Propaganda e “statistikës së fitores” - Kur kryeministri kërkon “tri pikë” në tavolinë

Postuar në 10 Tetor, 2015 19:15
Ilir Sinanaj

Me një mikun tim, mbështetës të “të kaltërve” të Chelsea-it, i cili “urrente” Liverpool-in, hahesha gjithmonë me fjalë, duke i thënë se ekipi i tij ka filluar të fitojë për arsyen e thjeshtë se u bënë investime të mëdha financiare. Ai ma ktheu duke më thënë se e rëndësishme për të ishte të fitonte skuadra që mbështeste. Pas kësaj nuk kisha më argumenta. Statistika e fitores është më e rëndësishmja. Megjithatë më erdhi edhe mua dita që të mburresha me “statistika të fitores” gjatë Ligës së Kampioneve në sezonin 2004-2005. “Të kuqtë” e Liverpool-it, me shumë vështirësi dhe emocione drithëruese për çdo mbështetës të zjarrtë, mundën makinerinë e pandalshme të “të kaltërve” në gjysmëfinale dhe më tej korrën një fitore të pabesueshme më Milan-in në finale, duke u bërë kështu klubi anglez me më shumë fitore (5) në Ligën e Kampioneve dhe i vetmi që ka mbajtur trofeun për gjithmonë (me 5 fitore në Ligën e Kampioneve një klub futbolli nuk e kthen kupën). Por fitorja e Liverpool-it në Evropë i tejkalojë përmasat lokale, duke marrë përmasa kombëtare, pasi futbolli anglez po fillonte të shfaqej përsi në arenën evropiane. Dhe kjo është diçka jo e vogël, pasi rivalitetet ndër klubet angleze janë shumë të theksuara.

Pra “statistika e fitores” bashkon edhe rivalët. “Statistika fitore” për klubet evropiane do të thotë më shumë para si edhe më shumë mbështetës (dhe më shumë mbështetës gjithahshtu barazvlejnë me më shumë para.

Ndërkaq kthehemi në realitetin tonë shqiptar. Aktualisht Shqipëria është në prag të kualifikimit të Kampinatit Evropian te Futbollit France 2016, për herë në parë. Edhe pse në vendin tonë këto 25 vitet e fundit kampionati i futbollit ka degraduar së tepërmi (nuk ka më mbështetës si më parë) në arenën ndërkombëtare jemi paraqitur jo shumë mirë (për të mos thënë dobët). Atëherë pse këmbëngulet në “statistikën e fitores” në media si edhe në qarqet politike?

Panem et cicenses

Panem et circenses (bukë dhe lojëra, shprehje latine). Pra për të tërhequr vëmendjen nga pamundësia për të hapur vende pune, nga pamundësia për të luftuar me efikasitet industrinë e korrupsionit dhe mbi të gjithë me mungesën e strategjive për të zhbllokuar energjitë krijuese e prodhuese të Kapitalit Njerëzor në një mjedis të qendrueshëm, propaganda politike dhe mediatike drejtohet në fushën e blertë. Në këto mori betejash në ngërç në luftën për zhvillim të qendrueshëm ekonomik, e gjithë kasta politike ka nevojë të menjëhershme për një “statistikë të fitores” Dhe kështu duke aplikuar strategjinë “bukë dhe lojëra (ose më mirë lojëra pa bukë, se politikanët tanë e kanë çuar një stad më tej këtë strategji)” është pikërisht në fushën e blertë, që kërkohet “statistika e fitores” që të qetësojë shpirtrat e trazuar të shqiptarëve, e mbi të gjitha barkun e tyre të pangopur. Por “fatkeqësisht” për politikanët tanë, ka dy ndeshje radhazi që “shqiponjat kuqezi” humbin në minutat e fundit, duke u larguar nga objektivi i kualifikimit. Dhe ajo që ka qenë më e tmerrshme në gjithë këtë histori është fakti, se një javë pompim mediatik dhe politik për të ngritur shpirtrat e shqiptarëve, mjaftuan thjesht 2 minuta (qoftë me ndeshjen kundër Portugalisë, qoftë me ndeshjen kundër Serbisë, të dyja në “Elbasan Arena”) për të bërë që në stdium të pllakosë një “heshtje varri”. Dhe menjëherë shqiptarëve u janë kujtuar të gjitha problemet, të çiftëzuara me mungesën e zgjidhjeve, të realitetit të tyre të përditshëm. Këtë gjë politikanët tanë e kanë kuptuar. Prandaj pas ndeshjes kryeministri Edi Rama doli ditën tjetër në konferencë për shtyp. Kjo sepse duhej t'u jepej qytetarëve një “statistikë e fitores”, për të qetësuar disi shpirtrat e trazuar për arsye ekonomike.

