Torba e dekoratave të nëntor-dhjetorit
Pas dekorimit të turpshëm që Ministri e Mbrojtjes u bëri disa ish-zyrtarëve të lartë të Sigurimit të Shtetit dhe hetuesisë së kohës së Diktaturës, vjen reagimi nga Presidenca. Natyrisht i ndërmjetësuar nga disa ditë propagandë nga opozita e cila në 25 vite tranzicion ka qenë 13 vjet në pushtet. Çfarë ka bërë presidenti Bujar Nishani? Ka vizituar mjediset e ish-burgut të Spaçit, ku thuhet se qenka prekur; ka mbajtur një fjalë dhe...ka shprehur edhe njëherë pasionin e vet të dekorimeve. “Ne të gjithë sot nga ky vend, nga Spaçi dikur aq i mallkuar, duhet të ngremë zërin bashkërisht e bërtasim deri në kupë të qiellit për: Drejtësi! Gjetjen e eshtrave të të pushkatuarve! Hapjen e dosjeve! Pastrimin njëherë e përgjithmonë të shoqërisë dhe sidomos të politikës sonë, nga kriminelët e dikurshëm dhe veglat e tyre! Dënimin, ligjërisht dhe sidomos moralisht, të kriminelëve gjakatarë, shkaktarë të gjithë këtyre vuajtjeve të parrëfyeshme dhe jo rilindjen e ringjalljen e simboleve aq të urryera të diktatorit! Vënien në vend të dinjitetit tuaj të nëpërkëmbur! Respektimin dhe integrimin moral, shoqëror, kulturor dhe ekonomik të familjeve, bijve, nipave dhe mbesave të të përndjekurve padrejtësisht shqiptarë! Mbi të gjitha, ndjesën dhe përgjunjen e shkaktarëve të dhunës, shtypjes, torturës fizike dhe psikologjike, vrasjeve, burgosjeve, përdhunimeve. Asgjë nuk harrohet!”,-deklaroi Nishani. “Gjatë ceremonisë së zhvilluar në mes rrënojave të ish-burgut të Spaçit, Kreu i Shtetit çmoi me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”, Xhelal Koprenckën (pas vdekjes); Pal Gjet Zefin, Dervish Bejkon, Skënder Dajën, Hajri Pashajn (pas vdekjes) me “Dekoratën e Artë të Shqiponjës” si dhe Mersin Vlashit (pas vdekjes)”, njofton Presidenca. Nuk do shumë mundim të kuptohet se ky dekorim dhe kjo qasje, nuk ka të bëjë me vokacionin e presidentit, presidencës dhe institucioneve shqiptare. Është mashtrimi në krye të vakisë 25 vjeçare në Shqipëri, ku vajtocat janë po ato. Ky është një president që vjen nga një parti që ka patur gjithë mundësinë të bëjë këto që ky kërkon sot, një parti e aleancës me Hysni Milloshin dhe një President, këshilltari i të cilit dha dorëheqje para disa javësh sepse u akuzua se ka qenë bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit. Ish-këshilltari Piro Ahmetaj thotë se do ta zgjidhë me gjyq këtë akuzë, por fakt është se Bujar Nishani që flet hapur së fundmi, nuk ka bërë asnjë demarsh për të mbrojtur ish-këshilltarin. Për këtë arsye dekorime si këto fyejnë viktimat e Diktaturës dhe ata që pësuan persekutimin, sikurse është e qartë fare se dekoratat prej skuthi që qeveri u dha "ilegalisht" ish-shokëve për meritën zyrtare të pjesëmarrjes në Luftë, janë emulacioni i së majtës, pushteti, ikonat zyrtare, patronizim i historisë me një lavdi të rëgjuar.
Add new comment