Çmontimi i ministrit të Brendshëm
Tani duket se kancelares i ka humbur durimi. Ajo ia hoqi ministrit të Brendshëm përgjegjësinë për politikën ndaj refugjatëve dhe e solli atë de facto në zyrën e kancelarit. Bashkëpunëtori më i afërt i saj, ministri pranë kancelarisë Peter Altmaier (CDU) do të jetë koordinator për refugjatët.
Me fjalinë e saj të famshme "Ne mund t'ja dalim mbanë" Angela Merkel e bëri politikën ndaj refugjatëve çështje të saj. Kancelarja mori për këtë shumë lëvdata nga e gjithë bota. Nga "kancelarja e hekurt" që uli në gjunjë Greqinë, papritmas ajo u bë në perceptimin e shumicës "një nënoke zemërgjërë". Por sfidat e mëdha duhet t'i zgjidhin të tjerët: komunat dhe landet dhe ministri i Brendshëm Thomas de Maiziere.
Kështu nuk ia dalim dot
Në të gjitha anët ka mungesa. Mungojnë strehimet apo zyrtarët komunalë që përpunojnë kërkesat. Në kampet e tejmbushura ka gjithnjë e më shumë dhunë. Përpara zyrave të regjistrimt të refugjatëve ndodhin skena dramatike. Një gjë është e qartë: kështu nuk mund t'ja dalim mbanë.
Sidomos ministri i Brendshëm de Maiziere (CDU) krijoi gjatë krizës përshtypjen se nuk ecën dot me ritimin e ngjarjeve. Së pari, ai ndryshoi kreun e entit përgjegjës. De Maiziere emëroi Frank-Jürgen Weise si president të Zyrës Federale për Migracion dhe Refugjatë (BAMF). Ai tha duke u mburrur, se kishte angazhuar "më të mirin". Megjithatë Weise është edhe kreu i Agjencisë Federale të Punësimit. De Maiziere u detyrua të merrte hua nga Ministri i Punës - për kohë të pjesshme - një top-menaxher. Ndoshta presidenti i ri është vërtet një gjigant, i cili mund të menaxhojë si Agjencinë gjigante Federale të Punësimit dashtu ehe BAMF-in në të njëjtën kohë. Por me më shumë gjasa është një alternativë tjetër: de Maiziere kishte aq pak shumë mundësi, sa që duhet të pajtohej me kushtet e diktuara.
De Maizière duket si mësues i mbingarkuar
Askush nuk e priste që Gjermania do të përballej me këtë detyrë të madhe pa probleme. Prandaj për qeverinë është edhe më e rëndësishme që të tregojë se është duke bërë çdo gjë të mundshme për ta kapërcyer krizën. De Maiziere nuk e krijoi këtë përshtypje. Kur u shtuan lajmet për dhunën në strehimoret e mbipopulluara, ai doli para kamerave dhe u ankua për mungesën e "kulturës" në radhët e refugjatëve. Përpjekja për ta vënë veten në krye të pakënaqësive populiste, dukej e dëshpëruar. De Maiziere dukej si një mësues i mbingarkuar, i cili ankohet për mungesën e respektim nga ana e studentëve të tij.
Angela Merkel i hyri me fjalën e saj "ne mund t'ja dalim mbanë", një rreziku që është atipik për të. Me fjalët e saj ajo e ktheu manaxhimin e krizës në një provë zjarri për veten e saj. Tani ajo e ka kuptuar me sa duket, se nuk është e mjaftueshme që t'ja lësh zgjidhjen ministrit të Brendshëm. Stili i saj presidencial po ndesh në kufijtë e tij. Kancelarja mund ta shkarkonte de Maiziere siç ka bërë në situata të ngjashme. Në vend të kësaj, ajo ka vendosur ta bëjë manaxhimin e krizës çështje shefi me prioritet të lartë. Në këtë mënyrë ajo shton rrezikun për karrierën e saj. Në rast se ajo ia del ta vërë nën kontroll krizën e administrimit të refugjatëve, ajo do të hyjë në histori me shprehjen "ne mund t'ja dalim mbanë". Nëse nuk arrin ta vërë krizën nën kontroll, ajo nuk do të ketë më de Maiziere që t'i heqë përgjegjësitë nga dora.
"DW"
Add new comment