Putinizmi si revansh historik

Postuar në 02 Dhjetor, 2015 15:14
Doan Dani

Diçka më shumë se një muaj nga jehona e tifozerisë ndaj erdoğanizmit për triumfin e AKP-së në ndeshjen e fundit politike dhe ja ku, paralelisht me bombat ruse në Siri e veçanërisht me incidentin ajror ruso-turk, gjarpëron mes shqiptarëve një putinofili jo e rastësishme, natyrisht më pak teatrale dhe pjesërisht e maskuar me përpjekjen për t’u identifikuar me rolin e gjykatësve të paanshëm në veprimet e fuqive ndërkombëtare, sikur përcaktimi i itinerarit të fluturimit të avionit rus të rrëzuar nga turqit të përmbante një detyrim etik pozicionimi për këtë kategori shqiptarësh dhe sikur Putini të ishte simboli i Drejtësisë. Në lidhje me simpatinë për erdoğanizmin duhet diferencuar nëse (1) është rezultat i pritshmërisë së kësaj tifozerie për ndryshime në «rrafshin fetar» në Turqi, siç pohon Mentor Kikia, megjithëse sipas një sondazhi të 2013, gjithsesi më i besueshëm se aludimet gazetareske, vetëm 12% e të anketuarve turq rezultonin mbështetësit potencial të kësaj metamorfoze, apo (2) është rezultat i një frustrimi mysliman, i cili zbulon aty modelin e suksesshëm dhe mbështetjen e mundshme në një klime autoktone jo thjesht të acartë por ku elitat politike, ekonomike, kulturore dhe shteti në tërësinë e tij nuk garantojnë shpresën dhe mirëqenien kolektive. Sidoqoftë, mbetet fakti se atraksionit shqiptar për erdoğanizmin nuk mund t’i mohohet doza fetaro-kulturore.
Në kahun tjetër, putinizmi përkufizohet nga mjaft analistë ndërkombëtarë si “doktrinë” konservatore, pansllaviste (brenda optikës së nacionalizmit rus), me rrënjë – nëse i referohemi Mark Smirnov-it – deri në propozimet e car Nikollës I në 1845 për shtypjen e vlimit revolucionar të Europës së asaj dekade. Ai paraqitet joshës për ato segmente politike europiane që ndajnë moto të përbashkëta si “ruajtja e vlerave tradicionale” ose refuzojnë, apo konceptojnë me dy standarde, parime si ‘barazia’, ‘integrimi’, ‘multikutluralizmi’, ‘individualizmi’ etj. Me pak fjalë, putinizmi është amalgamë nacionalizmi, kapitalizmi shtetëror, feje dhe autoritarizmi. Asgjë e huaj për një shoqëri si ajo shqiptare, ku, pas gjysmë shekulli totalitarizëm, shumë më të egër se ai i Rusisë sovjetike, është i “natyrshëm” magnetizmi i pushteteve të forta, edhe kur janë potencial i rrafshimit të lirisë, të së drejtës, të së ndryshmes, të jetës e deri të shteteve, gjëra të cilat putinizmi i ka vërtetuar në Ukrainë, më herët në Çeçeni (foto djathtas) ose në realitetin rus (social, ekonomik, politik).

Libidoja e radhës në flirtimin me putinizmin nga disa segmente shqiptare (mes elitave, mediave dhe vulgut), larg të qenurit produkt i shqiponjës së përbashkët bizantine, i nostalgjisë për rusishten apo për lavdinë sovjetike, i peizazhit të stepës apo i artit rus, u materializua me incidentin (ajror) ruso-turk, jo thjeshtë prej tij, por sepse ai ekziston si gjendje mendore. Një gjë e tillë konstatohet fare mirë në faktin se ofensiva ruse, e propaganduar si e drejtuar kundër ISIS-it, qe vetëm pikënisja e fërkimit të duarve.

