Bujqësia, potencial për 100 mijë vende të reja pune. Nis puna për formalizimin, kartat dhe regjistrin elektronik për fermerët
Është thënë dhe përsëritur se një nga problemet kryesore të bujqësisë shqiptare është baza e paqëndrueshme ligjore për tokën, pronësinë e saj dhe mandej fragmentarizimi. Gjithsesi, iniciativa e lirë ka sjellë një zhvillim relativ të bujqësisë në Shqipëri në këto vite kur vëmendja e shtetit ndaj këtij sektori ka qenë thuajse minimale. Në kushtet kur industri si ndërtimi nuk ka për të sjellë më atë vrull zhvillues si disa vite më parë, vëmendja ndaj bujqësisë fiton tjetër rëndësi, sidomos kur në plan global ushqimi po kthehet në problem serioz. Si hap për integrimin e bujqësisë shqiptare dhe prodhimeve shqiptare, ndër të paktat me të cilat ne mund të konkurojmë, është edhe formalizimi. Ambasada zvicerane në Tiranë njofton se me iniciativën e saj është zhvilluar në Tiranë u prezantua një nismë për regjistrimin e fermerëve dhe agrobizneseve ku morën pjesë përfaqësues të qeverisë, donatorëve, përfaqësuesve akademikë dhe shoqërisë civile, Biznes Albania dhe Këshilli i Agrobiznesit Shqiptar (KASH). “Regjistri dhe karta elektronike e fermerëve janë mjete të dobishme dhe inovative për të kontribuar në zhvillimin dhe reduktimin e informalitetit në sektorin e bujqësisë. Ndryshime të mëdha janë më të qëndrueshme, në qoftë se ato janë zbatuar në mënyrë graduale dhe janë më të mirë pranuara, në qoftë se ndërtohen mbi qasjen e kulaçit dhe kërbaçit ", tha ambasadori Christoph Graf. Ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti ka folur me shifra konkrete dhe optimist kur ka shprehur se “bujqësia në përgjithësi ka pasur një rritje prej 8.1% në vitin 2015 në krahasim me vitin 2014, ndërsa disa eksporte janë rritur me mbi 40%”. Një përpjekje për të parë statistika pozitive te bujqësia ka bërë edhe kryeministri Edi Rama, i cili ka disa muaj që përsërit se punësimi ka njohur rritje në Shqipëri, sepse ai i referohet hapjes së vendeve të punës në sektorë si bujqësia dhe jo ndërtimi që rëndom sillet për nevoja statistikorte. Nëse do të besojmë te potenciali i bujqësisë shqiptare, që sipas Kryetarit të Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar Agim Rrapaj “ka mundësinë për hapjen e 100 mijë vendeve të reja pune, nga të cilat 10 mijë vende për moshat e reja dhe për të emigrantët e rikthyer”, atëherë nisma për regjistrimin e fermerëve do të ishte efektive. Po kështu me mbështetjen e Qeverisë italiane, Shqipëria ka filluar përgatitjen e një regjistri elektronik kombëtar të fermave, një bazë të dhënash gjithëpërfshirëse me informacionet më të fundit të sektorit të bujqësisë në vend. Fermerëve të regjistruar pastaj do t’u lëshohet një kartë elektronike që mund të përdoret për të përfituar nga përjashtimi i TVSH-së, subvencionet dhe skema të tjera mbështetëse. Biznes Albania dhe KASH kanë punuar dhe përgatitur planin për prezantimin e kartës elektronike në muajt e fundit.
Add new comment