Loja për largimin e De Biasit, Alban Bushi: “Merita e kualifikimit i takon Armand Dukës”. I panjohur mendimi i sponsorit. De Biasi i gatshëm për të ikur
Menaxheri i kombëtares shqiptare të futbollit, ish-futbollisti Alba Bushi përcjell në një intervistë për “Panorama Sport” mendimin se merita kryesore për kualifikimin i takon presidentit të Federatës, Armand Duka. “Kam dëgjuar që të flitet shumë se kush i ka meritat më të mëdha për këtë arritje historike… Për mendimin tim, meritat i kanë të gjithë shqiptarët anembanë botës… Meritat i kanë të gjithë ata djem që dhanë 200% në fushën e lojës, por merita më e madhe është e një njeriu të vetëm që quhet Armand Duka. Ai e bëri këtë popull të gëzojë njëherë në historinë e tij ashtu siç i ka hije. Na bëri të ndihemi krenarë. Na bëri që kudo që të shkojmë të themi me zë të lartë se jemi shqiptarë!”, thotë Alban Bushi. Siç shihet Bushi, që nuk arriti të bënte ndonjë gjë me kombëtaren kur iu dha shansi, ka gjetur më në fund paqe me origjinën dhe kombësinë për meritë të Armand Dukës. Por pyetja është: pse Armand Duka nuk arriti më herët në këtë rezultat? Armand Duka ka në krye të FSHF-së që në shekullin e 20-të e sërish Shqipëria kualifikohet me De Biasin në krye. Armand Duka u fishkëllye edhe nga tifozët, që nuk gabojnë kur vjen puna për të kuptuar meritat e njërit e të tjetrit, pavarësisht se futbollistët-aparatçikë të FSHF-së mund të thonë ndonjë gjë tjetër. Loja për zëvendësimin e De Biasit ka nisur dhe kjo është e qartë. Shashkën i pari e hodhi i vëllai i Auron Tares, mik i Edi Ramës, Igli Tare, edhe ky një ish-futbollist pa ndonjë shkëlqim kushedi se çfarë. Sot de Biasi ka deklaruar për një radio greke se është i gatshëm të drejtojë edhe ekipin grek. Pra opsioni i ripërtëritjes së kontratës po shkon drejt zeros. Tensione të tilla, sado të respektohet kontrata, nuk i bëjnë mirë ekipit, pasi një trajner që ndihet i sulmuar nuk ka sesi të japë maksimumin. Në media raportohet se shkak i kësaj përballjeje është shuma e kërkuar për rinovimin e kontratës, por me siguri që edhe ambicia e Dukës për të kapitalizuar fitoren është një arsye shumë e madhe. Me një kartë të tillë në xhep, drejtuesi i moçëm i FSHF-së e ka të siguruar pretendimin për të vazhduar të jetë edhe për ca vjet në krye. Interesant është fakti se sponsori i kombëtares, “Digitalb” nuk është prononcuar për meritat e fitores.
Add new comment