Femrat ruajtën kujtesën tonë

Postuar në 31 Tetor, 2015 14:58

“Mos ma ço djalin atje, se do të bëhet shka, dhe do më harrojë gjuhën”. Kim Mehmeti e kujton ende këtë fjali të thënë nga i ati, teksa përgatitej të nisej për studime në Beograd. I rritur në një vend ku gjuha e “shtëpisë” nuk mësohej në shkolla, ai e njohu letërsinë përmes gjuhëve të tjera si maqedonishtja, serbishtja, apo kroatishtja. Por forca e gjuhës së “shtëpisë”, gjuhës përmes së cilave dëgjonte historitë e treguara prej nënës së tij, ishte më e fortë dhe drejtonte ashtu së brendshmi gjuhët e tjera. “Mos ke nisur me shkaje atje?”. Një tjetër pyetje e bërë nga nëna pas çdo kthimi në shtëpi gjatë kohës së studimeve i vjen sërish në mendje sot, jo si një shqetësim se vajzat e shkaut nuk ishin të bukura, por si diçka e lidhur me gjuhën. Me fjalët e thjeshta të një gruaje që asnjëherë s’ka dalë nga mëhalla e vet, nëna i kujtonte atij se gjuha ashtu si familja, ishte diçka e cila nuk mund të ndërrohej. Do të vinte ashtu natyrshëm nevoja për të shkuar më tej në gjuhën e “shtëpisë”. Sot Kim Mehmeti kujton sesi e mësoi autodidakt shkrimin e shqipes, teksa hidhte në fletore “Lumin e vdekur” të Jakov Xoxës. “Kam jetuar në mjedise sllave, dhe letërsinë e kam prekur përmes këtyre gjuhëve. Më dukej çudi sesi mund të shkruaje në shqip. Gjithë biblioteka e shtëpisë sime ishte e mbushur me libra në gjuhë të tjera. Shekspirin e kisha në katër përkthime të ndryshme dhe asnjë në shqip”, kujtoi dje Kim Mehmeti i ftuar përballë auditorit të Festivalit Ndërkombëtar të Letërsisë që po mbahet në Tiranë. Në një bisedë të moderuar nga gazetarja Elsa Demo, Mehmeti duhet të ishte përballë shkrimtarit nga Mali i Zi, Andrei Nikolaidis, i cili mungoi në këtë event. Kontakti me letërsinë shqipe do të vinte në vitin 1974, në atë kohë kur edhe “Rilindja” e Kosovës nisi të botonte libra shqip, duke dhënë një kontribut në njohjen e një pjese të letërsisë sonë, në pjesën tjetër shqiptare. Konicën e ka njohur përmes leximeve në gjuhë të tjera ndërsa takimi me të tjerë personazhe të njohur të letërsisë shqipe do të ndodhte në një moshë madhore. Ai ka lexuar Mitrush Kutelin, Sterjo Spasen, Ismail Kadarenë, pasi kishte lexuar klasikët. Shkrimtari lexoi pjesë nga romani i tij i fundit botuar nga shtëpia botuese “Saras”, “Shpërngulja e të vdekurve”. “Jam mësuar të lexoj në heshtje, nuk kam lexuar asnjëherë me zë”, do të shprehej Mehmeti, teksa nisi më pas të lexonte një pasazh nga kjo vepër. Romani mund të konsiderohet si një sagë familjare, ku takon personazhe dhe jeton ngjarje që orvaten rreth të njëjtit vend. Një histori që ndodh aty në fshatin Suka, në Maqedoni, së cilës Kimi në këtë vepër i jep një dimension më të gjerë, duke e kthyer në një fshat që mund të qëndrojë në çdo kënd të botës. Një histori në dukje shumë personale, ku mund të gjejë veten çdo ballkanas, përmes së cilës kupton atë çfarë ka ndodhur me shqiptarët jo vetëm në Maqedoni. I thellë, dhe tepër prekës, Mehmeti depërton me këtë roman në skutat më të thella të shpirtit të vendit të tij, duke u përballur dhe me dhimbjen, e duke mos pasur frikë nga ajo. Ai kërkon ta gjejë të vërtetën aty ku është, dhe ta sjellë prej andej përmes rrëfimeve të një gruaje, që në këtë libër është gjyshja. Mehmeti tregoi se që kur e kishte projektuar këtë libër në mendje, rrëfimtarja kishte qenë gjyshja. Sigurisht që në libër gjyshja është një personazh imagjinar, megjithëse