshim majtas drejt maleve, nga Aliatros, Vaja, Petra (Guri) vende ku gjen gjurmët e arvanitasve. Është familja Halia që do të thotë i “dëshpëruar”, pasi kështu u kishte mbetur mbiemri tre vëllezërve arvanitas që ishin vendosur prej shumë kohësh këtu në Beoti, mes vreshtave dhe fushave të pambukut. Në vitet ‘70 të shekullit XX, fushat ishin të lulëzuara dhe të mbjella me karota, qepë, tërfil dhe se në kohën e presidentit Papandreu industria lulëzonte, por tashmë, shumë godina fabrikash e uzinash janë kthyer në karakatina që të lenë një shije të keqe e trishti. Vazhdojmë rrugën dhe marrim drejt maleve por më parë është miku ynë grek Kremidha (rakinë e ka të butë i ziu) që na tregon rrugën drejt Parnasit për të kaluar nga Xironomi, drejt Mavromatit që ndryshe do të thotë “syri i zi”. Më kot kërkojmë fshatin arvanitas Kukura, pasi që në vitin 1950 qeveria e ka hequr këtë emër arvanitas dhe e ka shndërruar me emrin e ri të fshatit “Agia Ana”, (Shën Ana), çka tregon vazhdimësinë e një politike asimilimi deri në emrat e dikurshëm të vendeve të banuara nga arvanitët, pa folur pastaj për shkollat e gjuhës arvanitase që nuk mund të imagjinohej). E megjithatë, arvanitasit përsëri e quajnë Kukura. Më së fundi, atje ku një tabelë na tregon udhën drejt Kiriaki (Qiriaqi) ne kthehemi djathtas dhe ngjitemi gjithnjë mes një pylli ullinjsh, i cili merr fund me shfaqjen e bredhave të parë në lartësi të madhe. Në Wikipedia, për fshatin thuhet se deri në vitin 1970 flitej si gjuhë e parë shqipja, por që tashmë flitej veçse nga mosha e thyer.
Arvanica e Zotërve
Kështu e quajnë arvanitasit e Qiriaqit këtë lëndinë të madhe majë malit të Elikonës, “Arvanica është vendi ku flet me Zotin”! Qiriaqi (nuk di pse më kujton mikun e dikurshëm, aktorin e mrekullueshëm, Agim Qiriaqi), është një vend që në dimër është i mbuluar nga dëbora, ndërkohë që stinët e tjera është një vend turistik ku ke dëshirë të ndalosh, pasi përreth syri të kap veç gjelbërim dhe bredha të lart, e ku padyshim qielli mbi kokën tuaj të afron me gjithësinë e fshatarët këtu i afron me Zotin. Restorantin e gjetëm mbyllur ndërkohë që imagjinon ata shqiptarë të ardhur shekuj më parë këtu, që siç dëshmohet nga librat e historisë dhe së pari nga Sathas në librin e tij Historia e Greqisë e 1889, kur ky vend i ishte dhënë me dekret nga Senati venecian (16 dhjetor 1550 e më pas 31 dhjetor 1554) një fisniku venecian që shërbente në Korfuz, dhe që quhej Niqifor Chiriachi, për shërbimet e tij ndaj Sinjorisë (Republikës veneciane) dhe ku ky fisnik do t’i detyrohej senatit me 8 dukate në vit. Kështu, një popullsi shqiptare më pas ka shkuar të popullojë këtë vend të rrethuar mes malesh, ashtu siç më parë, që në vitet 1300, kishin ardhur arvanitasit e Bua Shpatës e të tjerë në zonën e Artës apo të Peloponezit. Atëherë një pjesë e Greqisë ishte nën sundimin venecian dhe emrat e parë që përmenden janë Thodoro Kakosi, Guma dhe Nikolla Lusi, Dima Golemi, Zuan Plesa, etj. Por ky vend ishte bërë i famshëm vetëm në kohën e Revolucionit grek, kur