Një diskutim mbi takimin Hoxha -Çabej
Një diskutim interesant është zhvilluar së fundmi në blogun “Peizazhe të Fjalës” mbi origjinën, por edhe arsyet e takimit mes Enver Hoxës dhe gjuhëtarit Eqrem Çabej, sjellë në vëmendje nga një foto e njohur. Përmes një postimi në këtë blog bëhet një intepretim vizual e perceptues i fotos për të kaluar në disa konsiderata të përgjithshme për raportet mes pushtetit dhe shkencës në Diktaturë. Shkruan autori i shkrimit:
“Do ta keni vështirë të gjeni një fotografi të Hitlerit, Stalinit, Frankos a Idi Amin Dada-së që u huazon veshin të tjerëve. Nga ky rregull nuk përjashtohet as E. Hoxha....Befas u shfaq kjo fotografi, ku duket sikur bashkëbiseduesi nuk ka durim t’i dëgjojë deri në fund ato që po thotë diktatori. Dhe i shpreh mendimin e tij, madje me një dorë të mbështetur në divan, si për të thënë: po vazhdove kështu unë po ngrihem e iki. Tjetri, lëviz nga vendi, përdridhet, ngre gishtin e madh e përpiqet t’ia rreshtojë edhe një herë argumentet e tij të konfeksionuara, por përsëri e ka të vështirë ta marrë nën kontroll inteligjencën e bashkëbiseduesit. Ai vazhdon ta mbajë dorën përpara, si shenjë refuzimi për gjithçka që lidhet me individin e dyshimtë që ka në krah. Vërtet, çfarë kishte ndodhur? Ka mundësi asgjë. Secili shprehte natyrën e tij të thellë. Njëri thelbin e tij ekzibicionist, gjakimin për të qenë në qendër të vëmendjes, për të dhënë “porosi”, për të thënë fjalën e fundit, tjetri aftësinë për të shquar me kthjelltësi thelbin e problemit, për të mos u hipnotizuar, për të ruajtur pavarësinë e mendimeve të tij, kjo edhe në rrethanat e një mjedisi që nuk lejonte të mugullonte asnjë ide tjetër, veç derivateve të nekrotizuara të “mësimeve të Partisë” (një lloj eufemizmi për idetë shamanike të diktatorit) që ngjanin si zgjatime kristalesh kripe, në një pellg ku avullimi i ujit, materies që mundëson jetën, shihej me sy të lirë”.
Më tej interpretimi postum, tashmë për takimin dhe jo foton. Thotë sërish autori: “Atëherë përse ky takim? Ka shumë vite që i vij rrotull kësaj pyetje. Sot nuk kam dyshim se nga mënyra se si është trajtuar dhe vendi që i ka dhënë këtij takimi znj. N. Hoxha në kujtimet e saj, gjithçka të lë të kuptosh se nëpërmjet autoritetit shkencor e moral që përfaqëson prof. Çabej ajo synon të rimasterizojë imazhin e diktatorit, i cili në përfundim të jetë së tij mund të mburrej vetëm si pronar i një varreze të tërë të mbushur me viktimat e tij, nëpërmjet takimit me të ajo synon të ndalojë rrjedhjen e ndryshkut gotik që po zbret teposhtë shtatores ende lëvizëse të bashkëshortit të saj, duke lënë të kuptojë se ai nuk sheh ëndrra me armiq, të cilët i arreston të nesërmen (siç flitej atëherë), por ka një jetë të shëndetshme intelektuale dhe shkencore, takohet shpesh dhe bisedon gjëra shkencore me “vërsnikun” e tij (sic)”.
Çabej është një nga personalitetet kryesore të kulturës shqiptare të shekullit të 20-të dhe është ndoshta i vetmi, që në çdo punim që mban firmën e tij, nuk mund të vësh re konformizmin e zakonshëm që has tek autorë të tjerë, që qoftë për të përmbushur një detyrim formal e rendisin një referencë për partinë, Markisn, marksizmin etj.. Një vetmitar në arealin një ngjyrësh shqiptar. Ndaj kjo foto e këtyre dy personazheve kaq të ndryshëm, në mos të kundërt, nga i njëjti qytet, zgjon kureshtje. Pa hyrë në legjitimitetin e interpretimeve të mësipërme, po sjellim këtu atë që thotë e bija e Çabejit, Brikena, e cila ndërhyn në diskutim, duke sqaruar ndër të tjera edhe të vërtetën e botimit të Mesharit të Buzukut. Po e përcjellim pjesë nga postimi i saj në Peizazhe të Fjalës:
“Kurrkush në atë kohë nuk mundej e as nuk qe në gjendje, të financonte ndonje gjë, le më një ndërmarrje të tillë. Botimi i Buzukut sigurisht që u krye e u pagua nga shteti shqiptar, ashtu si dhe çdo botim tjetër shqiptar i atëhershëm, pa asnje përjashtim.
