Kërcënimi për ekonominë, 35 kompani kanë një borxh të pakthyer prej 1 miliardë dollarësh
Është një borxh prej 125 miliardë lekë ose 1 miliardë dollarë që bizneset dhe individët u kanë bankave. Janë para të pakthyera, ose më saktë para të painvestuara në ekonomi. Kjo përbën dhe një nga kërcënimet më të mëdha për ekonominë e vendit. Në një kronikë të trasmentuar nga “Tv Klan” thuhet se më shqetësues është fakti që 56% e këtij borxhi, afro 70 miliardë lekë është vetëm borxhi i pakthyer nga 35 korporata të mëdha në vend të cilat po keqpërdorin kapitalet e qytetarëve shqiptarë. Ky fenomen prej vitesh është mbajtur i fshehtë, duke mos u bërë publik as shuma e borxhit të pakthyer por as emri i kompanive të borxhlinjëve, madje në shumë raste këto kompani jo vetëm nuk kanë shlyer borxhet shume milionëshe ndaj bankave por janë favorizuar duke marrë kredi të reja duke e shtuar edhe më shumë vlerën e stokut të borxhit. Edhe sot, pavarësisht se Banka Qëndrore nuk e mban të fshehtë shumën prej 70 miliardë lekë të 35 kompanive, sërish emri i tyre nuk bëhet publik. Ky borxh i madh është i shtrirë pothuajse në të gjitha fushat e ekonomisë. Burime për “Tv Klan” thonë se në listën e borxhlinjëve janë kompani të naftës, industrisë, energjisë, ndërtimit, industrisë së lehtë, etj. Po sipas “Tv Klan”, referuar dhe emrave të njohur të ekonomisë e biznesit në Shqipëri, emrat e kompanive borxhlie duhen bërë sa më parë publike, në mënyrë që edhe publiku të dijë kush janë kompani të ndershme dhe kush jo dhe kryesorja sipas ekspertëve është se vetëm në këtë mënyrë mund të rritet transparenca lidhur me zgjidhjen qe do t’i jepet këtij problem.
Add new comment