Kryeministri

“Dje, Shqipëria, qytetaria shqiptare, fitoi testin e jashtëzakonshëm të mikpritjes tradicionale të shtëpisë së shqiptarit dhe po njësoj, të dinjitetit të një populli europian”, - nisi deklarata për shtyp e kryeministrit. E para shqiptarët njihen për mikëpritjen ndaj të huajve dhe asnjëherë nuk janë njohur për huliganizëm futbolli. Madje çdo njeri e di shumë mirë se edhe në monte trazirash në vend, asnjë i huaj nuk është prekur. Së dyti, duke qenë se ne “par definition” njihemi si popull mikpritës, pse vallë ishte ky një test? Atëherë fjala kyçe në këtë fjali është “fitoi”, duke dalë kështu tek nevoja për të pasur një “statistikë të fitores” (sepse “shqiponjat kuqezi” kanë humbur 2 herë radhazi).

Më tej në deklaratën e tij kreu i qeverisë thotë: “...Por, pa as më të voglin dyshim, nëse në fushën e lojës nuk ia dolëm dot ta mbajmë në minutat shtesë, pikën e artë që na hapte thuajse në treçerekun e saj, portën e madhe të finalistëve të Francës, mbajtja lart e nivelit të kulturës sportive në kushtet e një tensioni të madh, jo vetëm sportiv, i ka dhënë tre pikë të arta Shqipërisë si vend dhe shqiptarëve si popull”. Statistika më e rëndësishme janë tre pikët nga fitorja e ndeshjes. Sa për “pikët e arta” shqiptarët si popull i fitojnë ditë për ditë, sidomos ata të rinj dhe të reja që rropaten të shpalosin energjinë e tyre krijuese dhe prodhuese në një mjedis ku mmbizotërojnë tarafet dhe nepotizmi, apo ata prindër që sakrifikojnë për të rritur fëmijët e tyre, që të bëhën të zotët e vetes më punë të ndershme, apo ata sipërmarrës që përpiqen për të ngritur një sipërmarrje të ndershme brenda rregullave të ligjit dhe konkurrencës së ndershme (që në Shqipëri është koncept alien)!

Me pak fjalë kryministri Rama në këtë deklaratë për shtyp, ka dashur të fitojë “tri pikë” për ecurinë e punëve të qeverisë. Por nëse vërtet do t'i marrë ato “tri pikë” Edi Rama duhet të shpalosë startegji të mirëqëna për zhbllokimin e potencialit krijues dhe prodhues të Kapitalit Njerëzor, në kuadër të zhvillimit të qendrueshëm. Qytetarët ia kanë dhënë “tre pikët” e besimit Edi Ramës me shumicë dërrmuese, në ndeshjen politike të parë (zgjedhjet parlamentare) dhe në ndeshjen politike të kthimit (zgjedhjet vendore). Prandaj duhet të veprojë, pasi topi është në këmbën e tij, pjesa e parë ka mbaruar, kryeministri ndodhet përpara portës dhe nevojitet fitore. Bob Paisley, njëri nga trajnierët legjendar, të “të kuqve” të Liverpool-it, kur e pyesnin lojëtarët, se si duhet të gjuanin kur ishin në zonën e rrepëtsisë përpara portës, ai u kthente “Së pari futeni topin brenda (portës), më tej flasimi për alternativat e mundshme të gjuajtjeve”. Mesazhi është i qartë: Më shumë punë, më pak llogje me figura letrare!

 

Kombëtarja

 

Mënyra se si paraqitet Kombetarja jonë e futbollit të kujton strategjinë e punës së kastës tonë politike. Në ndeshje “shqiponjat kuqezi” nuk kanë qëndrushmeri. Po kështu edhe politikanët tanë në zbatimin e strategjive zhvillimore. Duke filluar nga minuta '75 e ndeshjes lojëtarët tanë lodhen së tepërmi dhe nuk ka mbështetës së Kombëtares të mos shqetësohet brenda vetes për rezultatin, duke uruar që “shqiponjat kuqezi”, të përqendrohen në mbrojtje. Po kështu edhe politikanët tanë, gjatë fundit të zbatimit të një projekti “lodhen”.

 

Nga ana taktike “shqiponjat kuqezi” janë të paorganizuara përpara portës së kundërshtarit dhe çdo aksion për gol nis nga një kundërsulm “i rastësishëm”. Po ashtu edhe politikat zhvillimore në vendin tonë i lihen shpesh herë rastësisë dhe administrata është e paorganizuar për të prodhuar rezultatin final. Një shembull është mos përmbushja e buxhetit.

 

Por nuk duhet të fajësohen “shqiponjat kuqezi” për cilësinë e ndeshjeve të tyre. Faji kryesor është i atyre përgjegjës për investimet që lidhen me ngritjen e këtij sporti.

 

Megjithatë, në kuadër të strategjisë “buke dhe lojëra” dhe për hir të “statistikës së fitores”, ndeshja e Kombëtares në Armeni, në mendimin tim, do të ndiqet me “zemër të ngrirë” më shumë nga politikanët tanë se sa nga sportdashësit. Kjo sepse me anë të fitores, ndoshta për një javë, propaganda politike dhe mediatike do të devijojë një pjesë të shqiptarëve nga ajo pyetje që bren një pjesë të rëndësishme të qytetarëve: Çfarë pune do të bëjmë nesër, për të fituar 5 lekë, për të mbushur brakun?...  

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.