Çfarë është një burrë?
Çfarë ka brenda një burri? Jutta Benzenberg, artiste e njohur e fotografisë dhe Katharina Maschenka koreografe, e kishin kaluar shpesh nëpër mëndje këtë pyetje teksa punonin mbi projekte të ndryshme në Ballkan. Teksa dëgjonin historitë e femrave të dhunuara nga lufta ose dramat e tyre, ato kishin imagjinuar se ç’mund të ndiente një burrë nga këto anë…Ndërsa femrat e nxjerrin dëshpërimin, një burrë në Ballkan duhet të jetë i fortë. Ashtu si imazhet e tyre, shpesh të vrazhda, ata duhet të tregojnë se janë burra, dhe si të tillë nuk mund të kenë dëshpërime. Një burrë është rritur duke fshehur emocionet, duke i hedhur ato në skutat e thella të vetes, si forma që “nuk i shkojnë një burri”. Por a mund të jetë i lumtur një burrë që ka kaluar luftën… një burrë që i duhet të shkojë larg e të punojë sërish për tu kthyer në familjen e tij që e pret diku në Bosnjë apo Kosovë? Me ndjesinë për të zbuluar se çfarë ka përtej kësaj pyetjeje që u vinte shpesh në mendje, dy artistet vendosën të zbulonin se çfarë ka përtej, duke i takuar këta burra…”Është interesante, pasi ideja për të punuar mbi burrat në Ballkan ka qenë e menduar shpesh nga të dyja ne, përpara se të takonim njëra-tjetrën. Dhe kur ia tregova idenë time Katherinës u duk sikur ishte një temë që e kishim shumë për zemër, dhe nisëm ta vëmë në jetë”, thotë Jutta. Sot në mbrëmje në Teatrin Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, projekti i tyre do të vijë në një performancë ku ndërthuret muzika, fotografia dhe kërcimi, për të sjellë një eksplorim interesant mbi burrat. Fotot e Jutta Benzenberg, regjinë dhe koreografinë e Katharina Maschenka Horn, muzikën e Jan Günther dhe kostumet Don Aretinos do të sjellin një përshkrim të ndjerë të botës së një burri në kuadër të festivalit Tetori Gjerman. Por si ishte të njihje një burrë? Dy artistet kanë arritur të futen brenda botës të atyre që shpesh shihen si “burra të dhunshëm”, për të zbuluar fëmijën brenda tyre. “Më pëlqen të prek fytyrat apo flokët e tyre, teksa ata bëhen gati për të pozuar. Është një gjest përmes të cilit kërkoj të shtendos situatën, duke i bërë ata të ndihen të lirë për të shpalosur atë çfarë vërtet janë”, thotë Jutta, duke treguar se ky proces është si të heqësh një maskë dhe papritur në fytyrën e mbuluar nga rrudhat të një burri që mund t’i ketë kaluar të 50-tat, një dritë e lehtë të kujton një shkëlqim fëmijërie, që ai e ka fshehur aq thellë. Jutta beson se fotografia ashtu si arti nuk mund të jetë e bukur nëse nuk jep emocione. Ajo orvatet me aparatin fotografik në duar, derisa personazhi përballë saj, të jap ndjeshmërinë e tij, e cila më pas përshkon gjithë foton. Të njëjtën ndjesi ka dhe Katharina. “Kur pashë për herë të parë punët e Katherinës, qava, pasi më prekën aq shumë”, thotë Jutta. Kolazhi i fotografive të realizuar prej saj, është një tablo e trishtë e Ballkanit të sotëm, përmes fytyrave të burrave që i japin jetë kësaj hapësire. Burra që Jutta i sjell përmes fotove, si përballë karriges së një psikanalisteje ku kanë treguar gjithë jetën e tyre. Një foto sa një jetë… kjo është ajo çfarë orvatet te ty, teksa imagjinon historitë përtej atyre fytyrave, ku Jutta me finesë ka vendosur të vërtetën. Portrete që sjellin të vërtetën që mbulohet shpesh nga forca dhe vrazhdësia. Dy artistë dëshirojnë të trajtojnë temën tabu të dhunës në familje dhe të diskutojnë me publikun. Me ndihmën e psikoterapistes shqiptare, Jetona Myteveli, dy artistet duan të krijojnë një lidhje të vazhdueshme mes fotografisë, dans-teatrit dhe panelit të diskutimit, në të cilën shikuesit janë të përfshirë në mënyrë aktive. Dance teatri që do të shoqërojë këtë performancë do të interpretohet nga artistët Andrea Dorian Rama (Shqipëri), Nemanja Mutić (Bosnjë-Hercegovinë), Jan Novosel (Kroaci) dhe Katharina Maschenka Horn (Gjermani). Kjo është një shfaqje e cila na bën ti shohim ndryshe burrat, ata me të cilët përballemi çdo ditë, duke u futur në brendësinë e tyre, për t’i zbuluar dhe pse mund të jetë një zbulim që dhemb. “Ne duam thjesht të ngremë pyetjen: Çfarë është një burrë? pa dhënë përgjigje”, thotë Jutta, e bindur se rruga e artit është të çojë te pyetjet, përgjigjet e së cilit secili mund t’i japë sipas mënyrës së tij, teksa ndjek këtë performancë…
"Shqip"
Add new comment