arvanitasit e Qiriaqit e të Livadhjasë gjithashtu (ashtu si gjithë arvanitasit që jetonin në Greqi, së pari ata të Moresë, të ishujve Hidra, Specaj etj.,) u ngritën e luftuan kundër sundimit osman. Dhe Qiriaqi mburret me emrat e luftëtarëve të vet që i ka shkruar jo vetëm në librat e historisë por dhe në obeliskët e vet ku mund të lexosh emrat e Lluka Dholiani, Mitro e Gjergji Kocos, Dhimitri Jamakos, Mitro Kotai, Dhimitri Livadhitis, Lluka e Nikos Lazaru, Kosta Pulos, Pavlo Xhamalo apo Jorgo Jorgaqi, i cili që më 1822 kishte luftuar në Misolongji, Etoliko, Kravastera, Nafpatko apo Athinë. Më pas, dikush do të na tregojë dhe për Mustafa Gega nga Livadhjaja, i cili në vitin 1821 e la pasurinë e tij dhe shkoi të luftojë krah bashkëpatriotëve të tij, trimave si Karaiskaqi, Jani Gura apo Jani Notara. Një këngë popullore i këndohet dhe gruas së Jorgo Boçit, Dhespo Boçi, e cila pas ngjarjes heroike të grave në Zalongo, (1803) nuk i gjeti më burrin dhe djemtë dhe që më pas i rriti nipërit e saj për t’i çuar në beteja të tjera… Dhe kështu, duke menduar për këto histori të lavdishme të arvanitasve, në qafën e malit ndalojmë për të parë peizazhin e bukur të atij fshati të strukur në prehrin e atij mali që quhet Elikona. Aty janë shtëpitë e njohura historike, krojet e ndryshme që kanë emrat e tyre si “Kroi i Madh”, “Kroi i Stavros” apo “Kroi i Kardharasë”, siç shkruhen në gjuhën arvanitase, “Siriani” (Shën Jani), “drivani”, vendi ku hidhen vallet dhe këndohen këngë në fshat, “mathaika” (poshtë tavernës) apo ai vend që quhet “N’arat” (tek arat). Plakat edhe sot flasin “arvanitiko” dhe neve na pëlqen kur ndonjëra thotë “mbëj krin e fli” (bëj kryqin e fli”) apo “ç’ish moj nana”?… Është ditë e martë kur zbarkojmë në Qiriaqi, por banorët e vjetër të martës i thonë “emart”. Këtu të hënës i thonë “ehën”, të mërkurës, “emërkur”, të premtes “epremt” të shtunës “estun” apo të djelës i thonë “entiel”, etj, ashtu si dhe për muajt, ata kanë fjalët e tyre si “jenar”, “flevar”, “mars”, “maj”, “theristi” (qershor), “alonar (korrik), “gust, “triiti (shtator), “vjest” (nëntor), shënendre” (dhjetor)…
Në mes të fshatit, i cili ka rreth 2500 banorë dhe që ndodhet në lartësinë e afro 800 metrave, ndalesa e parë natyrisht është në klubin e tij, atje ku një rrap 160 vjeçar ngrihet madhështor me trungun e tij gjigant. Në hyrje të klubit, në mur, Thanasi, një burrë simpatik rreth të pesëdhjetave, ka vendosur një mori fotografish artistësh (nuk ka harruar të vendosë dhe Che Guevara-n), ku disa prej tyre janë arvanitas, siç është dhe Eli Lambeti një aktore nga Vilia (ku vjet plakat e fshatit na kënduan këngët e Moresë në arvanitika) apo Eleni Bukura (1821-1900), vajza e kapedanit të famshëm Jani Bukura, e cila ishte dhe e para piktore e Greqisë. Një nga personazhet e këtij vendi është padyshim shkrimtari Andrea Çura, një familje tradicionale mjaft e njohur këtu (e shikon atë në një foto të vjetër me ish-presidentin Papulias), i cili ka botuar dhe një libër, Kiriaki, ku shkruan për traditat dhe