Fushata ajrore në Siri, ja ku përplasen SHBA dhe Rusia
Sipas Zërit të Amerikës, shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian Federica Mogherini mësohet të ketë thënë se veprimet ushtarake të Rusisë në Siri janë një faktor që e ndryshojnë rrënjësisht lojën dhe që përmbajnë “element tepër shqetësues." Rusia është përballur me kritika nga perëndimi për fushatën e saj ajrore në Siri që ka si objektiv kundërshtarët e presidentit Bashar al-Assad. Mogherini u tha gazetarëve përpara një takimi të ministrave të jashtëm të Bashkimit Evropian në Luksemburg se veprimet kundër militantëve të Shtetit Islamik duhet të kryhen qartësisht kundër këtij grupi dhe terroristëve të tjerë siç përcaktohen nga Kombet e Bashkuara.
Rusia është përballur me kritika nga perëndimi për fushatën e saj ajrore në Siri që ka si objektiv kundërshtarët e presidentit Bashar al-Assad, një aleat i Rusisë, dhe jo kryengritësit e Shtetit Islamik siç ka deklaruar. Në një intervistë me televizionin shtetëror rus, Presidenti Vladimir Putin mbrojti ndërhyrjen e Moskës në Siri. “Zëri i Amerikës” raportoi se Rusia ndërmori dje bombardime të reja ajrore kundër kryengritësve sirianë, duke thënë se shumica e objektivave ishin në Tal Skik, zonë në provincën Idlib që ka qënë nën kontrollin e rebelëve. Ndërsa Mogherini tha se procesi drejt gjetjes së një zgjidhjeje politike në Siri duhet të përfshijë të gjithë ata që kanë një rol në konflikt dhe në tranzicion, me një rezultat që do të përcaktohet kryesisht nga komuniteti ndërkombëtar, nga rajoni dhe nga vetë sirianët. Dje, presidenti amerikan Barak Obama i tha televizionit CBS se, për sa kohë që Assadi të qëndrojë në pushtet, do të jetë shumë e vështirë të përqëndrohet vëmendja e rebelëve të moderuar tek ekstremistët, trasmeton “Zëri i Amerikës”
Add new comment