Im atë siguroi mundësinë e shtypjes në Rumani, nëpërmjet kolegëve të tij rumunë. Pra, qe ta them me gjuhën e ditëve të sotme, ai gjeti shtypshkronjën. Në të vërtetë libri kishte qenë gati për shtyp qysh prej vitit 1957, por në Shqipëri mungonte teknologjia për atë shtyp të komplikuar. Shteti shqiptar pati bërë më duket përpjekje ta realizonte në Gjermani lindore, por këto përpjekje nuk patën dhënë rezultat. Mbase për shkak të prishjes së marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik. Dhe libri kishte mbetur pa botuar. Kontaktet me Akademinë e Shkencave të Rumanisë, sipas letërkëmbimeve që gjenden në arkivin e tij, E. Çabej i pati nisur qysh në fillim të viteve ‘60, por libri u shtyp më në fund vetëm më 1968. Pra u deshën dhjetë vjet që të arrihej botimi i Buzukut.
Do desha të saktësoj gjithashtu se gjesti me dorën ngritur përpara, si në foton në fjalë, ka qenë krejt i zakonshëm e karakteristik për tim atë gjatë bisedave. Madje edhe i disa pjesëtarëve të tjerë të familjes, jo vetëm i tij. Them se më fort ai gjest tregon lirshmëri në bisedë. E mua më tregon se biseda nuk do të ketë qenë me shumë ngërçe.
Duhet thënë se shkak për këtë takim krejt befasues e unik mes tyre, ka qene artikulli i E. Çabejt permbi pastërtinë e gjuhës, në dy numra të “Mësuesi” , më 28 mars e 4 prill 1979. Ai artikull duket i ka pëlqyer shumë E. Hoxhës, sepse fill pas botimit ai pati bëri një gjë që do të ketë qenë fort e rrallë për të. I pati telefonuar autorit në shtëpi, duke i thënë se e kishte lexuar me vëmendje artikullin dhe e kishte çmuar shumë. Unë kam qenë e pranishme kur u zhvillua kjo telefonatë dhe e kujtoj fare mirë befasinë dhe çudinë e tim eti.
Takimi i fotos që interpreton Lyss është zhvilluar pak kohë pas telefonatës dhe duket ka qenë kryesisht për këtë çëshje e jo për punë pellazgësh. Fakti është se disa nga propozimet e detyrat e shtruara nga E. Çabej në atë artikull u vunë shpejt në jetë, p. sh. çelja e revistës “Gjuha jonë”.
Duhet të shtoj këtu se, megjithë simpatitë që mund të kenë pasur personalisht krerë të regjimit për lidhjet e shqiptarëve me pellazgë, etruskë e kësodore, këto simpati nuk iu shpalosën ndonjëherë zyrtarisht publikut. Ka fakte dokumentare që tregojnë se, sa herë shfaqej në horizont ngashënjimi i primatit të shqipes mbi gjuhët e botës mbarë, ata u kërkonin mendim specialistëve, pritnin përgjigjet me shkrim dhe u përmbaheshin rekomandimit të këtyre specialistëve. Për të dhënë një shembull, Çabejt i është kërkuar mendim për librat e Z. Mayanit, nëpërmjet rektorit të Universitetit asaj kohe, K. Yllit, dhe pas përgjigjes së tij të gjatë me shkrim, nuk i ra më njeri asaj daulleje. Edhe pse me gjasë do të ishin joshur fort nga libri i Mayanit “Fundi i misterit etrusk”, përderisa ai libër qe përkthyer e botuar me shpejtësi në Tiranë. Dëshmi të tilla ka disa në arkivin e tim eti”.
http://peizazhe.com/2015/12/01/nje-si-dashuri-merimange/#comment-40030
Add new comment