ngrohtësia e saj ngjan me atë të gjyshes së tij, aromën e së cilës ende e ndjen tek gjërat e mira në jetë. “Romani është prodhim i imagjinatës, nuk është një roman autobiografik. Bota që na mbante gjallë ne shqiptarëve në Maqedoni, ku institucioni politik nuk funksiononte ishte familja. Ne s’kemi qenë një popull institucional, dhe institucioni i vetëm për ne ishte familja… Ne jemi ëndrra e prindërve tanë, ata çfarë ata kanë projektuar në mënyrën e tyre”, tha Mehmeti. Ndryshe nga librat e tjerë të cilët i ka mbaruar shumë shpejt, ky libër ka qëndruar dy vjet mbi tryezën e punës. Kishte diçka ky roman nga i cili nuk shkëputej dot. “Fillimisht nisa ta shkruaja si një tregim. Tregimi tek unë nis nga një titull dhe unë i kisha gjetur dhe titullin që do ta quaja “Rrëfimi i gjyshes”. Por ky rrëfim u bë i gjatë, i kaloi faqet që mban një tregim, kështu që edhe titullin do t’ia ndryshoja në “Shpërngulja e të vdekurve”, tha Mehmeti. E ka shkruar gjatë dy dimrave dhe natën. Pasi vera dhe dita për të nuk janë kohë të mira për shkrimin. Libri është si një histori që nuk do të mbarojë. Dhe pse rrëfimtari na çon në kohë të largëta, ato janë kohë interesante të mbushura me ngjarje të cilat shpjegojnë të tashmen. Fatushja është një prej personazheve interesantë në këtë libër, fqinja përmes së cilës Mehmeti projekton të vërtetën mbi fatin e gruas në Maqedoni. “Gjithmonë më është dhembshur gruaja në Maqedoni. Ato nuk mund të shkonin në shkollë, nuk mund të bënin gjërat që ne djemtë bënim. Në njëfarë mënyre ne kemi jetuar dhe jetën e tyre…”, tha Mehmeti, duke shtuar se “botën shqiptare e ka shpëtuar graria”. Ndrydhjen e dëshirave të Fatushes në libër, apo lëvizjen e personazheve të tjerë, autori tha se e ka vendosur në kontekstin e kohës në të cilën zhvillohen ngjarjet. Personazhet janë të vërtetë në lëvizjet dhe mendimet e tyre, duke mos ndryshuar shumë nga personazhet realë që ndiejnë të njëjtat gjëra. Por nuk është vetëm Fatushja, personazhi që tregon besimin e tij te femrat. Në një shoqëri që gjithnjë ka qenë peng i zhvillimeve historike, kanë qenë femrat ato që kanë mundur të bëjnë çlirimin, duke mbajtur gjallë kujtesën. Ndaj gjyshja vjen si një personazh që mbart brenda arkivën e plotë të një vendi, që nuk ka pasur arkiva, por që është ruajtur bukur në mendjen e grave të tij. Ato me urtësinë dhe mençurinë e tyre kanë ditur të mbajnë jo vetëm familjen, por dhe të mbrojnë identitetin e tyre duke ruajtur e forcuar gjuhën, përmes rrëfimeve. “Jo pa qëllim kam zgjedhur gjyshen si rrëfimtare. Gjyshja dhe varrezat janë nyja ku lidhen e kaluara, e sotmja dhe e nesërmja. Njeriu, në njëfarë mënyre, është një album me kujtime. Për atë çfarë ka qenë dhe çfarë do të bëhet. E kaluara është gjithnjë një botë ku qëndron e sotmja, dhe në realitetin shqiptar të kaluarën e kemi ruajtur përmes grave. Ato kanë qenë të afta që me zgjuarsinë e gruas të shohin larg duke na ruajtur kujtesën”, tha Mehmeti. “Shpërngulja e të vdekurve” është një roman që të fut në një histori dhe kohë nga e cila nuk do të ndahesh, por kur përfundon të lë shijen e librave të mrekullueshëm me të cilët takohesh rrallë. Kim Mehmeti është një nga personazhet më të njohur në realitetin shqiptar. Tepër i ndjeshëm ndaj çështjes shqiptare, ai është aktiv me opinione në të përditshmet në Maqedoni. Si shkrimtar Mehmeti është përkthyer në disa gjuhë.

 

"Shqip" 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.