Për të kuptuar motivin dhe aktorët mund të shërbejnë titujt e dy gazetave shqiptare, komentet dhe rrjetet sociale. Gazeta Tema tërheq vëmendjen e lexuesit në këtë mënyrë: «Turqia hoqi maskën, janë të dukshme lidhjet e saj me ISIS» – vetëm para një muaji propozonte analizën me titull «Ja si po e përgatit Turqia tranzicionin e udhëhequr nga Asadi në Siri» –, «Misteri i rrëzimit të avionit rus: u paralajmërua ose jo nga Turqia», «Duke nisur nga sot, Turqia nuk ekziston më», «Ja prova që Turqia po gënjen», «“Zbutet” Turqia», «Turqia ka cenuar sovranitetin grek 1 mijë e 433 herë». Gazeta Mapo i kushton incidentit më shumë se tridhjetë inserte informative dhe artikuj në katër ditë, praktikisht gati 40% e lajmeve nga bota, dhe e prezanton në ketë mënyrë: «Putin: Turqia u bë me ISIS-in», «A e teproi Turqia», «Pse po kërkon Turqia të fusë boten në luftë?», «Ja kush e financon dhe bën tregti me shtetin islamik» – në shënjestër është djali i presidentit turk –, «Nuk morëm asnjë sinjal nga Turqia», «”Allahu Akbar” mbi trupin e pilotit, Rusia lëshon rrebesh raketash», «Rusia i jep “shpullën” e parë Turqisë», «Ambasada ruse tallet me turqit», «Ta shfarosim Stambollin», «Erdogan zbut qëndrimin ndaj Putin», «Erdogan i lutet Putinit» etj. Produkti i këtyre titujve lexohet te vulgu anonim, ku «Tyrqia eshte pjese e se keqes botërore», ndërsa «Putini eshte ari polar, i paparashikueshem», prandaj «hakmarrja e tij do te jete teper e fuqishme» dhe «le te jete… se sulltani e meriton hakmarrjen!».

Në facebook nevoja për putinizëm është e përveçme dhe bëhet pjesë deri e identiteteve të rëndësishme të mendimit shqiptar të pas 1990. Pamja ilustruese (komenti majtas) nuk largohet shumë nga klishetë e komenteve të mësipërme anonime, jo edhe aq për shkak të përmbajtjes sesa të përdorimit si burim referencial të fragmentit të një opere italiane të 1814, i cili, produkt i imagjinatës së atij konteksti, serviret si gjykim ndaj qëndrimeve turke në gramatikën aktuale gjeopolitike. Ky status, po tek ai profil fb, pason të tjerë (tashmë të fshirë), që, të postuar mes një përkthimi poetik dhe një tjetri, prezantojnë Putinin si liderin e shumëpritur – duke kritikuar madje gazetarët perëndimorë sepse ia përkthejnë intervistën me dashakeqësi – dhe putinizmin si model, krahas përdorimit të akteve terroriste të Parisit për shkarkimin e cinizmit te lajmi i pritjes së refugjatëve sirianë nga Shqipëria (Ja, e shikoni ç’bëjnë Ata? Tani ia rregullon Putini), i cili është shprehje e imunitetit total ndaj mëshirës për njeriun si njeri, pa çka se e njëjta penë, kohë më parë, e ka dokumentuar përdorimin e Nënë Terezës si çertifikatë identiteti.

