Aksioni antiinformalitet, bizneset heqin tabelat e reklamimit
Disa nga dyqanet në rrugë të ndryshme të Tiranës kanë hequr nga “koka” e tyre reklamat me emrin e markës apo emërtimin përkatës, shkruan “Monitor”. Në rast se, me nisjen e aksionit antiinformalitet, rrugët kryesore të kryeqytetit panë një mbyllje masive të dyqaneve, një fenomen i cili duket se po zëvendëson këtë të parin, është heqja e reklamave të dyqaneve. Të kontaktuar nga “Monitor” ata kanë shpjeguar se heqja e reklamës së tyre bëhet pasi mundësia për të përballuar taksën për të, është më e ulët tashmë që janë pajisur me kasa fiskale. Bazuar në ligjin nr.9632, datë 30.10.2006, ndryshuar me ligj nr. 10354 datë 18.11.2010, taksa e reklamës ka një çati tarifimi deri në 18 metra katrore. Vlera e tarifimit për reklamën nën 18 metra katrorë, në Bashkinë e Tiranës, është 45000 lekë/m2, ndërsa mbi këtë madhësi, tarifimi do të ketë vlerë fikse të barabartë me 81000 lekë. Pagesa e kësaj takse, sipas rregullave bëhet një herë në vit.
Add new comment