jetën e arvanitasve në Greqinë e vjetër e të re. Por që të njohësh vërtet jetën dhe historitë e këtyre njerëzve, duhet të hysh në shtëpitë e tyre, të bisedosh me të moshuarit, të shohësh albumet e tyre familjare, ku fytyrat e paraardhësve të tyre janë fiksuar në jetën e dikurshme të fshatit. Dhe fotografitë janë vërtetë mbresëlënëse, pasi fotografia me e hershme duket se është e viteve të para të shekullit XX. Sigurisht, historia e këtij shekulli, luftërat, djegia e fshatit nga italianët e më pas nga gjermanët, lufta civile (1946-1949) kanë lënë gjurmë të thella, memorial, por fotografitë familjare na zbulojnë jetën e përditshme dhe trashëgiminë e një bote në zhdukje, pasi askush nuk i ka ndihmuar që ta ruajnë të gjallë atë. Dhe përpjekja e Andrea Çuras është padyshim nga më shembulloret, në një kohë që ruajtja e kulturave dhe e gjuhëve popullore është një pasuri në këtë Evropë të Bashkuar siç duam ta jetojmë.
Historia e varreve
Pikërisht në Qiriaqi njihemi dhe me një histori interesante, edhe pse një histori që i takon së kaluarës. Është historia e Emin Korça apo Emin Veis Beu, siç quhej në fundin e shekullit XIX, (1875) kur ky funksionar i lartë i ushtrisë turke, e la Stambollin dhe zbarkoi në Korfuz për t’u lidhur me qeverinë greke në mënyrë që Greqia dhe Shqipëria të luftonin së bashku për një shtet të përbashkët shqiptaro-grek, duke pasur parasysh këtu rolin dhe kontributin e arvanitasve në historinë e re greke të Revolucionit dhe pas revolucionit. Por përpjekja e tij ishte e kotë, edhe pse ai u bë një nga guvernatorët ushtarak të Korfuzit. Por më vonë, tragjedia e goditi këtë njeri dhe politikan të shquar, 3 nga katër fëmijët i vdiqën dhe në dëshpërim të plotë, i zhgënjyer që nuk gjeti mbështetje, më 1877 vrau veten. Biri dhe gruaja e tij, Maria dhe Jorgo, u pagëzuan si ortodoksë. Vajza e Jorgos, Elenica, më pas do të ishte gruaja e një prej poetëve më të mëdhenj të Greqisë. Historitë janë të shumta këtu në Qiriaqi. Mjafton të shkosh në varrezat e fshatit dhe emrat e pllakave të mermerta të flasin për përkatësinë e tyre. Dhe nuk është për t’u habitur të gjesh dhe familje të quajtura Shkodra, Kriezoti, Kolias, Zona, Velios apo Kryemadhi, të cilat janë pjesë e historisë arvanitase të këtij vendi, e shqiptarëve të ardhur nga qytetet e hershme shqiptare. E padyshim atje janë të fshehtat e një jete që nuk mund të flasin më…
Largohemi nga Qiriaqi, duke lënë pas një vend që mban jo vetëm gjurmët e jetës arvanitase por dhe gjurmë shumë më të lashta, ato të Fligonios antike, kur Kserkes që kishte ardhur të luftonte ushtrinë greke e kishte shkretuar dhe djegur këtë vend, edhe pse majë malesh. E habitshme që dhe këtu, dhe në këto maja të larta, historia është gjithnjë e pranishme… por dhe sa kohë do të flitet ende për arvanitasit këtu? Edhe sa kohë do të flitet ajo gjuhë që ka mbijetuar në pesë shekuj radhazi?… Kjo është një sfidë jo e kohës por e politikës… edhe pse duke zbritur ato shkrepa kam qejf ta këndoj një këngë “agapi” të popullit grek.
"Mapo"
Add new comment