Atraksioni për putinizmin, ashtu si ai për erdoğanizmin, ka (1) prapavijë fetare, por ndryshon nga i dyti për (2) karakterin e tij ofensiv, deri në nivel asgjësimi. Ai gjenerohet sepse mishëron saldimin e dy pllakave tektonike qytetërimore, parë nga mozaiku huntingtonian, të krishterimit ortodoks dhe atij katolik (bashkë me derivatet e reformuara), nga një autoritet garant i sigurisë së refuzimit – qoftë edhe të dhunshëm – të një qytetërimi tjetër, fetarisht të fabrikuar dhe të konsideruar si rrezik. Edhe duke përjashtuar mundësinë e realizimit të një ekumenizmi (dy)qytetërimor ose politik, thelbësore për këtë atraksion mbetet garancia e refuzimit, që putinizmi transmeton qartësisht. Dhe nuk bëhet fjalë thjesht për refuzimin e ISIS-it, përderisa intensiteti i pasionit pësoi inflacion pas përplasjes ruso-turke, e cila me sa duket është akoma në gjendje për të aktivizuar ëndrrat me Kostandinopojë.
Do të ishte justifikim i pa mbrojtshëm ilustrimi me aleancën sovjeto-amerikane gjatë Luftës se Dyte Botërore kundër nazifashizmit, sepse situata e sotme është tërësisht larg atyre përmasave konfliktuale – nga ana gjeografike, politike, ekonomike, teknologjike, demografike dhe ideologjike – dhe, mbi të gjitha, ajo konsiderohej si aleancë politiko-ushtarake, që sidoqoftë nuk solli amalgama ideologjike, kulturore e as nuk e shndërroi Stalinin në model të shoqërive demokratike. Përkundrazi, pikërisht rrafshi politik nxjerr në pah paradoksin e flirtit me putinizmin, i cili në fund të fundit shpreh doktrinën e politikës aktuale ruse. E tepër të thuhet se kjo doktrinë mbron haptazi interesat serbe, të cilat konfliktojnë me ato shqiptare (reflektohen edhe në 3 miliardë $ shkëmbime ekonomike vjetore Rusi-Serbi, kundrejt 110 milionë $ Rusi-Shqipëri), sidomos të Kosovës, dhe se jemi vend i NATO-s, ku aderon Turqia e jo Rusia, pra pjesëtarë të asaj aleance politiko-ushtarake me avionët F-16 të së cilës ne (sidomos shtypi) i garantojmë vetes siguri të verbër. Flirti me putinizmin, përveçse produkt i asaj shtyse (centrifugale) elitare që vjedh prej vitesh komponentët e identitetit shqiptar, është politikisht bjerrje e interesave kombëtare/shqiptare për t’iu kundërvënë politikës (aktualisht) turke në emër të një revanshi që ulërin nga shek. XV: nëse në nivel makro synon ngritjen e barrierave qytetërimore, në nivel mikro bie ndesh me të qenurit shqiptar, duke rikonfirmuar grisjen identitare shqiptare jo aq në emër të një ekumenizmi – i cili nuk i mungon as joshjes nga erdoğanizmi – sesa të përjashtimit nga përkatësia shqiptare.

"Postbllok.com"

Comments

Submitted by astriti i mbetu... (not verified) on

Autori i ketij shkrimi haron se edhe per vete sherben per dicka jashte interesave te shqiptareve.Te jesh mbi palet nuk eshte gje e keqe edhe per simpatite dhe antipatite ndaj opinioneve dhe interesave te te tjereve gjithashtu.I keshilloj autorit te shkruaje edhe ndonje liber me keto teza ,se mund te gjeje mbeshtetje te jape edhe informacione dhe besnikeri diku ku i duhet,j, por i lutem te mos i trasmetoje aq qesharake atje ku ka synim te shkaktojne seriozitet, si kjo teza - fraza e turpshme e 'perjashtimit nga perkatesia shqiptare."Si duket ka tager ta vendose ky vete.
Duket se ky autor i perket nje opinioni edhe me te rrezikshem nga te paret si soj i paimagjinueshem ne sherbim te ndonje budalllaleku tjeter te sotem.
Ndoshta e ka fjalen se do te vije dita qe te perdoren edhe armet berthamore, por ne kete rast kjo teori nuk do te cenonte vetem shqiptaret .Nostradamus aq autokton sa duket se ka te drejte per t'u specializuar per kombin e tij.I vetediplomuar.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.